Në prill, mijëra serbë dolën në rrugët e Beogradit në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës. Por në dallim nga tubimet që po mbaheshin në vendet fqinje evropiane, protestuesit në kryeqytetin serb tundnin portretin e presidentit rus Vladimir Putin, dhe i bënin thirrje qeverisë së tyre të mbështeste Moskën në luftën e saj të përshkallëzuar kundër Perëndimit.
Vetëm disa ditë përpara se tanket ruse të fillonin të hynin në Ukrainë, gazeta tabloide më e madhe në Serbi, “Informer”, hapi faqen e saj të parë me pretendimin se “Ukraina sulmoi Rusinë”, duke i paralajmëruar lexuesit se “amerikanët po e futin botën në kaos”.
Për shekuj me radhë, vendi ballkanik ka mbajtur lidhje të ngushta ekonomike, politike dhe sociale me Moskën dhe këto lidhje vetëm sa janë thelluar që kur SHBA dhe NATO ndërhynë kundër forcave nacionaliste serbe në vitin 1999, kur ato pushtuan Kosovën në mesin e procesit të shpërbërjes së ish-federatës jugosllave.
Madje Vladimir Putin e përmendi mbështetjen e Perëndimit për Kosovën, të cilën Moska refuzon ta njohë dhe Serbia e konsideron ende si territorin e saj, si një precedent për krijimin e shteteve separatiste në Donbasin ukrainas. Megjithatë, tani që lufta e Rusisë po e distancon Evropën prej saj, qeveria serbe është detyruar të bëjë një sërë zgjedhjesh të vështira, raporton albeu.com.
Pavarësisht zhurmës dhe konspiracioneve që vlojnë në vend, presidenti Aleksandar Vucic, ka hezituar që të përfshihet në konflikt, duke rrezikuar distancimin nga aleatët e tij në Kremlin, ose nga partnerët e tij më të mëdhenj tregtarë në Bashkimin Evropian.
Kur lajmet mbi krimet ruse të luftës bënë jehonë në mbarë botën, Beogradi iu bashkua në prill 91 vendeve të tjera në votim për ta përjashtuar Moskën nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, një lëvizje të cilën Vucic tha se ishte e detyruar për shkak të “kërcënimit për t’u përballur me sanksione dhe presione në rritje”.
Në fillim të këtij muaji, Vucic këmbënguli pas një takimi me zyrtarët e BE-së, se Serbia mbetet e vendosur kundër përpjekjeve për të izoluar Rusinë, por u zotua të mos i kundërshtojë hapur kufizimet ekonomike perëndimore.
“Përderisa mund të rezistojmë, pa i rrezikuar interesat tona më jetike dhe shtetërore, ne do ta bëjmë këtë. Kur kjo qasje nuk do të jetë më e mundur, do t’u drejtohemi njerëzve tanë, dhe do t’u tregojmë atyre arsyet se pse Serbia nuk mund t’i rezistojë më vendosjes së sanksioneve”- deklaroi Vucic.
Megjithatë, tani tensionet politike po rriten, dhe çështja e Kosovës po vjen sërish në qendër të diskutimeve midis Serbisë dhe Perëndimit. Për më shumë se një javë, serbët etnikë në veri të Kosovës, vend me 1.8 milionë banorë, kanë ngritur barrikada dhe janë përplasur fizikisht me fqinjët e tyre me shumicë shqiptare.
Trafiku është bllokuar, ka pasur jo pak shpërthime, dhe një patrullë e policisë kosovare u godit me armë zjarri, akt për të cilën vendasit thonë se është nxitur nga arrestimi i një ish-oficeri të policisë etnike serbe, i akuzuar për sulmin ndaj ish-kolegëve të tij.
Njëkohësisht, një organizatë nacionaliste serbe i ka urdhëruar anëtarët e saj të dalin dhe të bllokojnë kufirin me Kosovën, në shenjë mbështetjeje për bashkatdhetarët e tyre që jetojnë në anën tjetër të vijës së tensionuar të demarkacionit, duke kërcënuar se do të përballen me ushtarët e NATO-s të vendosur në rajon, raporton albeu.com.
Grupi i njohur si “Patrulla e Popullit”, besohet se ka lidhje me grupin famëkeq mercenar rus, Grupin Wagner, që aktualisht po rekruton të burgosur për t’u angazhuar në luftën e Putinit në Ukrainë. Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës kanë arritur kulmin disa herë këtë vit, me një sërë grindjesh në lidhje me njohjen reciproke të dokumenteve të udhëtimit dhe targave të makinave të lëshuara nën juridiksionin e njëra-tjetrës.
Bashkimi Evropian, që ka luajtur gjithnjë e më shumë rolin e paqe-bërësit në rajon, ka ndërmjetësuar negociatat midis 2 vendeve, dhe deri më tani është shmangur një konflikt serioz. Aktualisht, Brukseli, SHBA-ja dhe një numër organizatash ndërkombëtare po u bëjnë thirrje serbëve vendas që jetojnë në Kosovë që të heqin barrikadat dhe të ndihmojnë në shmangien e shpërthimit të ndonjë dhune me përmasa serioze.
Megjithatë Serbia po shfaqet gjithnjë e më kërkuese. Bazuar në kushtet e një rezolute të mëparshme të OKB-së, Vucic ka kërkuar nga NATO që t’i japë leje atij për të dërguar 1000 policë dhe personel ushtarak në veri të Kosovës, duke pretenduar se ata janë të nevojshëm atje për të mbrojtur serbët etnikë.
Është hera e parë që është kërkuar një ndërhyrje ushtarake serbe që nga lufta e vitit 1999. Edhe pse analistët thonë se ajo do të refuzohet me shpejtësi, lëvizja përfaqëson një përshkallëzim serioz të retorikës dhe e shton frikën për një konflikt të ri ushtarak.
Megjithatë për disa është e qartë se tensionet janë duke u ndezur që nga larg. “Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë ka të bëjë me lidhjet e Beogradit me Moskën. Ne nuk e dimë se si ato mund të bëhen operative në rastin e rritjes së tensioneve dhe përshkallëzimit të tyre në veri”- deklaroi këtë javë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi Kremlini ndërhyri në mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, duke këmbëngulur se do të “bënte gjithçka për të garantuar të gjitha të drejtat e serbëve”.
“Unë mendoj se shqetësimi i tyre kryesor është pikërisht ky: tani që Rusia u dëmtua rëndë në Ukrainë pas pushtimit dhe agresionit të saj, ajo ka interes ta përhapë luftën. Pra rusët janë të interesuar të transferojnë në Ballkan përpjekjet e tyre luftënxitëse, ku kanë një klient që është në Beograd”- shtoi ai, raporton albeu.com.
Në të njëjtën kohë, Kurti synoi që ta shfrytëzojë këtë kërcënim për të nxitur një integrim më të madh të Kosovës me Perëndimin, duke kërkuar që të ketë të njëjtën mirëseardhje që kanë pasur nga Brukseli vendet e tjera në kufijtë e sferës së ndikimit të Rusisë, siç është rasti i Moldavisë.
“Në Ukrainë po zhvillohet një luftë, ndaj le të parandalojmë përhapjen e saj. Anëtarësimi në BE do të ndihmonte shumë në këtë aspekt. Unë shoh një lloj gatishmërie në Bruksel për të menduar ndryshe në kushtet kur kontinenti ynë është në luftë”- theksoi ai.
Për momentin, po vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Por paralelisht po shtohet frika se një Vladimir Putin gjithnjë e më i dëshpëruar mund të përpiqet të hapë një front tjetër të luftës në Evropë, për ta përçarë akoma më shumë kontinentin.
Diskutime rreth kësaj post