Nga Shaqir Vukaj
Dikur, ne rininë time të hershme, në Shkodër tregohej një ngjarje për një bjellogardist (rus të bardhë) ish-kolonel i Ushtrisë Cariste e më vonë oficer i ushtrisë shqiptare deri në vitin 1939, me emrin Kuçuk Agai ( kështu thirrej ai atëherë, Agai e jo Ullagai, siç e kishte në të vërtetë mbiemrin).
Tregimi për të ishte i thjeshtë, por tepër kuptimplotë për një oficer që kishte dhënë fjalën për t’i qëndruar deri në fund betimit ushtarak…. dhe ishte kështu: Kur Italia Fashiste përgatitej të pushtonte Shqipërinë dhe Ahmet Zogu “përdridhej sa andej këndej”, herë duke premtuar “se do të vishte opingat e do të dilte në mal” e herë “duke iu lëpirë Duçes” (siç e përcaktonte një politikan bashkëkohës italian), edhe në Shkodër, si kudo në Shqipëri, kishte shumë njerëz që donin ta prisnin pushtuesin me pushkë. Në këto përgatitje dallohej në mënyrë të veçantë komandanti i grupimit të përzier ushtarak (trupat këmbësore, të artilerisë dhe ato xheniere) Kuçuk Agai, i cili, jo vetëm kishte përgatitur artilerinë për luftë, por kishte hapur llogore, kishte bërë planet e mbrojtjes, madje thuhej se për të penguar trupat italiane për pushtimin e Shkodrës, përgatitej të minonte urën e Bohçallëkut e masa të tjera. Megjithëse shihej qartë se populli ishte tradhtuar dhe Zogu po braktiste popullin e vendin e tij, Kuçuk Agai vazhdonte përgatitjet për qëndresë.
Në këtë situatë, pak ditë para pushtimit, kur ai ishte në kulmin e përgatitjeve, i shkuan në zyrë përfaqësuesit e parisë dhe të komuniteteve fetare të Shkodrës, pikërisht ata që pak ditë më vonë do të prisnin me lule pushtuesit italianë (në fotografitë e botuara dallohen shumë qartë cilët kanë qenë dhe Shkodra i ka njohur mirë) dhe i kërkojnë që ai të ndërpriste përgatitjet për luftë dhe të mos bënte asnjë lloj rezistence, sepse “Italia është e fuqi madhe, se me të nuk mund të luftohet, se kemi gra e fëmijë, se do na marrësh në qafë etj, etj”. Mbasi i kishte dëgjuar, ai u kishte thënë: “Paçi faqen e zezë, pjellë e keqe e këtij vendi, unë që kam ardhur prej stepave të Rusisë, jam gati me derdhë gjakun për këtë vend që më ka mbajtur me bukë tash pesëmbëdhjetë vjet, e ju që keni lindur e jeni rritur në Shkodër silleni kështu. Turpi ju mbuloftë për jetë të jetëve”. Siç thuhej, këto kishin qenë fjalët e fundit të tij dhe në atë moment ai kishte lënë zyrën dhe bashkë me familjen ishte larguar për në drejtim të panjohur. Disa thoshin se kishte shkuar në Jugosllavi, por për fatin e tij nuk dihej asgjë më shumë… . Megjithatë, siç thuhej, topat në Shkodër, në ndryshim me shumë vende tjera në Shqipëri, i kishin gjilpërat në vend, ashtu siç i kishte lënë gati për luftë Kuçuk Agai.
Me kohë ai u harrua, ndoshta edhe më shumë se kishte ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia me bjellogardistët e tjerë rusë, si mercenar për të sjellë Ahmet Zogun në pushtet, se kishte luftuar kundër komunistëve në Rusi, se ishte deklaruar hapur si antikomunist… . Megjithatë, kjo ngjarje më kishte mbetur në mend.
Kur njihesha me historinë
Vite më vonë, kur përpiqesha të mësoja më shumë për marrëdhëniet shqiptaro-ruse, ngulimet shqiptare në Rusi apo për komunitetin rus në Shqipëri, në botimet e materialeve arkivore të shoqatave ruse, jashtë e brenda Rusisë, në kujtimet e rusëve të bardhë apo bjellogardistëve që kishin luftuar jashtë Rusisë, ku bëhej fjalë për Shqipërinë apo dhe në botimet e viteve të fundit në Rusi, padashur hasa në emrin e Kuçuk Agait (tashmë me mbiemrin e vërtetë Ullagai). Por gjeta dhe disa materiale interesante për pjesëmarrjen e bjellogardistëve rusë në intervencionin e dhjetorit të vitit 1924 kundër Shqipërisë e sjelljen në pushtet të Ahmet Zogut, me paratë e Beogradit e bajonetat e topat e këtyre rusëve… .
Pikërisht, këto më kanë shtyrë të shkruaj edhe këto rreshta (ku do të flitet edhe për fatin e Kuçuk Ullagait, por më shumë për të shuar kureshtjen). Të gjitha materialet e këtij shkrimi janë të bazuara vetëm në burime ruse, ndërmjet të cilëve: Aleksandër Naumov, “Tragjedia e komunitetit rus në Shqipëri”; Juri Nersosov, “Në shërbim të masonëve dhe narkobaronëve” dhe me nëntitull “Në luftë për pushtetin e një dordoleci”; Sergej Ballmasov, “Si e përmbysën mercenarët rusë pushtetin në Shqipëri”, “Oficerët rusë në emigracion”, “Nga Shqipëria në Paraguaj”, “Kazakët në Shqipëri”; ”S.V.Vollkov”, “Tragjedia e oficerëve rusë”; L.P. Sukaçev, “Në Shqipëri”, kujtime; N.A Starodimov “Froni për mbretin e Shqipërisë”, etj.
Mbas Luftës Civile në Rusi fituan bolshevikët dhe Ushtritë Vullnetare (ose Ushtria e Bardhë, siç quhej ushtria që u krijua për të luftuar kundër Ushtrisë së Kuqe, e që u krijua kryesisht nga ish-oficerë e ushtarë të Ushtrisë Cariste) u larguan jashtë Rusisë. Pjesa e Ushtrisë së Bardhë e gjeneralit Vrangel u largua nga Rusia në nëntor të vitit 1920 (rreth 135 mijë vetë) dhe një pjesë e madhe e saj, mbi bazën e marrëveshjeve të tij me qeveritë e Beogradit dhe Sofjes u vendosën në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene (Jugosllavi siç u quajt mbas vitit 1928) dhe Bullgari. Por krahas atyre që kishin qenë pjesë e ushtrisë së Vrangelit, në Jugosllavi( kryesisht në Serbi) ishin grumbulluar edhe shumë rusë të tjerë, të ikur mbas Revolucionit Bolshevik të Tetorit.
Të braktisur, pa mjete jetese, pa punë të përhershme, oficerët rusë, ushtarë, kazakë (kështu quhet një grup sub-etnik i popullit rus, i cili që nga Mesjeta ka pasur një organizim të veçantë ushtarak, me detyrim e privilegje të posaçme, që në përbërjen e forcave ushtarake ruse, ka qenë shtylla e kavalerisë ruse) e çerkezve (kombësi e fesë myslimane e shpërndarë në shumë vende, kryesisht në Turqi mbi 5 milionë, etj. Në Rusi kanë luajtur një rol të veçantë në përbërje të trupave cariste. Sot në Rusi numërohen rreth 750 mijë vetë të kësaj kombësie), të udhëhequr prej këtyre oficerëve, u bënë mish për top, në lojërat ballkanike, jo vetëm nga udhëheqjet e këtyre vendeve, por në shumë raste edhe nga Fuqitë e Mëdha. I tillë ishte dhe fati i 108 bjellogardistëve (bjellogardistë quheshin të gjithë ata që kishin shërbyer në Ushtrinë e Bardhë në luftën kundër Ushtrisë së Kuqe në Luftën Civile në Rusi në vitet 1918-1920) që morën pjesë në “aventurën shqiptare”, që kryesisht për para (pra, mish për top) u përdorën si mercenarë për të plotësuar detyrën e vënë nga Beogradi për të sjellë në pushtet Ahmet Zogun.
Historia është trajtuar pak në letrat shqipe, por edhe në ato ruse. Sidoqoftë është një histori, jo vetëm për të shuar kureshtjen, por për të plotësuar sado pak me të dhëna nga burime ruse, këtë periudhë të historisë sonë.
Bjellogardistët në Jugosllavi
Me t’u vendosur në Jugosllavi, Beogradi rekrutoi mijëra bjellogardistë në Shërbimin Kufitar, krahas të tjerave, jo vetëm se ata ishin “mish i lirë” për Beogradin, por edhe se ata kishin përvojë të gjatë në luftë, mbasi shumë prej tyre kishin qenë pjesëmarrës në Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën Civile në Rusi. Siç dihet, në këtë periudhë, Mbretëria e porsakrijuar kishte probleme kufitare me fqinjët dhe shumë gjëra zgjidheshin me grykën e pushkës. Sipas vlerësimit të zyrtarëve të kësaj mbretërie të re, kufiri me Shqipërinë ishte “shumë i rrezikshëm”, madje “më i rrezikshmi” dhe, jo pa qëllim, një pjesë të tyre, Beogradi, i vendosi aty, për t’u përballur me shqiptarët. Duhet pasur parasysh se, në këtë periudhë marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave ishin tepër të tensionuara. Beogradi donte me çdo kusht të mbante të pushtuara tokat shqiptare të caktuara në Konferencën e Londrës, madje edhe mbas Luftës së Vlorës. Gjatë gjithë kësaj periudhe, situata në kufijtë veriorë dhe lindorë nuk ka qenë e qetë për asnjë moment, madje e mbushur me përplasje shqiptaro-jugosllave, ku mund të përmenden Lufta e Koplikut, kryengritja e Dibrës me në krye Elez Isufin e çlirimi i tokave shqiptare, turbullirat e shkaktuara në Mirditë e shpallja e “Republikës së Mirditës” (Pa e saktësuar me hollësi, disa bjellogardistë pranojnë se kanë marrë pjesë në lëvizjen e Gjon Marka Gjonit, i cili me rekomandimin e ndihmën e Beogradit në korrik të vitit 1921 shpalli “Republikën e Mirditës”. Meqë kjo nuk pati sukses, Gjon Marka Gjoni me forcat e tij sulmoi forcat qeveritare, ku kanë marrë pjesë edhe bjellogardistë rusë, të rekrutuar në Shërbimin Kufitar).
Sipas dokumenteve ruse, “bjellogardistët, që në fillim u përplasën me armë me shqiptarët; me kriminelë, kontrabandistë, kaçakë”, etj siç i quajnë ata, dhe shtojnë se “shqiptarët nuk kishin ndonjë simpati për rusët, për të mos thënë armiqësi, që trashëgohej që nga koha e luftërave ruso-turke, ku shqiptarët kishin luftuar në krah të turqve”. Sidoqoftë, pavarësisht se emigracioni rus dinte shumë pak për Shqipërinë, Beogradi ja arriti që nëpërmjet këtyre përplasjeve me pushkë në kufirin shqiptaro-jugosllav apo edhe brenda kufijve të Shqipërisë, të krijonte edhe ky emigracion opinion të keq për shqiptarët.
Pavarësisht se kalimthi, bjellogardistët, pjesëtarë të Shërbimit Kufitar jugosllav kanë shkruar se janë ndeshur dhe kanë luftuar kundër “kaçakëve shqiptarë”, siç quheshin në atë kohë kryengritësit shqiptarë të Kosovës ose mbrojtësit e tokave shqiptare brenda kufirit të udhëhequr nga Elez Isufi, etj., apo që luftonin për çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga jugosllavët. Madje, siç duan të thonë disa prej tyre, bjellogardistët janë ndeshur edhe me “komunistët shqiptarë” që në vitin 1921, pikërisht në periudhën e krijimit të “Republikës së Mirditës”……
Mbas fitores së Revolucionit të Qershorit dhe arratisjes së Ahmet Zogut me njerëzit e tij në Jugosllavi, Beogradi u angazhua në rrugë të ndryshme për krijimin e një force ushtarake për të kthyer Zogun në Tiranë nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake. Krahas punës që bënte vet Zogu dhe sidomos dhëndri i tij Ceno bej Kryeziu (i zbuluar më vonë nga vet Zogu se ai ishte agjent i vjetër i Beogradit dhe i vrarë në Pragë në vitin 1927, në rrethana të pasqaruara asnjëherë) për grumbullimin e mercenarëve e organizmin e tyre, Shërbimi Sekret Jugosllav u angazhua për mobilizimin e bjellogardistëve që endeshin nëpër Beograd e qytete tjera të Jugosllavisë
Ky Shërbim (Shërbim i vjetër serb, që siç shkruajnë autorë rusë, nga viti 1900 e deri në vitin 1940 qëndronte mbi çdo qeveri dhe i kontrollonte ato) i përgatiti Zogut rekrutimin e bjellogardistëve për këtë ndërmarrje ushtarake kundrejt pagesave të majme për secilin pjesëmarrës (siç thotë një pjesëmarrës, me napolona flori dhe jo me pare letre). Por kushti i Beogradit ishte që, në krye të këtyre trupave të ishte një oficer serb. Dhe oficeri “serb” u gjet, ish-koloneli i Ushtrisë Cariste e më vonë i asaj të Bardhë, bjellogardisti rus Mikllashevski, i cili tani shërbente me të njëjtën gradë në ushtrinë jugosllave, madje në Shtabin e Përgjithshëm. Rekrutimi i tij në ushtrinë jugosllave shpjegohej nga rusët e serbët kështu; gjatë Luftës së Parë Botërore, për trimërinë e treguar në një betejë, ai ishte dekoruar nga serbët me Yllin Karagjorgjeviç, që ishte dekorata më e lartë e Serbisë. Kur ai u vendos në Jugosllavi me ushtarakë të tjerë të ushtrisë së Vrangelit, në saj të kësaj dekorate, atij ju njoh e drejta e gradës që kishte pasur në Ushtrinë Cariste, dhe u pranua në Ushtrinë Jugosllave me këtë gradë, kolonel.
Mikllashevski u zgjodh nga Shërbimi Sekret Jugosllav, jo vetëm se ai kishte dhënë prova dhe po i shërbente me besnikëri Beogradit, por edhe sepse ai gëzonte autoritet në rradhët e bjellogardistëve që jetonin aty. Nisur nga këto, ky Shërbim i propozoi Mikllashevskit që të krijonte një njësi të posaçme ushtarake me mercenarë rusë, propozim që ai e pranoi menjëherë, sigurisht kundrejt një pagese të madhe.
Për këtë qellim, ky Shërbim organizoi një takim të posaçëm midis Mikllashevskit dhe Ahmet Zogut. Që në takimin e parë, Zogu i dha një shumë të madhe në napolona flori (kështu kanë pohuar disa bjellogardistë, por asnjë nuk e thotë shumën e saktë). Mbasi ranë dakord, Mikllashevski ju fut punës për rekrutimin e mercenarëve për të “luftuar të kuqtë e Tiranës”.
Kujtimet e Sukaçevit
Në kujtimet e tij (“Në Shqipëri”, botuar ne revistën “Vestnik Pervohodnika”, Nr.33 1964) L. Sukaçevi, një ndër pjesëmarrësit më aktivë në “aventurën shqiptare”, shkruan: “Unë takohesha herë pas here me Mikllashevskin, por asnjëherë nuk e kisha parë aq të gëzuar si atë ditë. Ai më shpjegoi se Ahmet bej Zogu, i cili në këtë periudhë ishte emigrant në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene, kishte vendosur të marshonte drejt Tiranës për të përmbysur qeverinë pro sovjetike të peshkopit ortodoks Fan Noli. Ai kishte vendosur të thërriste në ndihmë rusët e “bardhë”, duke i llogaritur, me të drejtë, ish-pjesëmarrësit e Ushtrisë Vullnetare si elementët më të përshtatshëm për të luftuar kundër “të kuqve të Tiranës”, të cilët, gjithnjë e më shumë po bëheshin arrogantë nën komandën e Krakoveckit, shefit të misionit sovjetik në Tiranë” . Një pjesë e mirë e bjellogardistëve që ishin aktivizuar në Shërbimin Kufitar, në këtë periudhë ishin çmobilizuar (në kuadrin e shkurtimeve që ishin bërë nga institucionet jugosllave) mbasi edhe në kufirin shqiptaro-jugosllav ishte vendosur një farë qetësie, dhe kufijtë e Shqipërisë ishin kthyer në ato të përcaktuara në vitin 1913. Shumë prej tyre endeshin pa punë, ose bënin punë të rëndomta. Siç shkruan L.Sukaçevi në kujtimet e tij, ai vetë kishte provuar lloj-lloj punësh derisa kishte përfunduar lulishtar në një spital të Beogradit… . Si ai kishte shumë ish-ushtarakë të tjerë, të cilët nuk kishin arritur të sistemoheshin as në Jugosllavi e as jashtë saj, prandaj e pritën me kënaqësi propozimin, sigurisht kundrejt një pagese të caktuar. Por krahas pagës, në radhët e tyre u bë një propagandë e shfrenuar për t’i bindur ata se do të shkojnë në Shqipëri për të “luftuar komunizmin”.
Sipas dokumenteve ruse, vëmendje e posaçme iu kushtua punës për t’i bindur ata, se lufta në Shqipëri do të jetë luftë “kundër komunistëve”, që ishin armiqtë më rrezikshëm të tyre, që i kishin “lenë pa atdhe, pa Rusinë e dashur”. Kështu ndërmjet tjerave, atyre u thuhej se “nëpërmjet intrigave të ndryshme, me ndihmën dhe paratë e komunisteve, në vitin 1924, Fan Noli zuri vendin e Ahmet Zogut që emigroi… . Me të marrë pushtetin, u fut në rrjedhën e politikës pro-sovjetike. Duke mos arritur të përqendronte pushtetin në duart e tij, ai u mor me agjitacion komunist në vendet fqinje….” dhe, ata që punonin për t’i bindur, përpiqeshin të preknin në pikën e dobët të tyre, tek lufta që duhej bërë kundër “të kuqve të Rusisë”. Ndërmjet tjerave atyre u thuhej se “Në Tiranë ndodhet misioni sovjetik, i kryesuar nga anëtari i Seksionit të jashtëm i GPU-së, Krakovecki. Ai ka shpallur zyrtarisht si qëllim të misionit të tij që të vendosë regjimin komunist në Tiranë dhe ta kthejë Tiranën në qendër të bolshevizmit në Ballkan. Ai planifikon që prej këndej të propagandojë dhe të punojë për “eksportin e revolucionit” në vendet fqinje”.
Në këto kushte u vendos të krijohej njësia ushtarake ruse. Është interesant fakti se, tentativa e parë e Mikllashevskit dështoi. Fillimisht, ai mendonte se më e mira do të ishte që të krijohej një njësi e përbërë nga njerëz që njiheshin me njëri-tjetrin, që kishin luftuar bashkë, etj. Nisur nga ky qëllim, ai zgjodhi një kolonel, ish-komandant i një reparti kazakësh. Që në takimin e parë, koloneli i premtoi se do të sillte 80 kazakë, ish-pjesëtarë të repartit të tij, dhe për këtë i kërkoi një paradhënie. Siç shkruan Sukaçevi, ai i dha 300 napolona flori. Por ai nuk u pa më dhe kur Mikllashevski priste kazakët, papritur i vjen një telegram nga një vend fqinj me Jugosllavinë, nënshkruar prej kolonelit, ku ai e falënderonte për “ndihmën financiare”…..
Mbas kësaj, Mikllashevski filloi të mblidhte kë të mundte, ku një ndihmë të madhe i dha Sukaçevi. “Të nesërmen, unë dhe Mikllashevski filluam të rekrutonim rusë nëpër rrugët e Beogradit dhe në darkë arritëm të grumbullojmë 108 vetë dhe pa probleme shkuam në Shkup”- shkruan në kujtimet tij Sukaçevi. Ndërmjet mercenarëve të rekrutuar, me të cilët u hartuan kontrata kundrejt një pagese të caktuar, ishin edhe ish-oficerë të tjerë të Ushtrisë Cariste, të cilët gëzonin autoritet në radhët e bjellogardistëve. Ndërmjet tyre ishte dhe kolonel, Kuçuk Ullagai, përfaqësues i çerkezëve, me prejardhje nga një fis i njohur çerkez që i kishte dhënë Rusisë ushtarake të niveleve të ndryshme e deri gjeneralë të njohur, e që solli me vete dhe disa çerkezë të tjerë.
Nga Shkupi, ata grupe-grupe, shkuan në Dibër, që ishte lënë si vend takimi. Në Dibër u bë dhe “transformimi” nga oficerë të Ushtrisë Cariste (madje Mikllashevski tani ishte edhe kolonel i Ushtrisë Jugosllave) në oficerë të ushtrisë shqiptare. Kështu komandanti, kolonel Milkllashevski, u bë major i ushtrisë shqiptare, zëvendësi i tij kolonel Berestovski u bë kapiten, shefi i shtabit kolonel Rusinov, u bë kapiten, kolonel Kuçuk Ullagai u bë kapiten, etj., që siç shkruan Sukaçevi për atë periudhë ishin grada mjaft të larta në Ushtrinë Shqiptare.
Zogu i dha një rëndësi të veçantë kësaj njësie, duke i besuar teknikën luftarake dhe pikërisht artilerinë (në këtë periudhë ai nuk kishte armatime të tilla në repartet e tjera). Lidhur me numrin e pjesëmarrësve të kësaj njësie, në dokumentet ruse, përmenden dy shifra, diku thuhet kanë qenë 108 vetë, diku 102, por në gjithë këto dokumente përmendet shifra 15 oficerë.
S.V.Vollkov në librin e tij “Tragjedia e oficerëve rusë” shkruan: “Oficerët rusë luajtën një rol vendimtar për fatet e Shqipërisë. Me 10 dhjetor 1924 në qytetin e Dibrës (Jugosllavi) nga husarët e Kievit u formua njësia ushtarake ruse e përbërë nga 108 (ose 102 vetë nga të cilët 15 oficerë) me komandant kolonel Mikllashevski, zv/komandant kolonel Berestovski, shef shtabi kolonel Rusinov, komandant baterie kolonel Borboviç, komandant i baterisë artiljere kolonel Ullagai, që më 17 dhjetor kaloi kufirin e Shqipërisë dhe më 24 dhjetor hyri në Tiranë me luftë dhe vendosi në pushtet Ahmet Zogun”.
Ballmasov shkruan se: “Zogu vendosi të sulmonte drejt kufirit të Shqipërisë, mbasi, natën e 16 dhjetorit u formua përfundimisht njësia ushtarake ruse”.
Diskutime rreth kësaj post