Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po zhvillon një takim urgjent të thirrur nga Rusia, e cila ka propozuar një rezolutë ku dënohen goditjet e ndërmarra sot në mëngjes nga tre aleatë perëndimorë ndaj objektivave siriane.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë presionin ndaj regjimit sirian, nëse Siria bën marrëzinë të kryejë sulme të tjera me armë kimike. “Koha e fjalëve mbaroi mbrëmë. Amerika qëndron në gatishmëri. Kur presidenti ynë cakton vijën e kuqe, ai e zbaton”.
Ambasadori rus në OKB akuzoi Shtetet e Bashkuara për huliganizëm në politikën e jashtme dhe për shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.
Pentagoni deklaroi se operacioni i ndërmarrë në Siri ka goditur me sukses objektivat e synuara me qëllimin për të dobësuar kapacitetet e armëve kimike të regjimit
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania ndërmorën sulme ajrore të shtunën në mëngjes, duke lëshuar 105 raketa mbi tre objekte siriane të armëve kimike, një në Damask, dy të tjerë pranë Homsit në afërsi të kufirit me Libanin.
Zyrtarët ushtarkë amerikanë thanë se të gjitha raketat goditën objektivat pak minuta njëra pas tjetrës, duke i shkatërruar objektet.
“Kemi goditur zemrën e programit sirian të armëve kimike,” tha Gjeneral Lejtnanti në një konferencë për shtyp të shtunën në Pentagon.
Presidenti Donald Trump vlerësoi rolin e Britanisë dhe Francës për angazhimin në operacionet e bashkërenduara ajrore mbi Siri. Zoti Trump postoi para pak orësh një koment në Twitter ku shkruan se u realizua një goditje e ekzekutuar në mënyrë perfekte dhe falenderon dy vendet aleate si dhe forcat e armatosura amerikane. Presidenti kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin ndaj sulmit me armë kimike të javës së kaluar në Siri. Mbrëmë Donald Trump iu drejtua amerikanëve me një fjalim të drejtpërdrejtë ku njoftoi vendimin për të goditur objektiva të ushtrisë siriane:
“Pak më parë u dhashë urdhër forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin goditje të përqëndruara tek objektiva që kanë lidhje me kapacitetet për sulme kimike të Presidentit sirian Bashar al-Asad,” tha Presidenti Trump.
Presidenti Trump iu drejtua vendit mbrëmë me një fjalim të transmetuar përmes televizionit dhe medias sociale, pak sekonda para se të fillonin goditjet ajrore, që tronditën me shpërthime dhe gjëmime të zhurmshme Damaskun.
Administrata i prezantoi goditjet si një veprim që synon t’i jepë një mesazh të qartë regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad për sulmin me armë kimike ndaj civilëve të zhvilluar javën e kaluar, si dhe për të parandaluar sulme të tilla në të ardhmen.
“Është e qartë se regjimi i Assadit nuk e mori mesazhin vitin e kaluar. Këtë radhë, ne dhe aleatët goditëm më fort. Së bashku i dërguam një mesazh të qartë Assadit dhe ithtarëve të tij vrastarë se nuk duhet të zhvillojnë të tjera sulme kimike, për të cilat do të mbajnë përgjegjësi”, tha Sekretari Mattis.
Sekretari Mattis, i cili dha një konferencë për shtyp pak pas fillimit të sulmit, tha se objektivat u përzgjodhën për të shkaktuar degradim afatgjatë dhe dëm maksimal ndaj rezervave të armëve kimike të Sirisë, si dhe shtoi se gjatë sulmeve ajrore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët bënë të pamundurën për të shmangur viktima në radhët e civilëve dhe shtetasve të huaj.
Sekretari Mattis tha se u përdor gaz klorin gjatë sulmit kimik në qytetin Douma javën e kaluar që la pas të paktën 40 viktima dhe qindra të tjerë në gjendje të rëndë shëndetësore. Siria mohon me forcë këto akuza.
“Jam i sigurtë se regjimi sirian kreu një sulm kimik ndaj njerëzve të pafajshëm javën e kaluar. Kemi gjithashtu edhe nivelin e duhur të të dhënave të besueshme të zbulimit për goditjen ajrore”, tha Sekretari Matties.
Gjenerali Joseph Dunford, shefi i shtabit amerikan, tha se më shumë detaje për sulmin ajror do të bëheshin të ditura në vazhdim.
Presidenti Donald Trump ishte shprehur paraprakisht se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ruajnë presionin ndaj Assadit derisa ai t’i japë fund, asaj që Presidenti Trump e quajti një vazhdimësi kriminale e vrasjes së popullit të tij me armë kimike të ndaluara nga ligji ndërkombëtar.
Presidenti Trump fajësoi dy nga vendet që mbështesin Sirinë, Rusinë dhe Iranin, se nuk ndaluan përdorimin nga regjimi sirian të këtyre armëve të ndaluara.
“Në vitin 2013, Presidenti Putin dhe qeveria e tij i premtuan botës se do të garantonin eliminimin e armëve kimike të Sirisë. Sulmi më i fundit i Assadit dhe kundërpërgjigja e sotshme janë rezultat i drejtpërdrejt i dështimit të Rusisë për ta mbajtur fjalën. Rusia duhet të vendosë nëse do të vazhdojë në këtë rrugëtim të errët, apo nëse do t’u bashkohet kombeve të civilizuara si një forcë stabiliteti dhe paqeje”, deklaroi Presidenti Trump.
Rusia njoftoi se sistemet siriane të mbrojtjes ajrore, të prodhuara gjatë epokës sovjetike, rrëzuan 71 nga 103 reketat e lëshuara nga aleatët. Rusia thotë se ka monitoruar me radarët e saj sulmet. Zëdhënës të forcave ruse thonë se nuk ka pasur lëndime në personelin ushtarak sirian dhe se dëmet materiale kanë qenë minimale:
“Sistemet tona mbrojtëse në bazat ushtarake në Khmeimim dhe Tartus pikasën dhe i kishim nën vëzhgim të gjitha raketat e lëshuara nga mjetet detare dhe ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Pjesëmarrja e reklamuar e Francës nuk u evidentua”, tha Gjeneral Sergey Rudskoy, shef i operacioneve në shtabin qendror të Rusisë.
Kryeministri italian Paolo Gentilioni përshëndeti sot sulmet ajrore të aleatëve.
“Operacioni ishte një përgjigje e motivuar nga përdorimi i armëve kimike në Douma dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë që regjimi sirian përdor armë kimike gjatë këtij konflikti. Besoj se një shekull pas Luftës së Parë Botërore nuk mundemi të pranojmë idenë e përdorimit të armëve kimike gjatë konflikteve të tanishme”, tha Kryeministri Gentilioni.
Mesazhe mbështesëse u dhanë gjithashtu nga Kanadaja, Japonia, Turqia…..
Sipas agjensisë franceze të lajmeve AFP, shpërthime të shumta u dëgjuan menjëherë në kryeqytetin sirian, ndërkohë që Presidenti amerikan Donald Trump po njoftonte për sulmin ajror.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, u godit një laborator kërkimor në Damask, si dhe një sërë bazash ushtarake siriane përreth kryeqytetit.
Diskutime rreth kësaj post