Ditën e sotme ka patur sërish kërcënime të reja për bombë në katër shkolla të mesme në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Për shkak të këtij alarmi është ndërprerë mësimi dhe nxënësit janë evakuuar deri në verifikimin e perimetrit ku rezultoi në fakt se alarmet ishin të rreme.
Në lidhje me këto kërcënime ka reaguar dhe kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski i cili e ka konsideruar si një luftë hibride, duke shtuar se në periudhë të luftës në kontinent, Ballkani është kthyer në pre i sulmeve të hakerëve.
“E shihni se gjithë rajoni jonë është nën kërcënimin e sulmeve hibride. Të gjithë jemi të vetëdijshëm çfarë ndodh. Në qoftë se më parë në territorin e gjithë Evropës janë bërë luftëra me armë, tani në një pjesë të territorit të Evropës zhvillohet luftë me armë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, por në pjesët tjera zhvillohet luftë hibride, duke shkaktuar shqetësime” – tha Kovaçevski.
Në dy shkolla të mesme në Shkup sot paradite mësimi u ndërpre menjëherë pas arritjes së e-mailit për bombë të vendosur në orën 9 e 30 minuta, ndërsa vetëm gjysmë ore më vonë mesazh i ngjajshëm i ndërpreu orët e mësimit edhe në dy shkolla tjera të mesme.
“Menjëherë pas denoncimeve që kemi marrë, nga zyrtarët e policisë janë ndërmarrë masa për evakuimin e sigurtë të të gjitha katër shkollave. Vazhdojnë kontrollet antiterror dhe ndërmirren masa për zbardhjen e rastit” – thonë nga MPB.
Para një jave u arrestua një person që lidhet me alarmet e rrejshme, por pas disa orëve një djalë 23 vjeçar, emri i të cilit ka qenë në e-mailet e dërguara, pas një nate të kaluar në stacionin policor dhe pas verifikimeve në shtëpinë e tij, është lënë i lirë.
Diskutime rreth kësaj post