“Për PD-në, marrëveshja e djeshme surprizë, e firmosur në Romë nga kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri Edi Rama, pas një përgatitje sekrete, është e dëmshme dhe e papranueshme”, kështu deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një konference për mediet ditën e sotme.
Ai theksoi se Italia është një vend mik i Shqipërisë, por marrëveshja është e papranueshme për disa arsye.
Berisha: Marrëveshja nxit një valë ksenofobie dhe kjo dëmton rëndë moralin dhe virtytin e mikpritjes të kombit shqiptar. Marrëveshja bie në kundërshtimi të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut për të drejtat e Njeriut. Shqipëria ka historinë e saj të shkuar të zezë diktatoriale në raport me të drejtat e njeriut.
Por Shqipëria sot në narkoregjimin e Edi Ramës, është vendi i përqendrimit të mbi 90 përqind të pushtetit në duart e një njeriu, është vendi i mohimit të hapur i të drejtave kushtuese të qytetarëve dhe deputetëve të saj, është vendi i proceseve dhe burgosjeve politike.
Sipas Berishës, vendosja e kampeve të refugjatëve në Shqipëri, ku shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin, përbën rrezik serioz real për vendin.
Berisha: PD informon me përgjegjësi të plotë partnerët dhe miqtë tanë italianë, se firmosja e kësaj marrëveshje nga Edi Rama është bërë vetëm në shërbim të pushtetit të tij të degraduar përfundimisht.
Berisha hedh akuza ndaj Ramës dhe thotë se kryeministri është i aftë të firmosë gjithçka në mënyrë që të fitojë mbështetje, pasi është nën hetim ndërkombëtar lidhur me çështjen McGonigal.
PD, tha Berisha, nuk do të pranojë një marrëveshje që vjen në shkelje të hapur të Kushtetutës së vendit, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ligjeve ndërkombëtare të refugjatëve dhe marrëveshjes bilaterale shqiptaro-italiane për refugjatët.
Diskutime rreth kësaj post