Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dje ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për pritjen e afganëve të rrezikuar nga talebanët. Departamenti Amerikan i Shtetit me anë të një njoftimi bëri të ditur se Sekretari i Shtetit Antony Blinken kishte folur me kryeministrin Edi Rama lidhur me këtë çështje. Në njoftim thuhej se Sekretari dhe Kryeministri u konsultuan në lidhje me ofertën e NATO-s dhe të Shqipërisë për të pranuar përkohësisht strehimin e afganëve që ndodhen në nevojë. Blinken falënderoi kryeministrin Rama për vazhdimin e traditës krenare të Shqipërisë. Më pas Sekretari dhe kryeministri riafirmuan partneritetin e ngushtë midis vendeve tona. Nga ana tjetër Sekretari Blinken me anë të një mesazhi në rrjetet sociale shprehu mirënjohjen për partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
“Faleminderit Edi Rama për ofertën e Shqipërisë për të siguruar strehë të sigurt për afganët në nevojë. Shumë mirënjohës për partneritetin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe aleatit tonë në NATO”, u shpreh Blinken në mesazhin e tij.
Ndërkohë ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dje gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut, deklaroi se vendi ynë është i gatshëm të strehojë me mijra afganë. Ajo u shpreh se çështja kryesore që të gjithë duhet të kenë ndërmend pas diskutimeve është shëndeti i grave, fëmijëve dhe burrave afganë, të cilët kanë punuar për ne. Ministrja po ashtu kritikoi vendet e NATO-s që nuk po strehojnë afganët. Sipas saj, duhet ofruar strehim dhe siguri për gjithë ata njerëz që kanë luftuar për jetën.
“Edhe pse të gjithë sot kanë në mendje 1000 pyetje e diskutime të mundshme për atë që ka ndodhur dhe atë që do të jetë e ardhmja e NATO-s, çështja kryesore, në fakt e vetme, ku duhet të fokusohemi sot janë gratë, fëmijët dhe burrat afganë që sot rrezikojnë jetën sepse punuan për ne. Është e papranueshme që vendet anëtare të NATO-s të mos arrijnë dot t’ju ofrojnë strehim dhe një jetë të re njerëzve që punuan dhe luftuan për të ardhmen që ne ju premtuam. Nëse Shqipëria e bëka këtë, cili vend në këtë tryezë nuk e bëka dot”, tha Xhaçka gjatë fjalës së saj.
Në përfundim të takimit, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s aprovuan edhe një deklaratë të përbashkët ku u bënë thirrje talebanëve të lejojnë njerëzit të evakuohen nga Afganistani dhe u zotuan se aleatët do të qëndrojnë në “koordinim të ngushtë” teksa operacionet janë duke vazhduar. Kjo deklaratë e përbashkët nga 30 vendet anëtare të NATO-s u bë pas një konference konferencë urgjente të ministrave të jashtëm për të diskutuar përpjekjet e evakuimit dhe hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë.
Diskutime rreth kësaj post