Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja financiare ndaj një banke ruse dhe disa ministrave qeveritar sirianë për rolin e tyre në luftën civile të Sirisë.
Njoftimi i bërë më 23 dhjetor nga Departamenti i Thesarit është i fundit nga një sërë vendimesh të javëve të fundit të administratës së presidentit, Barack Obama.
Departamenti ka thënë se nëntë pjesëtarët e bordit të bankës moskovite, “Tempbank” që më parë ishte sanksionuar si institucion, janë shtuar në Listën Speciale të Shtetasve që dyshohet se kanë ofruar shërbime financiare ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar al Assad.
Gjashtë ministra sirianë gjithashtu janë shtuar në këtë list, përfshirë ministrin e financave dhe atë të naftës, krahas udhëheqësit të bankës qëndrore të Sirisë.
Kompania ajrore siriane, Cham Wings gjithashtu është futur në listën e të sanksionuarve të fundit, me akuzën se kanë transportuar luftëtarë të huaj drejt zonave ku po zhvillohet lufta civile.
Gjatë kësaj jave, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione kundër rusëve të tjerë për veprimet e Moskës në Ukrainë, duke goditur kështu lojtarë të brendshëm rusë me lidhje të fuqishme, përfshirë edhe personin që punon si krye-kuzhinier i presidentit rus, Vladimir Putin.
Kjo ka nxitur reagim të ashpër nga Kremlini i cili këtë veprim e ka quajtur destruktiv.
Diskutime rreth kësaj post