Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të vendosura për të shpallur “non grata” të korruptuarit në shtetet aleate. Adriatik Llalla ishte ai që ngriti siparin e një aksioni të tillë dhe duket se kjo lëvizje do të vijojë gjatë. Ishte ish-sekretari Amerikan Rex Tillerson ai i cili vendosi të ndjekë një politikë ndryshe ndaj të korruptuarve duke filluar me Adriatik Llallën. Por kjo praktikë është ndjekur dhe nga Sekretari aktual Antoni Blinken.
Ai ka shpallur së fundmi “non grata” zyrtarin ukrainas Ihor Kolomoyskyy dhe ish-kryeprokurorin sllovak Dobroslav Trnka, duke i akuzuar se janë të përfshirë në afera korrupsioni. Ndërkohë DASH njofton se do të ketë të tjerë emra që do të futen në listën e zezë, për të cilët ka prova se janë të përfshirë në korrupsion dhe që janë rrezik për Uashingtonin. Lëvizjet e Blinken janë dhe një mesazh i fortë për politikën shqiptare. Ai e ka nisur detyrën pikërisht me shpalljen të padëshiruar të të korruptuarve, ndërkohë që shumë zyrtarë amerikanë e kanë paralajmëruar se do ketë emra nga Shqipëria që do të kenë të njëjtin fat.
Deri tani janë shpallur të padëshiruar Tom Doshi, Vangjush Dako e Adriatik Llalla, por sipas informacioneve, të rrezikuar janë dhe emra të tjerë të cilët shihen si rrezik nga amerikanët. Emri më i përfolur kohët e fundit është ai i ish-kryeministrit Sali Berisha. Gazeta e tha pak kohë më parë se emri i tij ka përfunduar në DASH nga subjekte politike në Tiranë, të cilat kanë dërguar informacione kundër tij. Sytë tani janë te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili mund të hapë rrugën e largimeve nga politika të emrave “non grata”.
Tom Doshi u regjistrua si kandidat, por është kërkuar nga Prokuroria që të kontaktohet me palën amerikane dhe të kërkohen informacione më të thelluar mbi arsyet e këtij veprimi, faktet që disponohen dhe prova të tjera. Nëse KQZ konkludon se ai është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, atëherë mund t’i hiqet mandati. Kjo do të hapë rrugën dhe për emra të tjerë dhe mund të përdoret nga amerikanët për të larguar nga Parlamenti emrat që ata i shohin si problem. Berisha dhe Petrit Vasili janë dy emra që thuhet se u janë revokuar vizat dhe janë ndër kritikët më të ashpër të SHBA. Por ka dhe shumë të tjerë që janë në lista e kandidatëve për deputetë. Fakti që SHBA duket e vendosur për të zgjeruar listën e zezë, në javët a muajt në vijim mund të kemi surpriza.
Lëvizjet e DASH
Penalizimi i parë nga SHBA ndodhi në vitin 2018 (për ish-kryeprokurorin shqiptar Adriatik Llalla) dhe që atëherë janë shpallur të padëshiruar më shumë se 150 individë nga 30 vende të botës. Përfshirë këtu dhe anëtarë të afërt të familjes që janë identifikuar në bazë të përcaktimeve të Nenit 7031(c). Në sesionin 7031/c, përcaktohet qartë se Sekretari Amerikan i Shteti kur ka prova mund të shpallë non ngrata një person të përfshirë në afera. “Zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e familjes së tyre, për të cilët Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se janë të përfshirë në korrupsion, përfshi dhe për nxjerrjen e burimeve natyrore, apo shkeljen e të drejtave të njeriut, u ndalohet hyrja në SHBA. Sekretari informon gjithashtu publikisht ose privatisht zyrtarët e qeverive të huaja dhe anëtarët e afërt të familjes, për të cilët ka informacion të besueshëm, nëse kanë aplikuar për vizë”, – thuhet në ligj.
Diskutime rreth kësaj post