Me e keqja për Bashkimin Evropian do të ishte një Brexit dhe aderimi i Turqisë, vlerësoi sot ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i cili kërkoi një traktat të ri ku Franca të jetë iniciatore që në verën e vitit 2017.
“Me e keqja është një Brexit dhe aderimi i Turqisë, do të kemi bërë një gabim të madh!”, deklaroi Sarkozy në një intervistë për të përditshmen “Le Monde”.
“Por me Brexit ose jo, nevojitet, në të gjitha rastet, një rithemelim i thellë i projektit evropian dhe kjo duhet të kalojë nga një traktat ku Franca të jetë iniciatore, që në verën e vitit 2017”, theksoi ish-presidenti, kandidat në primaret e opozitës së djathtë për presidencialet e vitit 2017 në Francë.
“Çështja mbi qëndrimin e Britanisë së Madhe në bllokun e 28 vendeve të BE-së do të votohet në referendumin e 23 qershorit. Debati mbi Brexit është një oportunitet për të rithemeluar Evropën”, vlerësoi Sarkozy.
“Të mendosh se Turqia mund të menaxhojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të zgjidhë problemet e saj është një gabim. A mund t’i besojë Evropa një pushteti turk, që evoluon gjithnjë e më shumë drejt një regjimi autoritar?” tha ai duke e gjykuar si të papërgjegjshme heqjen e vizave në klimën aktuale të sigurisë dhe të pakuptueshme rihapjen e negociatave për aderim me evoluimin e pushtetit turk mbi liritë publike.
Sarkozy shprehu gjithashtu nevojën për krijimin e një “euro- Schengen, pra një qeveri e Schengen e përbërë nga ministrat e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare, me një president të qëndrueshëm, që ka autoritet mbi Frontex”.
Sarkozy foli gjithashtu për “miratimin paraprak të një politike imigracioni të përbashkët, me një harmonizim të ndihmës sociale që i jepet azilkërkuesve, për të evituar turizmin social. Përveç azil kërkuesve, çdo person tjetër që hyn në BE nuk mund të përfitojë nga ndihamt sociale të paktën për pesë vite, sipas asaj që bëjnë britanikët dhe që po përpiqen ta bëjnë dhe gjermanët”.
Diskutime rreth kësaj post