Japonia dhe Koreja e jugut, dikur armiq të përbetuar, kanë rënë dakord për bashkëpunimin më të afërt ushtarak që prej luftës së dytë botërore.
Marrëveshja për ndarjen e informacionit të inteligjencës ushtarake, e cila ndërtohet prej 5 vitesh, do të lejojë dy vendet që të ndajnë informacione pa përdorur ushtarakët amerikanë si ndërmjetës.
Uashingtoni, aleat i afërt i të dyja vendeve, nxit prej kohësh raporte më të mira mes Tokios dhe Seulit. Ministria jug-koreane e mbrojtjes tha se marrëveshja është shumë e vlefshme, duke theksuar se shpenzimet japoneze për mbrojtjen janë më të larta se të Koresë së Jugut dhe kjo i mundëson këtij vendi të monitorojë dhe diktojë informacione ushtarake.
Seuli shpreson se të dhënat do ta ndihmojnë të analizojë dhe kontrollojë më mirë programin e raketave balistike dhe atë bërthamor të Koresë së Veriut.
Marrëveshja, e cila hyn në fuqi menjëherë, bën të mundur ndarjen e të gjithë informacionit të agjencive të inteligjencës së dy vendeve, por përjashton informacionet që konsiderohen top sekret.
Por në Korenë e Jugut ky pakt ka shumë kritikë. Japonia pushtoi Korën e Jugut për 35 vjet para fundit të luftës së dytë botërore dhe mëri ndaj japonezëve ende ndihet.
Një sondazh i fundit i kryer në Korenë e Jugut sugjeroi se 60% e të anketuarve nuk ishin dakord me marrëveshjen.
Diskutime rreth kësaj post