Ajo është një godinat më të hijshme të kryeqytetit të paprishur shqiptar.
E projektuar nga arkitekti i famshëm Dhimitër Dhespoti, me një stil vile aristokratike, pas viteve 90 iu prish hijeshia duke i shtuar një qoshe birrarie që e shëmtoi.
Por sot, ish-godina që Ylli Pango e bëri për Ministri Kulture dhe që nuk e gëzoi pret të fusë brenda saj zyrtarët, për të cilët ka më shumë pritshmëri nga publiku shqiptar.
Madje sa për kuriozitet, në këto zyra u xhirua vidoja e parë e mbërtheckave të famshme që i dha fund karrierës së psikologut që Berisha e largoi pas atij skandali që i vuri namin e keq edhe godinës që profesor Pango përgatiti për të lënë emrin e tij në gjetjen e një vendi estetik për dikasterin e Trashëgimisë Kulturore.
Edi Rama sapo erdhi në pushtet nuk e la Mirela Kumbaron asnjë ditë në ish-selinë e vjetër të Babait të tij, që ishte pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por e çoi thellë në Kinostudio, ndoshta nga historitë e shumta që mbante ajo godinë në ambjentet e zhurmshme të Tiranës.
Por sot, kjo ndërtesë pret një proçes të ri, të bujshëm, një histori me të huaj e vendas që do të bëjnë revolucion. Që do të trondisin drejtësinë shqiptare dhe pastrojnë atë. Me fjalë deri tani…
Bëhet fjalë për Organet e strukturave të Vetingut, pra dy institucionet që do të marrin në provim të gjithë gjyqtarët e prokurorët shqiptarë: Këshillin dhe Kolegjin e Vetingut.
Sot kjo godinë është bosh dhe e rrethuar me kangjella hekuri të zeza që e shëmtojnë më shumë sesa e mbrojnë.
Vila e bukur që shërbeu në fillim, pra në vitet 30 si Shtëpia e Oficerëve dhe më pas në kohën e komunizmit si selia e Lidhjes së Shkrimtarëve, sot ishte e mbyllur por jo krejt bosh.
Porta ishte e kyçur dhe pasi i bie disa herë, ktheu kokën një burrë mesomoshë me bluzë jeshile që në xhepin e mbrapëm të pantallonave kishte një skatull kruajtëse.
Një “pasaportë” për të treguar se është specialist sovatimesh dhe meremetimesh.
I kërkojmë të hyjmë brenda e thotë që nuk e ka çelësin.
-“Po mirë, mund të na sjellësh një person që të flasim”?
-“Po ha bukë”, na e kthen.
-“Po mirë po e presim”.
-Nuk vjen dot se pastaj kemi punë, flet punëtori”.
Tek dera ja beh një djal i ri me një çantë tipike veglash që thotë se kërkon një person që e ka thirrur.
Meremetuesi, ja kthen se duhet të presë.
Punëtori i ri, që e sheh se ka një gazetar që kërkon të hyjë tërhiqet dhe me dikë flet. Pastaj largohet, ndoshta duke pritur që gazetari të mërzitet dhe të ikë.
Askush s’bzan.
Vetingu, duket se ka në fillim të tijin një histori tenderi dhe firmë që bën punimet, e cila nuk pëlqen të tregojë se ç’po bën. Ndoshta ka arsye, sepse ende nuk ka përfunduar puna e ndoshta dikush pritet në fund të presë shiritin.
Por si do të jetë selia e re e vettingut?
Nga jashtë nuk duket se do të ndryshojë, siç mësojmë nga punëtori meremetues, brenda janë shtuar zyrat pasi ka pasur shukë hapësira sallash. Ndërkohë që sekreti mbahet pasi në një vend në katin e dytë do të vendoset salla e serverave, e cila do të jetë super e blinduar dhe e siguruar.
Për këtë pjesë siç duket po ruhet sekreti më i madh.
Serverat që ndodhen në ILDKP kanë të ruajtur të gjithë aktivitetin e gjyqësorit shqiptar në vite; pasuri, konto bankare, biznese, të dhëna të ndryshme që pas instalimit të vettingut, kalojnë si pjesë e institucionit që nuk do të jetë i përkohshëm, por sipas gjasave një organ permanent i gjyqësorit shqiptar.
Aty ku dikur flitej për romanet dhe vëllimet me poezi të Agollit, Kadaresë, Arapit, Poradecit e shumë të tjerë, do të diskutohet për pronat e Gjin Gjonit, Adriatik Llallës, Xhezair Zaganjorit e të mbi 1 mijë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.
Jashtë nuk ka pajisje që bëjnë beton apo grumbuj me llaç.
Mësojmë që kush hyn për të punuar kontrollohet me detaje dhe kalon në një sitë konfirmimesh nga kushedi kush. Asnjë nuk flet.
Organet e vetingut që janë Komisioni dhe Kolegji i Apelimit pritet të kenë gjithsej 120 punonjës.
Komisionerët e vetingut do të marrin rreth 350 mijë lekë të reja, pra rreth 3 mijë euro në muaj, kurse punonjësit do të kenë një pagë mesatare 800 euro.
Diskutime rreth kësaj post