Rusia ka paralajmëruar mundësinë e një kundërpërgjigjeje ndaj veprimit të sotëm të Shqipërisë, në lidhje me unifikimin e vendimit për të dëbuar zyrtarë rusë nga shtetet e NATO-s.
Në një prononcim për Report tv, Zv.Ambasadori i Rusisë në Tiranë Dmitry Kazmin shpreh keqardhje për heqjen e dy diplomatëve rusë nga ana e qeverisë shqiptare, duke deklaruar se do të jetë koha ajo që do të vërtetojë se veprimi I palës shqiptare ka qenë i gabuar.
Madje Kazmin është shprehur se Rusia nuk e përjashton mundësinë e një kundërpërgjigjeje, një deklaratë kjo e cila në terma të gjuhës diplomatike mund të konsiderohet mjaft serioze.
“Lidhur me vendimin e autoriteteve shqipetare per largimin e dy diplomateve ruse, na duhet te shprehim keqardhjen per kete rast. Ky vendim bie ndesh me perpjekjet tona per permiresimin dhe intesifikimin e marredhenieve dypaleshe. Vendimi eshte i pabazuar dhe koha do ta tregoje kete. Ne kete situate nuk mund te perjashtohen edhe kundermasat nga pala ruse. Edhe njehere tjeter dua te shpreh keqardhjen per cka ndodhi. Veprimi i pales shqipetare i kundervihet frymes pozitive per marredhenie te mira midis dy vendeve.Pozitën zyrtare ju do të merrni në të ardhmen e afërt.”- shprehet zv.ambasadori rus.
Kjo e hënë ka qenë një ditë e ngarkuar politikisht pasi kujtojmë se pas vendimit të SHBA-ve e shumë shteteve të NATO-s për të larguar diplomatët rusë nga vendet e tyre respektive, të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Shqipëria. Shkak i kësaj lëvizje që ka përfshirë dhe shtete të mëdha si Amerika, Britania, Gjermani, Franca etj, është vdekja misterioze e ish agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia.
Vdekja sipas rezultatit të hetimeve ka ardhur për shkak të një agjenti kimik (nervor). Britania, aty dhe ku ka ndodhur vdekja e dy rusëve, akuzon vetë shtetin Rus si organizatorin e fshehur prapa këtij krimi.
Diskutime rreth kësaj post