Gazetari Leonard Mitro ka kometuar situatën politike të nxehtë në vend. Në lidhje me dosjen hetimore ndaj Ahmetajt thotë se ka shumë paradokse, pikëpyetje, dritëhije lidhur me të ashtuquajturën çështje e inceneratorëve.
Ai deklaroi se po përligjet e gjithë akuza se çfarë u bë me Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon ishte vetëm maja e ajsbergut dhe me sa duket çështja e inceneratorëve është më e thellë se kaq dhe ka shumë persona të implikuar.
Mitro shtoi se një ditë më parë mazhoranca rrëzoi një kërkesë për mocion me debat me Kryeministrin, duke nënvizuar se nga këtu mund të kuptohet se Kryeministri dhe vetë mazhoranca po i shmanget një ballafaqimi të drejtpërdrejtë me një prej çështjeve më të mëdha që ka prekur qeverinë socialiste në tre mandatet e saj.
Sipas tij, logjika do e kërkonte që të ishte vetë mazhoranca që të kërkonte interpelancë me Kryeministrin.
“Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u arratis dhe askush nuk i kërkon ish-numrit 2 të qeverisë që të vijë dhe të përballet me drejtësinë. Pse? Nuk besojnë te drejtësia?
E udhës do ishte që Partia Socialiste me grupin e vetë parlamentar ta thërriste Kryeministrin në një debat të brendshëm, se u bënë disa skandale.
Kryeministri gjithmonë ka zgjedhur që t’i zgjidhë të gjitha çështjet që bëjnë pis qeverinë dhe atë personalisht me monologje.
U paralajmërua në një farë mënyre se mazhoranca nuk do pranonte mocion me debat me Kryeministrin në sallën e parlamentit.
Vetë Kryeministri doli në një monolog për të thënë dhe në këtë rast se përgjegjësia është individuale.
Ka qenë vetë Kryeministri që ka thënë se qeveria qeveris me forcën e shembullit, për korrupsionin në nivele të larta.
Kush është forca e shembullit në këtë rast, ikja e ish-zëvendëskryeministrit nga vendi?
Apo forca e kartonit të mazhorancës të përqendruar në retorikën e monologut të Kryeministrit të vendit, për të mos pranuar një llogaridhënie apo mocion me debat.
Se sa do i përqendruar të jetë hetimi te një person konkret si zëvendëskryeministri, ka një sërë hetimesh të tjera që implikojnë një rrjet zyrtarësh të përfshirë te 17-të VKM e famshme të miratuara në një ditë”.
Mitro tha se Partia Socialiste është nga ato parti që ka bërë transfuzion të elitave, ka qarkulluar njerëz të rinj, por edhe pse ka bërë këtë lloj rinovimi të forumeve dhe njerëzve, prapë se prapë ka ngelur te filozofia e një partie që fut në politikë në radhët e saj njerëz që nuk dalin nga rreshti,
Në këtë drejtim shtoi se këta individë, synimin kryesor të futjes në politikë kanë shpërblimin me post të tyre, apo familjarëve të tyre dhe mënyra se si ka funksionuar në tre mandate e ka treguar.
“PS përtej idesë përtej të majtës dhe djathtës dhe ndryshimeve propagandistike të imazhit, është shndërruar në parti të njëshit, të unit.
Dhe nga pikëpamja demokratike është kthyer në një parti të dëmshme për shoqërinë.
Me sa duket ka një konsensus të një rrethi të gjerë të shoqërisë që ta shikojë suksesin në këtë lloj modeli të të bërit politikë dhe të pasuruarit në këtë formë.”
Ai tha se deri më tani nuk është ngritur asnjë zyrtar i Partisë Socialiste dhe të kërkojë analizë apo të bëjë pikëpyetje se çfarë po ndodh me ta.
Ndër të tjera Mitro deklaroi se përtej talentit politik të Arben Ahmetaj apo njerëzve të ngjashëm me të që janë treguar të shkathët për të arritur deri në paradhomën e Kryeministrit, nga dosja hetimore gjendet dhe emra të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë aferë, ku zyrtarisht deri më tani përmendet në dosje emri i Damian Gjiknurit.
Diskutime rreth kësaj post