Senati amerikan do të votojë të mërkurën për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, zgjerimi më domethënës i aleancës me 30 anëtarë që nga vitet 1990, ndërsa ajo përballet me pasojat e agresionit rus në Ukrainë.
Senati prej 100 anëtarësh pritet ta miratojë me lehtësi masën ndërsa kërkohet shumica e dy të tretave, ose 67 vota të nevojshme për të mbështetur ratifikimin e dokumenteve të pranimit në NATO të të dy vendeve.
Shumica e demokratëve dhe republikanëve kanë shprehur mbështetje të fortë për zgjerimin. Muajin e kaluar, Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë mbështeti ratifikimin gjatë një votimi me zë, ku vetëm një nga 22 anëtarët nuk u prononcua.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer ftoi ambasadorët dhe diplomatët e tjerë të dy vendeve në Uashington, për ta ndjekur debatin dhe votimin.
“Votimi për NATO-n është një votë shumë e rëndësishme për sigurinë amerikane në mbarë botën. Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë do ta forcojë edhe më tej NATO-n dhe kjo është edhe më urgjente duke patur parasysh agresionin rus”, tha zoti Schumer në fjalën e hapjes para Senatit të mërkurën.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë. Moska i ka paralajmëruar vazhdimisht të dy vendet kundër anëtarësimit në aleancë.
30 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan muajin e kaluar protokollin e pranimit të Finlandës dhe Suedisë, duke i lejuar ato vende të bashkohen me aleancën e cila ka armë bërthamore, sapo anëtarët e saj ta ratifikojnë vendimin.
Në atë pikë, Helsinki dhe Stokholmi ishin në gjendje të merrnin pjesë në takimet e NATO-s dhe të kanë qasje më të madhe mbi të dhënat e zbulimit, por nuk mbrohen nga Neni 5 i aleancës që thotë se një sulm ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithëve.
Aderimi duhet të ratifikohet nga parlamentet e të 30 vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, përpara se Finlanda dhe Suedia të mbrohen nga Neni 5 i aleancës. Ratifikimi mund të zgjasë deri në një vit./VOA/
Diskutime rreth kësaj post