Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar t’i dërgojë mesazhe kryedemokratit Lulzim Basha dhe amerikanëve se ai gëzon mbështetje të gjerë në Partinë Demokratike. Që pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Berisha poston vazhdimisht fotografi ose video të vjetra duke përçuar mesazhe kërcënuese. Ditën e djeshme ai ka postuar një video në profilin e tij nga 100-vjetori i Pavarësisë së vendit ku shfaqet në një turmë të madhe njerëzish. Duket qartë se Berisha po i dërgon mesazh kryedemokratit Basha dhe po frymëzon turmat. Por nga ana tjetër ish-kryeministri ka shtuar sulmet edhe ndaj amerikanëve.
Dje një portal pranë familjes së tij, ka dalë në një reagim të ashpër pas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit se Blinken ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për pritjen që do t’u bëhet afganëve. Sipas këtij portali Blinken nuk duhet të falënderonte vetëm Ramën, por edhe opozitën e Berishën duke i përmendur kështu paktin për marrjen e muxhahedinëve.
“Por teksa falënderonte në bisedën telefonike dhe në rrjetet sociale me emër të përveçëm kryeministrin Edi Rama, sekretari amerikan i shtetit la mënjanë falënderimin për popullin shqiptar, apo opozitën që edhe në këtë rast ashtu edhe si në të shkuarën, apo kur ka qenë në pushtet i ka thënë “po” çdo kërkese të ngjashme të aleatëve amerikanë. Falënderimi i munguar i z. Blinken nuk lidhet vetëm me “po-në” e menjëhershme të opozitës për këtë rast që përfaqëson gati gjysmën e popullit shqiptar. Kujtojmë këtu që ishte opozita aktuale shqiptare që u hapi derën muxhahedinëve iranianë dhe e bëri Shqipërinë për herë të parë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, portë hyrëse për operacione të tilla delikate”, thuhet në editorial.
Kujtojmë se nuk është kjo hera e parë që Berisha shfrytëzon çdo mundësi por të sulmuar amerikanët. Madje pak ditë më parë Berisha postoi një video si një mesazh për SHBA-në se nuk tërhiqet para asgjëje pasi ai është Sali Berisha.
“Jam Sali Berisha o budallenj, nuk tërhiqem unë, e dini si më dukeni mua, plehra më dukeni, se të tillë jeni, para interesit kombëtar nuk njoh askënd tjetër, s’njoh asgjë unë”, ka deklaruar Berisha nga foltorja e Kuvendit më herët.
Po ashtu ai ka sulmuar edhe ambasadoren Yuri Kim pas deklaratave të saj se populli nuk duhet të hajë bar. Berisha tha se pasi Kim lavdëroi një masakër zgjedhore nuk mund të vendosë kush do të hyjë në Parlament.
“Ambasadorja Kim është unike në botë. Pasi ka lavdëruar një masakër zgjedhore kërkon tani t’i diktojë këtij vendi se kush duhet dhe kush nuk duhet të futet në Parlament. Ajo qëndrimin e saj e lidhi me dogmën e barit jo rastësisht. Diktati dhe bari janë binom i paparë. Shqiptarët e dinë mirë që në diktaturë kur njerëzit për dramën e tyre i kishin deleguar Hoxhës kanë ngrënë bar dhe kanë vdekur nga bari. Unë po bëj gjithçka që shqiptarët të mos hanë bar”, ka thënë ai.
Diskutime rreth kësaj post