Nga Kiço Blushi
Krizat që përfshijnë herë pas here botën, thuajse nuk ndikojnë tek ne. A thua se jemi specie ekstraplanetare. Kriza financiare që mbërtheu qytetërimin perëndimor, duke e futur në një rrezik të paparë, aq sa shtete si Greqia shkuan në prag të falimentit, tek ne u ndje si kërcënim po aq sa paralajmërimet e meteorologëve për tajfun në Teksas.
Krizën e vuajmë vetëm kur zezona na futet brenda familjes me vrasje, me grindje at-bir, me braktisje e vetmi, me krime të padëgjuara e të papërfytyrueshme, me luftën e përditshme për mbijetesë, me ngasjen e papërballueshme të konsumizmit, të drogës, të reklamës, të raportit të zhdrejtë qejf- punë, kur djersa, aftësia e talenti gjenden përballë suksesit të pamerituar.
Konflikti shfytyronjës mes ndershmërisë “që të detyron me lyp” dhe pafytyrësisë së të fortëve injorantë që u bënë “papritur” të pasur, të shquar, Vipa, deputetë e ministra… e ka detyruar familjen shqiptare të pranojë bashkëjetesën e përçudnueshme të patriarkalizmit me liberalizmin, të fanatizmit me shthurjen, të besimit dhe mosbesimit te feja dhe njëri- tjetri, të mjerimit dhe varfërisë skajore që mburret me një “Ferrari” (“e ka sjellë evlati nga jashtë!”), të cilën e mban të parkuar para kullës për të vrarë me zili sytë e bashkëkatundarëve… ani pse prindërit nuk kanë as bukë kollomoqi e gjizë për me hangër. Një gazetë angleze pat shkruar para ca ditësh se fëmijët e pasunarëve shqiptarë, të cilët deri dje kishin pas qënë pa brekë në …, bëjnë të pabërën që të bien në sy nëpër Evropë me luksin e tyre.
Kriza e sotme në familjen shqiptare është më e thikta dhe më rreziksjellësja në historinë tonë. Atë e vuajnë si pasunarët dhe skamnorët, si të pushtetshmit dhe hiçnakët. Askush nuk ka siguri, edhe po të jesh shef komisiariati, kryegjykatës, ministër, deputet… E nesërmja nuk dihet ç’të sjell; në mos aksident, hedhje në erë të makinës, tritol te pragu, arrestim të djalit, trafikim të vajzës, tradhti të gruas, papunësi, faliment nga bixhozi, burg, hasmëri…
Babai vret të birin që nuk pranon të punojë për të meremetuar murin e avllisë së shtëpisë, vajzën se ka turp të kullosë lopën, burri masakron gruan për xhelozi a për divorc, fqinji vret fqinjin për vijën e ujit, nipi ekzekuton gjyshin e gjyshen se nuk i japin paratë e pensionit për të blerë drogë… Kronika e zezë e familjes shqiptare nuk ka qënë kurrë më e sterrtë, më e përgjaktë, më sunduese në edicionet e lajmeve. Kronika e zezë e familjes bën më pak përshtypje se haberet e personazheve të Big Brotherit.
Kjo theqafje morale e familjes reflektohet në shoqëri, në bashkëjetesë, në raportin që qytetari ka me komunitetin, pse jo edhe me kombin. Ndryshe nga bota e qytetëruar, tek ne krizat e shoqërisë nuk e tronditin familjen, por po ndodh e kundërta: kriza e familjes rrënon shoqërinë, madje edhe kombin.
“Problemi ynë nuk është varfëria”- më tha një burrë nga Dukati që jetonte në Orikum. “Problem është si t’i kthehet njeriu punës. Ka humbur kuptimi i punës. E di pse? Se kur e pyetën në Dukat një tetëdhjetë vjeçar a merr pension, ky i tha: Jo, unë nuk kam dalë në pension, unë punoj, por djemtë dhe nipat e mi janë të gjithë “në pension”. Se nipi që është lindur në ‘90- tën tani është te të 30- at, por nuk do të rrijë në fshat, nuk e ka zënë kurrë kazmën me dorë. Do lekë për benzinën e veturës, pa do edhe për të bërë qejf në lokalet e Vlorës dhe të Tiranës. Po edhe djemtë e mi që janë mbi 50 vjeçarë nuk kanë punuar, se më kollaj e kanë patur të bëjnë para me skaf e me drogë, se sa të rrëmijnë me kazmë tokën. A ka Perëndi e qeveri të kthejë këtë milet te puna? Në një vend ku një shishe qumësht kushton më lirë se një shishe ujë, ku një ditë pune për të vaditur kanabisin paguhet njëqind herë më shtrenjtë se po të mbjellësh patate e domate, a ka vlerë djersa në tokën tënde?”.
***
Me veprime të qëllimshme e mosveprime (për shkak të mungesës së vizionit e dhëmbsurisë për këtë popull), politika ka mundur të injektojë brenda organizmit të familjes të gjitha infeksionet e kohës së sotme. Globalizmi dhe konsumizmi, reklamat dhe sfilatat, pabet dhe spektaklet, liria pa rregulla, lëvizja e lirë, diferencat e paimagjinueshme në pasurim, tundimi nga “molla e ndaluar”, etj, më së tepërmi kanë vepruar si cunam dhe jo si mundësi për të jetuar më mirë. A mund të quhet familje ajo që braktis fëmijët nëpër rrugët e Evropës, për të fituar azil, apo ajo që burri gruan, ose prindi vajzën e shtyn të prostituojë, duke i gjetur klientë?
E megjithatë krizat ekonomike dhe ato politike përcillen zakonisht si gallatë, sa kohë ato nuk e kanë rroposur çatinë e familjes. Ndaj krizat financiare apo politike, globale a kombëtare, na duken pa lidhje me ne, me kosto më të pakët, sikur me gjasë shkaktojnë vuajtje, dëm dhe dhimbje ku e ku më pak se ato të familjes. Kjo nuk është mefshtësi e paaftësi “kombëtare” për të gjykuar objektivisht. Por një qytetar të cilit familja i ka rënë në hall, në pasiguri e në konflikt nuk do t’ia dijë për “paqen e përbotshme”. As për krizat botërore. Për këtë arsye nuk ka protesta civile; ja përse jo vetëm sindikatat, po edhe OJF-të ilustrojnë përbukuri shprehjen shkodrane “më ka çue nana me la gojën”.
Ne ngjajmë shoqëri e nënshtruar, pa nerv, së cilës qeveritë mund t’i bëjnë çdo lloj eksperimenti e përdhunimi. Dhe të mos pipëtijë kush. Kjo është arsyeja përse bëjnë më shumë efekt batutat e shpotitë e ndërsjella të liderëve në Kuvend, se programet në fushatat zgjedhore. Lajmet për rrezik të një lufte bërthamore në Korenë e Veriut, në një kohë kur bota është është bërë shumë e vogël për shkak të teknologjisë, nuk na hyjnë as në sy e as në vesh.
Ngaqë është vrarë familja, ne kemi një qasje armiqësore, indiferente me shtetin, me qeveritë, me qeverisjen, me njëri- tjetrin, me bashkëjetesën në komunitet, edhe pse muhabetet për politikën i japin kuptim dhe shije ditës dhe natës. Pikërisht kjo pasiguri e familjes si dhe frika e ndonjë drame të paparashikuar e të pashmangshme shpjegon arsyen përse gjysma e popullsisë ka ikur në emigracion, përse ne shqiptarët e sotëm e kemi aq të lehtë të ndërrojmë fe, emër, kombësi, përse ne vijmë pas sirianëve për braktisje masive të vendit.
“Të paktën të shpëtojmë fëmijët”, ky është justifikimi i të gjithë të ikurve.
***
Kriza që ka mbërthyer familjen na ka bërë shpërfillës edhe ndaj politikës, qeverisjes dhe partive. Ne nuk i gëzohemi pluralizmit dhe vlerave të demokracisë si në vitet e para. Madje është shtuar, sipas sondazheve, numri i nostalgjikëve për diktaturën.
Për mbi shtatë muaj, para e pas zgjedhjeve, mund të thuhet se ne kemi mbetur pa qeveri. Më sak, me një qeveri deledash, PS+ LSI+ PD, për shkak të një allishverishi ku ende nuk dihet kush u shit e kush u ble. Ne kemi një qeveri me një kryeministër karizmatik, një fejzbukist të palodhur që ambicje parësore ka si e si të lerë nam nëpër takime ndërkombëtare me atlete, batuta dhe tishërte, për të rënë në sy, edhe pse këtu ku qeveris, shumicën e ministrave të kabinetit aktual (të opozitës dhe LSI) i ka armiq të shpallur, të cilët nuk i komandon, nuk i urdhëron dhe as i kontrollon dot.
Ne qeverisemi nga një qeveri jo politike e njëkohësisht tejet politike, e cila nuk është mbledhur kurrë, madje as formalisht, për të nxjerrë ndonjë VKM. Dhe megjithatë gjithçka ka rrjedhur, afërsisht për një vit, “normalisht”. Ne jetojmë në një shoqëri që nuk di e nuk del të protestojë edhe kur ia shkelin dhe ia poshtërojnë simbolet kombëtare, si në rastin e Skënderbeut të mbuluar me perçe të zezë pesëqind e ca vjet pas vdekjes. Kjo ndodh në një kohë kur qeveria aktuale, “që do të na bëjë me shtet”, ka shpallur botërisht “vitin e Skënderbeut”!
Është po kjo qeveri që të fut në burg po nuk i pagove dritat apo po ngrite murin e një avllie pa leje, po ama nuk pipëtin kur Bashkia e kryeqytetit ka dhënë miratim (apo nuk ka dhënë lejë?) për të poshtëruar kësisoj heroin kombëtar. Se pa lejen e Bashkisë kjo nuk mund të ndodhte. Nëse simboli kombëtar është përdhosur pa lejë, ligji të ndëshkon, sikundër thuhet se i ndëshkon partitë për metingjet pa lejë, por nëse Bashkia ka dhënë miratim, atëhere a duhet të japë llogari kryebashkiaku Veliaj për këtë përçarje tejet të rrezikshme e të pashëmbullt mbarëkombëtare?
Krerët tanë kanë frikën e humbjes së elektoratit. Ata nuk pyesin për namuzin e kombit, aq më pak për mbarëvajtjen harmonike të shoqërisë, përfshi edhe harmoninë fetare, për të cilën mburren aq shumë. Ata reagojnë për Ballist Morinën, por heshtin për Skënderbeun. Për Bajram e për Pashkë të gjithë krerët partiakë shkojnë në dyert e xhamive e kishave (edhe pse me Kushtetutë ne quhemi medemk shtet laik) që të na urojnë festat fetare, por çudia është se as edhe një syresh nuk guxon të pipëtijë për këtë përsëndyerje kombëtare që nuk i është bërë Shqipërisë as në kohën e Haxhi Qamilit.
Përfytyroni sikur një vaki e ngjashme të ndodhte në Turqi me shtatoren e Ataturkut që një komunitet, si psh kurdët, të guxonin ta mbulonin kësisoj heroin kombëtar turk për një ceremoni fetare, aq më zi sikur këtë herezi ta bënin të krishterët. Po sikur edhe në SHBA islamikët, budistët, hindutë, jahovajtë, apo hebrejtë të mbulonin statujën e Lirisë, si do të reagonin shteti dhe shoqëria?
Në shtete normale kësosh ngjarjesh të ububushme nuk mund të përfytyrohen. Nuk mund të ndodhin. Jo vetëm se në to funksionon shteti dhe ligji, por se shoqëria ndërton raportet me familjen dhe qytetarin me rregulla e me ligje, sepse qeveria, si administratore është e detyruar të respektojë e të zbatojë ligjet, të garantojë bashkëjetesën e familjes me shoqërinë, që familja të mos bjerë nën trysninë e mbijetesës dhe pasigurisë deri në atë gjendje sa t’i kundërvihet shoqërisë me rrezikun e shpërbërjes kombëtare, si po ndodh ndër ne.
Por nëse tehun e thikës së krizës e ndjejmë vetëm kur tenja na ka hyrë në palcë, ç’do të ndodhë vallë kur “celula e shoqërisë”,- familja-, të “fitojë imunitet”, dmth të bëhet tërësisht mospërfillëse dhe e pandjeshme ndaj sëmundjeve sociale? A do të vazhdojmë të quhemi komb po qe se familja nuk do të ketë më nevojë për profilaksi, për mjek, për dituri, për shëmbuj e modele pozitive, për simbole dhe idhuj përbashkues, për dijetarë e shenjtorë, për flamur e qeveri, për nxënës e mësonjës, për shpresë dhe besim për një të një ardhme të përbashkët më të mirë?
Zoti na shpëtoftë!
Hë për hë kjo është e vetmja lutje që kemi pas bërë në shekuj e mund të bëjmë në këtë kohë moderne.
Diskutime rreth kësaj post