Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka përzgjedhur Tom Price, një kritik i ashpër i reformës të kujdesit shëndetësor (Obamacare) të presidentit Obama, si Sekretarin e ardhshëm të Shëndetësisë.
Kongresmeni nga Georgia dhe kirurg ortopedie, tashmë 62 vjeç, udhëheq Komitetin për Buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai pritet të luajë një rol kyç në planet e republikanëve për të zëvendësuar Aktin për një Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm (Obamacare).
Gjatë fushatës së tij, Trump u angazhua të anulonte dhe ta zëvendësonte këtë ligj, i cili konsiderohet edhe si më i rëndësishmi i administratës “Obama”. Gjithsesi, që prej zgjedhjes së tij si president, ai ka deklaruar disa herë se pritet t’i lërë në fuqi disa dispozita të caktuara.
Trump tha se Price ka qenë një “zgjidhës i palodhshëm i problemeve” dhe “ekspert i politikave të kujdesit shëndetësor”.
“Ai është jashtëzakonisht i kualifikuar për t’u kujdesur mbi angazhimin tonë për ta shfuqizuar dhe zëvendësuar ‘Obamacare’ dhe për të ofruar një kujdes shëndetësor të përballueshëm dhe të aksesueshëm për çdo amerikan”, tha Trump në një deklaratë.
Price, nga ana e tij, tha se mezi pret ta shfrytëzojë këtë mundësi që i jepet për të shërbyer si Sekretar i Shëndetësisë, në emër të popullit amerikan. Ai tha se synimi kryesor i tij është të krijojë një sistem të ri që funksionon për pacientët, familjet dhe doktorët, duke shtuar se ky sistem do të “mbrojë mirëqenien e vendit, e njëkohësisht do të përqafojë edhe shpirtin inovativ”.
Më herët gjatë këtij muaji, Trump deklaroi se me gjasa do të lërë në fuqi disa dispozita të ligjit të administratës “Obama”, siç janë ato që u lejojnë të rinjve të sigurohen nën emrin e prindërve të tyre, si dhe ndalimi i siguruesve për të mohuar mbulim për kushtet e mëparshme.
Trump pritet të takohet me Mitt Romney për herë të dytë, pavarësisht se një prej ndihmësve të tij kryesorë nisi një fushatë publike kundër nominimit të ish-guvernatorit të Massachusetts. Këshilltari Kellyanne Conway foli kundër Romneyt ditën e diel, kur tha se mbështetësit e Trumpit ndihen “të tradhtuar” nga fakti se ai mund ta konsiderojë ish-kandidatin republikan të 2012-s për një rol kyç. Romney, nga ana e tij, ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të Trumpit gjatë fushatës zgjedhore.
Diskutime rreth kësaj post