Peshku është një prej produkteve me të cilat konsumatori mashtrohet shpesh. Një raport i FAO-s, (Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës në OKB) ka analizuar mënyrat nëpërmjet të cilave manipulohet ky produkt, për qëllime përfitimi. Mashtrimi me këtë kategori të ushqimit është provuar sidomos në vendet e zhvilluara, ndërsa më pak informacion ka për mënyrën se si mashtrohet konsumatori në vendet në zhvillim.
Një raport i Europolit i hartuar në vitin 2015 nxori se peshku i tregtuar ndërkombëtarisht renditej i treti në kategorinë e ushqimeve më të rrezikuara nga manipulimi.
Mashtrimi ka të bëjë me hedhjen në treg, për qëllime përfitimi, të produkteve me origjinë të panjohur apo të tjetërsuar.
Ka disa teknika të mashtrimit me këtë produkt, të cilat aplikohen në disa pika përgjatë zinxhirit të furnizimit me peshk. Kjo ndodh për një numër arsyesh, nga më e thjeshta – keqkuptimi i rregulloreve – deri te synimi për të mashtruar konsumatorët për të rritur fitimet, ose për të përfituar nëpërmjet peshkut të mbledhur në mënyrë të paligjshme apo deri te falsifikimi i dokumentacionit tregtar.
Forma të ndryshme të manipulimit të produkteve ndodhin në zinxhirët e marketingut vendas dhe ndërkombëtar të peshkut.
Disa nga format më të zakonshme janë:
Zëvendësimi i llojeve, ku një specie me vlerë të vogël zëvendëson një varietet më të shtrenjtë, për qëllime përfitimi; apo kur një specie me vlerë të lartë paraqitet si një specie me vlerë më të ulët për qëllime të evazionit fiskal;
Etiketimi qëllimisht i gabuar i peshkut për të fshehur origjinën gjeografike, ku është peshkuar në mënyrë ilegale
Tregtimi i produkteve të falsifikuara, ku emrat e markave përdoren me mashtrim;
Përdorimi i padeklaruar i aditivëve ushqimorë, siç janë agjentët për lidhjen e ujit, çka e rrit artificialisht peshën e produktit
Përdorimi i paligjshëm i aditivëve ushqimorë si monoksidi i karbonit për të rritur cilësinë vizuale të peshkut
Shtimin e ujit në produktet e ngrira për të rritur peshën
Etiketimin qëllimisht të gabuar të përbërësve për produktet e përpunuara me bazë peshku
Një studim i vitit 2017, i kryer në Itali me peshkun e importuar, arriti në përfundimin se 22.5% e produkteve ishin etiketuar gabim në mënyrë të qëllimshme. Pjesën më të madhe të këtyre produkteve e përbënin ato të importuara nga Kina, Vietnami dhe Tajlanda.
Një vëzhgim i ngjashëm në Greqi dhe Spanjë tregoi se 30 % e produkteve të peshkut ishin në të vërtetë specie që vinin nga vendet afrikane.
I njëjti fenomen është vërejtur në SHBA, Kanada, Amerikën Latine etj.
Cilat janë pasojat për konsumatorin?
Edhe pse shumë prej këtyre produkteve nuk përbëjnë rrezik të madh për shëndetin publik, në disa raste ato kanë rezultuar me dëmtim të shëndetit të konsumatorit. Rastet më të rënda mund të jenë ato kur specie toksike shiten si të pastra apo kur ato të kultivuara në ujëra të ndotur shiten si peshq detarë. Raste të rënda janë konstatuar në Bangladesh në vitin 2008, kur një lloj peshku i blerë në tregun vendas u shkaktoi vdekjen 17 personave.
Diskutime rreth kësaj post