Kreu i Drejtorisë kryesore të Agjencisë së Inteligjencës të Ukrainës (GUR) ka thënë se trupat ruse nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë pushtimin e tyre të plotë për më shumë se një vit, duke shtuar se forcat e Moskës kanë “dështuar mjerueshëm” në nivelin strategjik.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gjeneral-lejtnant Kyrylo Budanov tha në një samit në Kiev të shtunën se pushtimi i Rusisë “nuk funksionoi për mirë” për Kremlinin, duke i lënë forcat e armatosura dhe ekonominë e vendit shumë të dëmtuara.
Madje, Budanov – i cili është bërë i njohur për operacionet e tij psikologjike kundër Rusisë – sugjeroi se lufta mund të përfundojë me fitoren e Ukrainës përpara fundit të vitit 2024.
“… Unë nuk ndajë mendimin se kjo do të jetë një luftë afatgjatë”, vazhdoi ai. “Ky është qëndrimi im personal, i cili bazohet në analizimin e të dhënave që posedojmë…në lidhje me armiqtë tanë. Fizikisht ata nuk mund të rezistojnë për një kohë të gjatë”.
“Nëse po flisni për gjysmë viti, shtatë muaj, deri në një vit, dhe mendoni se kjo është e gjatë dhe afatgjatë, atëherë patjetër që keni të drejtë”.
Budanov tha në ngjarjen të shtunën se lëvizja juglindore është vetëm një aks i operacioneve më të gjera kundërofensive të Ukrainës, duke shtuar: “Ne ende po ecim përpara pak, ngadalë por me siguri”.
Pavarësisht kësaj, Budanov paraqiti një pamje të zymtë të perspektivës ruse, siç pritej nga shefi i spiunazhit ukrainas.
“Gjendja e regjimit në Federatën Ruse tani është krejtësisht e ndryshme nga ajo që ishte para vitit 2022”, citohet të ketë thënë ai.
“Është bërë më e dobët, ekonomia e tyre po dështon dhe ky është një fakt…ata me të vërtetë kanë rënë në fuqinë e tyre ushtarake”.
Moska, tha ai, nuk duket më “aq e fortë sa supozohet të jetë”.
Veç këtyre, sulmet me dron brenda Rusisë, shtoi Budanov, po e shtyjnë shoqërinë ruse në “modalitet paniku”, duke përmendur ndërprerjet në aviacionin civil dhe raportet për një rritje të shitjeve të sigurimeve civile mes sulmeve të fundit të UAV-ve.
Zhvillime të tilla, tha ai janë “një shenjë e sigurt paniku”.
Diskutime rreth kësaj post