Përfaqësues ligjorë të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, dhe mbështetësve të tij kanë ndërmarrë një lëvizje të fundit ligjore për të bllokuar rinumërimin e votave në Wisconsin, Pennsylvania dhe Michigan. Aktpaditë synojnë të ndalin kërkesat e kandidates presidenciale të Partisë së Gjelbër, Jill Stein, për rinumërim votash.
Partia e saj ka bërë të ditur se stafi i fushatës është i përqëndruar në sigurimin e integritetit të sistemit amerikan të votimit. Por, edhe nëse rinumërimi ndodh, kjo gjë pak gjasa ka që të ndryshojë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.
Të premten, prokurori i përgjithshëm republikan i Michiganit, Bill Schuette i kërkoi Gjykatës Supreme të shtetit të bllokonte rinumërimin e mundshëm të votave. Ekipi i Trumpit dorëzoi ankesën një ditë më parë në bordin zgjedhor të Michiganit për të penguar rinumërimin e 4.8 milionë votave të hedhura, nga të cilat ai fitoi me një diferencë prej 10.700 votash.
Përfaqësuesit e Trumpit argumentuan se Stein nuk mund të kërkojë rinumërimin në Michigan, sepse ajo nuk është “dëmtuar” në mënyrë të mjaftueshme, saqë një numërim i gabuar i votave të mund të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet. Stein siguroi vetëm 1 për qind të votave në Michigan.
Në Wisconsin, mbështetës të Trumpit, përfshi edhe Komitetin e Veprimit Politik “Great America”, atë “Stop Hillary” dhe votuesin Ronald Johnson, dorëzuan një padi federale dhe kërkuan një urdhër të përkohshëm bllokimi të rinumërimit të votave në Wisconsin, vetëm pak orë pasi ky proces nisi të enjten.
Paditësit argumentojnë se rinumërimi kërcënon të drejtat për shkak të procesit të atyre që votuan për Trumpin, e ka të ngjarë që të përmbajë gabime për sa kohë që zyrtarët do të nxitojnë të arrijnë afatin përfundimtar të 13 dhjetorit.
Ndërkohë, avokatët e Trumpit kanë dorëzuar edhe një aktpadi për të ndalur kërkesën e kandidates së Partisë së Gjelbër për rinumërim të votave në Pennsylvania.
Zonja Stein, e cila po i financon kërkesat për rinumërim përmes donacioneve publike, ka thënë se dëshiron që të “hedhë dritë mbi atë se, sa e pabesueshme është sistemi zgjedhor amerikan”.
Diskutime rreth kësaj post