Rasti skandaloz i një 60-vjeçari i cili humbi jetën nga një kancer në mushkëri, pak javë pasi spitali i Sanatoriumit e nxori shëndoshë e mirë është publikuar sot në emisionin ‘BOOM’ në RTV Ora News.
Vajza e të ndjerit denoncoi përmes dokumentave se spitali më i specializuar për mushkritë në vend, nuk e kishte diagnostikuar babain e saj edhe pse kanceri kishte qenë i një stadi të zhvilluar.
Mungesa e diagnozës, për rrjedhojë edhe e mjekimit bënë që sëmundja të agravonte më shpejt dhe kanceri të zbulohej një muaj më pas në një spital privat.
Familjarët e të ndjerit fajësojnë spitalin e Sanatoriumit për mosdiagnostikimin me kancer të të afërmit të tyre, për mosvendosjen e diagnozës përmes biopsisë si dhe për mungesën e fillimit të trajtimit me mjekim.
Përmes dokumentave ata kanë rrëfyer se biopsia e realizuar në Sanatorium kishte hedhur poshtë dyshimin për kancer të ngritur më herët nga skaneri i bërë në po të njëjtin spital.
Nxjerrja e të sëmurit nga spitali pa diagnozë, ka bërë që sëmundja e tij të agravonte më shpejt në mungesë edhe të trajtimit.
Një muaj më pas në alarm nga dhimbjet e të sëmurit, familjarët i janë drejtuar një spitali privat, i cili përmes një tjetër biopsie ka zbuluar se pacienti vuante nga kanceri i mushkërive, në stadin më të zhvilluar.
Në ballafaqimin mes familjarëvë, mjekut që ka ndjekur rastin dhe shefit të shërbimit, ky i fundit e quan gafë të pafalshme faktin që mjeku ka thënë se pacienti nuk ka asgjë.
Ai pranon që biopsia që është bërë në spitalin privat duhej bërë në Sanatorium dhe deklaron se me këtë rast nuk është vepruar sipas protokollit.
Nga ana tjetër mjeku Ilirjan Mino thotë se është gëzuar nga përgjigjia e biopsisë dhe se për çdo problem i ka dhënë pacientit numrin e telefonit.
Pas vonesës një mujore të shkaktuar nga spitali Sanatorium dhe procedurave të pritjes së biopsisë së dytë në spitalin privat, Spitali Onkologjik që duhet të jepte trajtimin vonoi dhe 10 ditë të tjera në marrjen e radioterapisë me pretendimin se ka planifikim.
Drama bëhet edhe më e rëndë kur mjekja që ndiqte rastin në spitalin Onkologjik i lëshon vajzës së të ndjerit pas vdekjes së tij një dokument në të cilin shkruan se pasi ka parë pacientin ka konstatuar se gjendja e tij është 50 përqind më e përmirësuar nga radioterapia.
Disa ditë pas vdekjes së 60-vjeçarit, Ministri i Shëndetësisë së asaj kohe Ilir Beqaj, i dërgon mesazh të ndjerit duke e pyetur a ka ngelur i kënaqur nga shërbimi i marrë në Spitalin Onkologjik.
Gazetarët e “BOOM” kanë pyetur ish-Ministrin Beqaj në lidhje me këtë mesazh dhe arsyet se përse kjo ankesë nuk është marrë parasysh, ndërsa përgjigja e tij është:
“Po në rast se personi ka vdekur s`kemi ça përmirësojmë në atë shërbim.”
Ndërkohë në Shqipëri që nga viti 2010 ekziston Karta Shqiptare e të Drejtave të Pacientëve e cila në pikën 11 thotë “Çdo pacient ka të drejtën për të evituar sa më shumë që është e mundur, vuajtjen dhe dhimbjen, në çdo fazë të sëmundjes së tij.Çdo pacient ka të drejtën për kujdes human deri në fund dhe të vdesë me dinjitet.
Diskutime rreth kësaj post