Nga Skënder Minxhozi
Zakonisht kur përdoret termi “Rruga e Elbasanit”, mediat ose banorët e Tiranës nënkuptojnë mes tyre ambasadën amerikane. Një paralelizëm i vjetër sa edhe vetë rruga e famshme në anën juglindore ët kryeqytetit. Në këtë shkrim bëhet fjalë në fakt për autostradën Tiranë-Elbasan (një autostradë e vërtetë shqiptare, diku rrugë me gropa dhe kthesa, e diku bulevard i gjerë), për të cilën ministri Damian Gjiknuri u shpreh të martën se “projekti ka probleme serioze dhe shembull tipik i rrugomanisë. Duam që rruga të përfundojë sa më parë, por edhe të dalin përgjegjësitë”. Një rast tipik i akuzave propogandistike, që e majta i ka prodhuar me tonelata këto katër vjetët e shkuar. Një lojë luftash me fishekë manovre, që bëjnë zhurmë, por nuk vrasin askënd.
Shqiptarët kanë ende pritshmëri disi romantike në lidhje me shtetin “që duhet të fusë në burg të këqinjtë”. Po t’i pyesësh, edhe sot ata thonë pa hezitim “le t’i fusë qeveria në burg”. Kjo remineshencë e një kohe të shkuar vijon të jetë e pranishme edhe sot tek shumë qytetarë. Rama dhe ministrat e deputetët e tij e kanë dëgjuar me shumë gjasë, në mënyrë të përsëritur gjatë katër viteve të shkuara, sesi njerëzit e thjeshtë u kanë kërkuar të lëvizin në drejtim të demaskimit dhe dënimit të listës së gjatë të paudhësive që kanë ndodhur në të shkuarën në qeverisjen e vendit. Në fund të fundit shqiptarët kërkojnë nga ata që kanë votuar, që të mbajnë premtimin e vënies në vend të drejtësisë.
Por ajo që kemi parë është diçka që i ngjan më shumë shprehjes “as mish as peshk”, sesa një qëndrim i qartë dhe i palëkundur për të korrigjuar kursin dhe filozofinë e qeverisjes së korruptuar në Shqipëri. Edi Rama premtoi në vitin 2013, kur vinte në pushtet për herë të parë, se do të bënte gjithçka për të nxitur një hetim për Gërdecin, 21 janarin, se do të çonte në prokurori ministrat dhe projektet e tyre të dyshimta. Duke nisur nga rruga e Kombit, e deri tek autostrada të cilën Gjiknuri vijon ta përmendë edhe në vitin e pestë të qenies së tij si ministër.
Kur ministri deklaron edhe sot, thuajse pesë vjet pasi Berisha preu shiritin e asaj rruge ende të papërfunduar, se “projekti është skandaloz”, gjëja e parë që të vjen në mend është se ku ishin qeverisësit e rinj, pas vitit 2013?! A nuk e panë ata, atë qe e shihte çdo udhëtar që kalonte nëpër rrugën e re drejt Elbasanit? Rrëshqitje dheu nga skarpatet anësore, punime të lëna përgjysëm, mbikalime të papërfunduara. A nuk e ka parë shumica e majtë se ashtu si rruga e Elbasanit, edhe autostrada e Kombit (dhe dhjetra rrugë të tjera), është sërish e papërfunduar dhe e ndërtuar me një cilësi krejt të pakrahasueshme me segmentin kosovar?!
Socialistët premtuan katër vjet më parë, që t’i japin vendit një drejtim krejt të ri, krahasuar me arbitraritetin e qeverive Berisha, të cilat jepnin koncesione HEC-esh pafund, financonin projekte infrastrukture plot probleme, pa folur për korrupsionin endemik, përgjimet e paligjshme të kundërshtarëve, vrasjet ne bulevard, fabrikat e vdekjes etj. Kurse sot e gjitha kjo barrë duket sikur i është vënë mbi shpinë qeverisjes së majtë. Nëse ish-ministrat e djeshëm bëjnë shumë më pak zhurmë sesa ministrat e sotëm, kjo i detyrohet jo edhe aq faktit se këta të dytët dolën më të babëzitur se të parët, por sepse gjatë katër viteve PS në qeveri nuk bëri thuajse asgjë për të provuar malin e akuzave që hodhi në opozitë, kundër Berishës dhe ministrave të tij.
Jo vetëm kaq. PS bëri edhe më shumë. Për keq, kuptohet. Gjatë katër viteve, shqiptarët vazhduan të thithin ajrin më të ndotur në Europë, të hanë ushqime thuajse të pakontrolluara, të djegin naftë e benzinë mizerabël dhe të marrin shërbime të një standarti tepër të diskutueshëm. Është sërish një vend ku është vështirë të jetohet, Shqipëria e qeverisur në katër vitet e fundit nga e majta.
Rama njofton sot luftë kundër pisllëkut që ka mbuluar brigjet e lumenjve dhe periferitë e qyteteve, thertoreve të paligjshme, guroreve masakruese të malit të Tomorrit etj, por ato ishin aty edhe kur ai mori pushtetin. Çdo shëmti e shkaktuar nga keqqeverisja ka qenë aty, e palëvizshme. E megjithatë e majta (kupto PS, pasi LSI nuk dihet çfarë është), ka vendosur të veprojë pas katër vitesh qëndrimi pasiv në disa aspekte tejet delikate të drejtimit të vendit.
Një alibi e përjetshme e Ramës, kur pyetej për dukuritë e mësipërme, sidomos korrupsionin, ka qenë drejtësia, sipas tij e kontrolluar nga pala tjetër dhe nga paraja nën dorë. Ka pasur të drejtë, por vetëm pjesërisht. Sepse teksa pamë që ish-ministrja Kodheli e ndonjë anëtar tjetër i kabinetit tentonin të reklamonin në prokurori shkeljet e paraardhësve të tyre, kjo frymë erdhi duke u shuar me kalimin e viteve. Aq sa në fund të mandatit, në verën e këtij viti, socialistët e kishin të vështirë të kujtonin çfarë kishin thënë në fushatën paraardhëse të vitit 2013, kundër të djathtës në pushtet.
Një tjetër justifikim i socialistëve për çka nuk kanë bërë në katër vjetët e fundit, ka qenë prania e LSI në koalicion. Një alibi që ngjan më shumë me një autogol, pasi Rama nuk është lodhur së konsideruari partinë e Metës, si një aleat strategjik, pa të cilin nuk kishte asnjë perspektivë qeverisjeje. Aq më mirë që ai vetë e përgënjeshtroi vetveten në fushatën e fundit, kur fitoi edhe pa LSI.
Drejtësia po fillon të kalojë nëpër filtrin e Vetingut, Lëvizja Socialiste për Integrim tashmë është në opozitë dhe kësisoj alibitë e PS po nisin zyrtarisht të bien. Dhe për sa kohë ministrat socialistë do të vazhdojnë të ankohen si në rastin e autostradës Tiranë-Elbasan, justifikimet e tyre do të jenë gjithnjë e më të dobëta dhe imazhi publik i Partisë Socialiste, si një forcë që synon të bëjë shtet e jo “tepsi”, do të vijojë të bjerë. Në timon s’ka më pilot rezervë. Qari dhe qederi, siç thonë tironsit, është i shoferit.
Diskutime rreth kësaj post