Specialist i Shëndetit Publik dhe pedagog në Universitetin e Mjekësisë, Indrit Seferi foli rreth fazave tranzitore të COVID-19 dhe menaxhimit të riskut që mund të vijë si pasojë e një vale të dytë infektimesh.
Ai theksoi faktin se faza e re e hapjes graduale të shoqërisë, me rihapjen e aktivitetit të disa bizneseve, do ta shtonte riskun që infektimet, të cilat deri tani në vendin tonë kanë qenë kryesisht kontakte familjare, të zgjerohen në një rreth më të gjerë.
“Duhet treguar kujdes nga të gjitha hallkat e shoqërisë, me në krye qeverinë në bazë të instruksioneve të shëndetësisë, duke gërshetuar të gjitha hallkat, qoftë aspektin ekonomike edhe atë social.
Çështja është se risku ekziston gjithmonë. Ekzistojnë disa faktorë, që nga menaxhimi i institucioneve publike, tek autoritetet shëndetësore. Sa cilësor do të jetë bashkëpunimi i popullatës për të ndjekur rigorozisht distancimin social dhe masat higjienike.
Gjithashtu në kushtet e hapjes graduale do të varet se sa këto biznese do të kenë mundësi që t’i përshtaten ndryshimet që të kemi një infektim gradual apo të minimizohet. Kjo është ajo me të cilën jemi duke u përballuar. Janë shumë aktorë, vetëm puna e Ministrisë së Shëndetësisë nuk do të ketë sukses pa një bashkëpunim qytetar”, tha ai për Euro News.
Diskutime rreth kësaj post