Emigracioni, i cili ka vijuar me ritme konstante në 30 vitet e fundit dhe me gjasë do të shtrihet me të njëjtin intensitet edhe në dekadën në vijim, po ndikon për keq cilësinë e popullatës në Shqipëri. Të dhënat e INSTAT mbi emigracionin më 2020 tregojnë se, nga totali i emigrantëve rreth 1.7 milionë persona, shumica janë të rinj.
Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur mosha 20 nga 40 vjeç e dominon popullatën në emigracion dhe përben 46 për qind të totalit të emigrantëve. Mbi grup moshën 45 vjeç popullata në emigrim vjen në rënie. Anketa të tjera mbi potencialet e emigracionit tregojnë tendencën e lartë te të rinjve në moshë te re për të emigruar në krahasim me moshat e tjera.
Një studim i ekspertëve Gëdeshi dhe King ka identifikuar se, 70 për qind e 20 vjeçarëve dëshironin të largoheshin nga vendi në vitin 2018. Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë se të grup moshat e tjera. Shkaqet lidhen me një seri faktorësh sociale dhe ekonomike, thotë Gëdeshi.
Instituti Shqiptar i Statistikës ka raportuar se gjatë vitit të kaluar 25.5 për qind e të rinjve nga mosha 15 -24 vjeç as nuk ishin në shkollë dhe as në punë. Studimi mbi të Rinjtë 2018-2019, i institutit Gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) tregon se potenciali për të emigruar në grupmoshën 15-29 vjeç është rreth 60%.
Dëshira e të rinjve për të ikur jashtë vendit është me e lartë se në popullsinë e përgjithshme, ku sipas barometrit të Ballkanit gjysma e të pyeturve në Shqipëri, pa dallim moshe, raportojnë se do të dëshironin të jetonin larg vendit vitin e kaluar.
Diskutime rreth kësaj post