Ndryshimet klimatike dhe pandemia e Covid janë temat që do të kryesojnë agjendën e liderëve botërorë që janë mbledhur në Itali për samitin e G20-ës. Kjo është hera e parë që liderët e G20 takohen ballë për ballë që kur bota u përball me pandeminë e koronavirusit.
Megjithatë, Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe ai i Rusisë Vladimir Putin nuk do të jenë në Romë për samitin, pasi kanë zgjedhur të jenë “online” në takim, i cili vjen mes paralajmërimeve gjithnjë e më të frikshme për të ardhmen nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të ulur emetimet në atmosferë.
Duke folur përpara samitit dy-ditor, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson sugjeroi se nëse do dështojnë për të marrë masa konkrete do të rezultonte në kthimin e “qytetërimit tonë” pas, duke i çuar “gjeneratat e ardhshme në një jetë që është shumë më pak të këndshme nga e jona tani”.
Megjithatë, ai pranoi se as takimi i G20, as samiti i ardhshëm COP26 në Glasgow, i cili fillon të hënën, nuk do të ndalojnë ngrohjen globale, duke thënë se “më së shumti që mund të shpresojmë të bëjmë është të ngadalësojmë rritjen e emetimeve”.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, një draft- komunikatë flet për një premtim nga G20 që do të punohet drejt kufizimit të rritjes së temperaturave me 1.5 gradë Celcius, por nuk do të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme./BBC
Diskutime rreth kësaj post