Sekretari i Shtetit Anthony Blinken ka diskutuar sot me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky para takimit virtual të presidentit Joe Biden me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha për media se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe se Aleanca duhet të mbetet e hapur për kandidatët sapo ata të jenë gati. Ukraina, një ish-republikë sovjetike, po kërkon t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Ne kemi rënë dakord për veprim të përbashkët dhe të koordinuar. Ne u jemi mirënjohës partnerëve strategjikë amerikanë për mbështetjen e vazhdueshme për sovranitetin dhe integritetin tonë territorial. Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, shkroi Zelensky në Twitter. Ukraina shënon të hënën 30-vjetorin e themelimit të një ushtrie të pavarur, pasi shpalli pavarësinë nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Me këtë rast, Kievi, Lviv dhe Odessa do të prezantojnë para publikut automjetet ushtarake amerikane Humvee. Një dorëzim ceremonial i anijeve patrulluese të Rojës Bregdetare të SHBA-ve të dorëzuara së fundmi do të mbahet në Odessa, gjë që do të forcojë kapacitetet e marinës ukrainase. Ukraina ka akuzuar Rusinë për grumbullimin e dhjetëra-mijëra trupave përgjatë kufirit në përgatitje për një ofensivë të mundshme ushtarake në shkallë të gjerë.
Rusia ka hedhur poshtë akuzat për një sulm të mundshëm ndaj Ukrainës, por i ka thënë Perëndimit të mos kalojë “vijën e kuqe” dhe të ndalojë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes. Në një bisedë virtuale mes Bidenit dhe Putinit të paralajmëruar për nesër, presidenti amerikan pritet të paralajmërojë Rusinë për pasojat e rënda ekonomike nëse Rusia nis një pushtim të Ukrainës.
Diskutime rreth kësaj post