Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, zhvilloi një inspektim të fundit mbi ecurinë e punimeve në shkollën “Sami Frashëri”, për të cilën tha se është qershia mbi tortë e projektit për ndërtimin e mbi 40 shkollave në Tiranë.
“Do jetë shkolla më e madhe dhe më e bukur në Republikën e Shqipërisë. “Sami Frashëri” u dëmtua nga tërmeti dhe fatkeqësisht u politizua. U them kolegëve të mi në anën tjetër të politikës: Mos vini bast kundër progresit, mos vini bast kundër së ardhmes, sepse është bast i humbur! Kush kacavirret për të bllokuar njëherë këndin e lojërave, pastaj një shkollë, e mandej një shesh, Pazarin, Kalanë e Liqenin, është i destinuar të humbë sepse qyteti është i destinuar të fitojë. Kjo shkollë ka prodhuar gjysmën e qeverisë sonë, por ka prodhuar edhe më shumë se gjysmën e opozitës sonë. Të zihemi për shkolla në vitin 2022, duke bllokuar punët publike, është një stil i vjetër i shëmtuar”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se nuk është aspak e hijshme të bllokohen punët e mira dhe cilësore. “Të zihemi për shkolla në vitin 2022 është stili që mbajmë mend nga “Samiu” i viteve ‘96-’97-’98. Por, ajo ishte një Shqipëri tjetër, e cila jetonte me krizën e piramidave. Këtë s’mund ta themi në vitin 2022. Vetëm kjo shkollë ka një kontribut të jashtëzakonshëm për emancipimin e vendit, përfshirë të gjithë krahët e politikës. Ndaj, është shumë e rëndësishme të ecim përpara, të sigurohemi që brezi i ri mëson nga gabimet e brezit tonë dhe brezit më përpara, për të mos penguar njëri-tjetrin dhe për të mos penguar progresin e qytetit dhe vendit tonë”, nënvizoi ai.
Kreu i Bashkisë tha se kjo do të jetë shkolla e së ardhmes, me kapacitet të shtuar, e që do i rrisë akoma më tepër vlerën zonës përreth.
Veliaj tha se maturantët e gjimnazit “Sami Frashëri”, do të zhvillojnë ceremoninë e diplomimit në mjediset e e reja të shkollës së transformuar.
“Ne kemi vendosur një standard për shkollat e së ardhmes. Një apartament shitet më shtrenjtë dhe më shpejt kur ka afër diçka të bukur, sidomos kur ajo është shkollë. Lajmi i mirë për të gjithë maturantët që diplomohen këtë vit, të cilët janë brezi i tërmetit dhe i pandemisë, që mësimin e kanë kryer në shkolla të tjera, është se mund ta bëjnë festën e diplomimit te palestra e re gjigante e ‘Sami Frashërit’. Ndërsa, ceremoninë e përurimit do ta kemi në shtator, kur të hapet viti i ri arsimor”, përfundoi Veliaj
Diskutime rreth kësaj post