Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu i është përgjigjur deklaratës së ish-deputetes së LSI-së Nora Malaj e cila tha se në qarkun e Durrësit, Rama do të pësojë ‘rrëshqitjen’ më të madhe në zgjedhjet e 25 prillit.
Spahiu tha se çdo forcë politike mendon të gjejë figura për qarkun ku beteja është me e fortë, por i bën thirrje partive që të mos e ashpërsojnë betejën në qarkun e Durrësit. Sipas saj, durrsakët gjykojnë me ftohtësi dhe nuk kanë nevojë për fushata të forta.
“Secila forcë politike mundon të gjejë figura për qarkun që beteja është më e ashpër. Unë do i bëja thirrje të gjithëve që të mos e ashpërsojnë betejën. Qytetarët durrsakë nuk janë agresivë. Kushdo që vjen me frymën për të bërë një fushatë të ashpër, në Durrës e ka gabim. Qytetari durrsak është i ftohtë në vlerësim. Gjykon deri në momentin e fundit për të dhënë vendimin e duhur. Do të doja që të mos rrezikojmë qytetarët, të mos kemi grumbullime të mëdha. Të bëjmë punën tonë dhe të shpalosim programet tona me qetësi. Të mos kemi programe të parealizueshme. Secila parti ka ambiciet e veta. Edhe në Durrës kemi ambicie. Ne pretendojmë të ruajmë rezultatin e vitit 2017 me 8 mandate, por pse jo dhe më shumë. Unë mendoj që do ketë dhe figura të reja në këtë qark. Di shumë qytetarë durrsak që kanë garuar. Janë emra shumë dinjitoz dhe e prezantojnë qytetarinë durrsake”, tha Spahiu.
Diskutime rreth kësaj post