Gjatë ceremonisë së hapjes së Kampionatit Botëror të Boksit, që u zhvillua dje në Beograd, teksa boksierët tanë kuqezinj kanë parakaluar me flamurin kombëtar të Shqipërisë, janë shoqëruar me fishkëllima nga tifozët vendës. Ndërkohë, është mësuar se boksierët kosovarë nuk janë lejuar nga autoritetet e Serbisë të marrin pjesë në këtë aktivitet ndërkombëtar të Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA).
Në fakt, Federata e Boksit të Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nga Botërori i boksit, në shenjë solidariteti me boksierët kosovarë për shkak të moslejimit nga e Serbisë. Por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi boksierët shqiptarë pretendojnë se mbi është ushtruar presion nga ana e Qeverisë së Shqipërisë dhe Federatës Ndërkombëtare të Boksit (AIBA).
“Na është thënë se në rast të mospjesëmarrjes, do të sanksionohemi me dhjetë vjet mospjesëmarrje në çdo aktivitet tjetër ndërkombëtar të AIBA-s”,- është shprehur për “Radion Evropa e Lirë”, kapiteni i ekipit të kombëtar të Shqipërisë, Nelson Hysa. “Normalisht, këtu (Beograd) jemi pa dëshirën tonë, kemi presion të vazhdueshëm. Kur dola me flamur të Shqipërisë, kishte brohoritje, fishkëllime, gjuajtje. Në hotel ka qëndruar Policia e Serbisë për shkak të sigurisë sonë”,- thotë Hysa.
Ndryshe, autoritetet kufitare serbe, gjatë fundjavës, për tri herë me radhë i kanë ndaluar hyrjen në Serbi, delegacionit të përfaqësueses së Kosovës në boks, për shkak se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, respektivisht simbolet e saj. Besim Brahimi, trajner i Federatës së Boksit të Kosovës, për “Radion Evropa e Lirë” është shprehur: “Ka marrë fund gjithçka, më nuk tentojmë. Në pikën kufitare na është thënë se është urdhër i Qeverisë së Serbisë, që nuk lejojnë të marrim pjesë me simbole shtetërore në fanella. Pa simbole nuk pranojmë.”
Ndërkohë që Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA), të shtunën, më 23 tetor, deklaroi: “Ne besojmë që të gjithë sportistët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare.”
Kampionati Botëror i Boksit zhvillohet në Beograd nga data 24 tetor deri më 6 nëntor 2021. Në të do të marrin pjesë më shumë se 500 sportistë nga 88 shtete, të cilët do të garojnë në 13 kategori të ndryshme.
Diskutime rreth kësaj post