Gjatë një konference me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita nuk do të pranojë kurrë që kryetarin t’ia përcaktojë Edi Rama.
Berisha deklaroi se aktualisht vendi ndodhet nën diktaturë e Ramës dhe nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Domethënë ti më pyet ti mua, a do pranojë Sali Berisha t’i caktojë Edi Rama kryeministrin dhe kryetarin e PD? Kurrë, kurrë! Sali Berisha nuk e pranoi këtë kur synoi administrata që po largohet nga pushteti në SHBA, dhe do e pranojë nga Edi Rama. Beteja ime është për sovranitetin e këtij vendi dhe jo 20 apo 30, po 150 po të firmosin, nuk do mund t’i caktojnë opozitës kurrë kryetarin.
Si u ktheva unë? Kur e pashë se kryetarin e kishin futur në xhep. Ju kujtohen besoj apo jo se si dilte Lulzim Basha dhe thoshte që nën ndikimin e fortë të ambasadores amerikane mora këtë qëndrim. Dhe pastaj thoshte se nëse Berisha nuk tërhiqet, do ketë pasoja të tmerrshme për veten, për fëmijët, për vendin.
Pra, dështuan këto përpjekje. Dhe do dështojë çdo përpjekje. Nuk është çështje zgjedhjesh këtu se ajo është një farsë. Kjo është një diktaturë. Lexoni rezolutën e 109 partive të qendrës së djathtë, ku shkruhet e zeza mbi të bardhë se Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë dhe se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët.
Mundësisht i përsërisni këto për hir të shqiptarëve. Unë e kuptoj se mediat kombëtare i kanë të ndaluara, mediat kombëtare nuk japin asnjë lajm për këtë rezolutë, nuk japin asnjë lajm negativ për kreun e narkoshtetit sepse ushqehen si shushunja me pasuritë publike të shqiptarëve. Por ju të tjerat të paktën kompensoni ato duke ua thënë të vërtetat shqiptarëve,.
Është diktaturë, është narkodiktaturë dhe nuk bëhet fjalë për zgjedhje në narkodiktaturë, bëhet fjalë për farsë elektorale. Besoj se tani ishte shterruese përgjigjja ime”, u shpreh Berisha.
Diskutime rreth kësaj post