Adriatik Llalla së bashku me familjen e ka të ndaluar tashmë të shkelë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas një deklarate të Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson publikuar dje në faqen zyrtare të DASH, Llalla dyshohet si person i përfshirë në afera korruptive. Por sot këtë deklaratë e ka shpërndarë edhe ambasadori amerikan Donald Lu, i cili nuk i ka kursyer asnjëherë deklaratat për ish kryeprokurorin Llalla.
Deklarata e DASH
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson ka shpallur publikisht “non grata” ish-Prokurorin e Përgjithshëm Shqiptare (z.) Adriatik Llalla në bazë të nenit 7031 (c) të Ligjit për Buxhetin e Konsoliduar të FY 2017 për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm.
Neni 7031 (c) parasheh që në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion të rëndësishëm ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e tyre të afërt të familjes nuk kanë të drejtë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
Ligji gjithashtu kërkon që Sekretari i Shtetit të caktojë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe anëtarët e familjes së tyre si të padëshiruar. Sekretari po ashtu shpall publikisht bashkëshortin e z. Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmija tjetër i tij, jo amerikan.
Qëndrimi i Lu-së për Llallën
Të shtunën ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i dorëzoi Presidentit kërkesën për t’u tërhequr nga e drejta e emërimit në Gjykatën e Apelit. Njëherësh, ai iu drejtua organeve të vettingut me kërkesën për të mos iu nënshtruar këtij procesi.
“Vendimi për t’u tërhequr është një vendim personal, por largimi i çdo gjykatësi apo prokurori të korruptuar e të paaftë, është një fitore në betejën për një sistem drejtësie më të mirë. Ata nuk mund të rikthehen në sistem për 15 vjet”, tha ambasadori Lu për mediat.
Në vijim të interesimit për Llallën, kryediplomati amerikan në vendin tonë heq dyshimet nëse pas tërheqjes nga sistemi do t’i nënshtrohet ose jo procesit të vetting-ut.
“Tërheqja nuk i shfajëson këta ish-zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga vetting-u, duhet të kenë frikë edhe nga hetimet e pashmangshme penale”, -theksoi ambasadori.
Diskutime rreth kësaj post