Të gjitha kanalet e komunikimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë të ngrira, ka komunikuar këtë të mërkurë zyra e shtypit e Kremlinit.
“Thuajse çdo nivel dialogu me Shtetet e Bashkuara ka ngrirë. Ne nuk komunikojmë me njëri-tjetrin, edhe kur e bëjmë është në nivelet minimale”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Moska zyrtare, sipas agjencisë së lajmeve “RIA”, ka deklaruar gjithashtu se nuk pret që administrata e re amerikane të ndryshojë planin e zgjerimit të NATO-s brenda natës.
Deklaratat vijnë pas një seri akuzash publike të bëra nga figurat më të larta të politikës amerikane, përfshirë presidentin në ikje Barack Obama, pasi CIA dhe FBI-ja deklaruan se besonin se Rusia fshihej pas sulmeve informatike që çuan në humbjen e zgjedhjeve presidenciale nga Hillary Clinton.
Ditën e martë, senatori republikan John McCain deklaroi se përfshirja e Rusisë në sulmin e sistemeve amerikane gjatë zgjedhjeve kërcënon të “shkatërrojnë demokracinë”.
Senatori i Arizonës paralajmëroi se së shpejti mund të kemi një “shthurje të rendit botëror” dhe kritikoi “dështimin absolut të lidershipit amerikan” për të përmirësuar marrëdhëniet me Moskën.
Agjencia “RIA, që citon zëdhënësin Peskov, shton se ai nuk saktësoi nëse presidenti Vladimir Putin do të kërkojë të rizgjidhet në vitin 2018.
“Të gjithëve po na dhemb koka për shkak të punës së shumtë dhe projekteve dhe askush nuk e ka mendjen tek zgjedhjet”, tha Peskov.
Por njohës të politikës ruse presin që Putin të kandidojë sërish për presidencën.
Diskutime rreth kësaj post