Deputeti socialist Fidel Ylli ka sfiduar demokratët dhe aleatët e tyre që të bëjnë mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Rama dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ylli është shprehur i bindur se mazhoranca ka 88 vota për të qeverisur.
“Unë nuk mendoj se zgjedhjet duhet të shtyhen sepse janë të gjitha vendime kushtetuese. Ne jemi në gjendje të vazhdojmë të zbatojmë Kushtetutën, siç bëri Sali Berisha që me votat e Dogjanit, Kadelit dhe Kaç Islamit mori 3 votat tona dhe qeverisi me 71 vota. Ne kemi 88 vota në Parlament dhe le të bëjnë ata që duan krizën një mocion që të rrëzojnë Edi Ramën dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, thotë Ylli.
Një ditë përpara votimit në Kuvend të procedurave të vettingut dhe ngritjen e komisionit “ad hoc” prej 6 deputetësh me pjesëmarrje të barabartë pozitë-opozitë, Ylli ftoi këtë të fundit ta votojë këtë proces, që është thelbësor për të integruar vendin në BE dhe për mbrojtjen e investimeve të huaja.
“Vettingu do bëhet, të jeni të sigurtë që do bëhet. Ne tani kërkojmë, a do ketë për herë të parë shtet në Shqipëri, apo jo? Nëse del një i çmendur dhe thotë se unë nuk i dua, nuk mund të mbahen peng gjithë këto procedura që i kërkojnë edhe ndërkombëtarët. Ne jemi të detyruar të vazhdojmë procedurën. Normale është që vettingu të bëhet me opozitën, sepse janë komisione që duhen ngritur, me pjesëmarrje të barabartë 3 me 3, por problemi është opozita që kërkon qiqra në hell”, tha Ylli.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post