Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Tel Aviv tha se vendi i tij do të vazhdojë të jetë pranë dhe të solidarizohet me Izraelin, transmeton Anadolu.
Në kuadër të vizitës së tij në kryeqytetin Tel Aviv të Izraelit, Blinken u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog.
Sipas një deklarate me shkrim të zyrës së kryeministrit izraelit, Blinken, i cili fillimisht u takua me Netanyahun kokë më kokë, më pas pati takim me “kabinetin e luftës” të Izraelit.
Siç transmetohet, Netanyahu i ka treguar Blinkenit një video rreth sulmeve të Hamasit.
Ndërkaq, Blinken dhe Herzog u prononcuan për gazetarët para takimit të tyre.
Herzog pretendoi se Izraeli ka respektuar ligjin ndërkombëtar dhe humanitar në sulmet e tij në Gaza.
“Ne shpërndamë broshurat që shihni në dorën time për popullin e Gazës. Kemi dërguar gjashtë milionë mesazhe me tekst dhe kemi bërë katër milionë telefonata. Në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, kemi informuar popullin e Gazës (për sulmet e Izraelit) paraprakisht. Këtë e bëmë edhe në kampin Jabalia”, tha ai.
Herzog tha se sulmet e tyre në Gaza po i kryejnë në kuadrin e të drejtës së “vetëmbrojtjes” dhe pretendoi se kanë bërë çmos për të mbrojtur civilët.
Blinken mesazh mbështetës për Izraelin
Ndërkaq, kryediplomati amerikan Blinken deklaroi: “Këto janë ditë të vështira. Ne jemi këtu si gjithmonë dhe ne do ta vazhdojmë solidaritetin tonë me Izraelin. Vazhdon qëndrimi ynë se Izraeli jo vetëm që ka të drejtë të mbrojë veten, por edhe është e detyruar për ta bërë një gjë të tillë. Izraeli ka të drejtë të bëjë gjithçka për të parandaluar që 7 tetori të përsëritet”.
Duke theksuar se mbrojtja e civilëve është gjithashtu e rëndësishme në veprimet e Izraelit, Blinken deklaroi se vazhdojnë të jenë të vendosur për të luftuar Hamasin.
Blinken tha se do të vazhdojnë të punojnë me vendosmëri për lirimin e të burgosurve të mbajtur nga Hamasi.
Diskutime rreth kësaj post