Shtimi i prurjeve në lumin Vjosë, rrjedhojë e reshjeve të shumta të shiut të ditëve të fundit, ka rritur nivelin e ujrave veçanërisht në zonën e Novoselës, pjesë e Bashkisë Vlorë.
Gjatë orëve të mesditës së sotme e në vazhdim, në urën e Mifolit, pjesë e aksit rrugor Vlorë-Fier, niveli i ujrave arriti pothuajse në pikën kritike, me tendencën për t’u rritur më tej.
Përballë kësaj situate, strukturat e pushtetit vendor janë vënë në kushte gatishmërie. Në vazhdimësi po monitorohet dinamika e prurjeve dhe niveli i ujrave përgjatë shtratit të lumit. Për momentin, gjendja është nën kontroll. Ndërpreja e reshjeve të shiut konsiderohet si një faktor pozitiv për situatën në vazhdimësi.
Një vit më parë, dalja nga shtrati e lumit Vjosë, shkaktoi përmbytje masive në këtë zonë. Me qindra hektarë tokë bujqësore u vunën nën pushtetin e ujrave për ditë me rradhë, ndërkohë që u përmbytën dhjetra shtëpi. Dëme u shkaktuan në kultura bujqësore dhe në blegtori.
Fermerët dhe banorët e dëmtuar u dëmshpërblyen nga shteti në masën 100 përqind.
Diskutime rreth kësaj post