Shtëpia e Bardhë u përpoq të siguronte Kinën se nuk ka marrëdhënie zyrtare me Tajvanin pas shqetësimeve që ngjalli në Pekin telefonata mes Donald Trumpit dhe presidentes tajvaneze, Tsai Ing-wen.
Kina e konsideron ishullin province separatiste e pas veprimit të Presidentit të Zgjedhur, paraqiti një ankesë diplomatike. Por nga zyrtarët amerikanë, ajo ka marrë garancinë e vazhdimësisë së tyre ndaj politikes së një “Kinë të vetme”. Kjo politikë ekziston prej 40 vjetësh tashmë dhe fokusohet në promovimin e ruajtjen e paqes në ngushticën që ndan Kinën me Tajvanin, çka është dhe në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
“Nëse ekipi i presidentit të zgjedhur ka ndonjë synim tjetër, atëherë shpjegimet do t`ua lërë atyre. Qeveria kineze e ka kthyer këtë situatë nevralgjike në një çështje prioritare për të. Një pjesë e progresit që kemi arritur me Kinën mund të minohet nga përflakja e këtij diskutimi”, deklaron Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Telefonata e Trumpit u pasua nga dy mesazhe në Twitter ku republikani kritikonte ashpër politikën monetare të vendit komunist dhe veprimet e tij në detin e Kinës jugore.
CNN flet për vendosjen e miliarderit të zgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë në një kurs përplasjeje me Pekinin.
Por komunikimi i tij me presidenten e Tajvanit nuk solli vetëm tërbimin e lidershipit kinez. Ai tregoi gjithashtu se Trumpi kërkon t’i qëndrojë premtimit të fushatës për t’i shkulur Kinës një marrëveshje të re tregtare dhe duket i gatshëm të sfidojë durimin e saj.
Diskutime rreth kësaj post