Kryeministri i vendit Edi Rama, ka inspektuar sot punimet në rrugën Dukaj-Sinanaj, që lidh Tepelenën me Vlorën, aty ku janë realizuar 75% e volumit të punimeve. Kreu i Qeverisë ishte i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deputetja Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Tepelenës Tërmet Peçi.
Rama njofton se në shtator të këtij viti rruga do të jetë gati në këtë aks të rëndësishëm për fermerët dhe bujtinat e zonës sa i takon zhvillimit të turizmit, por duket se nuk janë marrë masa sa i takon parametrave të rrugës.
Në këtë aks janë bërë kritika të shpeshta për ngushtësinë, por kryeministri u justifikua duke thënë se rrugët turistike s’duhet të jenë të gjera, sepse sipas tij, nuk ka shumë qarkullim që krijon trafik. Ai mori shembullin e Francës dhe Zvicrës, teksa tha se parametrat e rrugëve turistike janë të njëjta në të gjithë Europën.
Deklarata e Ramës:
“Ata që na ndjekin shpesh herë bien pre e idesë që rrugët turistike janë të ngushta, duhet të jenë më të gjëra, në fakt jo. Rrugët turistike nuk duhen të jenë më të gjëra, kanë parametrat e tyre në të gjithë Europën, që nga Zvicra deri në Francë dhe kudo pasi nuk kanë prezencë të trafikut, dhe mundësojnë lëvizjen e nevojshme në akset turistike tani të gjitha asket e kthejnë Tepelenën nga një xhep fals në një pikë distribucioni të lëvizjes për turistët që vijnë qoftë nga juglindja, qoftë ato që vijnë nga perëndimi përmes Tiranës apo jugut përmes Sarandës dhe e gjitha bëhet një pamje fantastike turistike që dhe njerëzit që e njihnin e kishin braktisur gjithnjë e më shumë.”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post