Vendimi i presidentit të zgjedhur Donald Trump për të zëvendësuar Chris Christin si lider të procesit të transferimit të pushtetit dhe lufta e brendshme në kullën “Trump” po shkakton vonesa dhe konfuzion në Uashington.
Kanë kaluar 8 ditë nga zgjedhjet, por ekipi i tranzicionit të Trumpit nuk ka kontaktuar ende me Pentagonin, Departamentin e Shtetit dhe agjenci të tjera federale.
Gjithashtu shkarkimi i disa prej këshilltarëve dhe punonjësve të republikanit ka ngadalësuar edhe më tej procesin.
Të ashtuquajturat ekipe drejtuese, që presidenti Barack Obama i caktoi në agjencitë federale pak ditë pasi u zgjodh president, priteshin në Uashington që prej të hënës. Christi kishte firmosur një dokument zyrtar me administratën “Obama” për të drejtuar transferimin e pushtetit, por zëvendësimi i tij me Mike Pence-in nënkutpton se tani nevojitet firma e këtij të fundit.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se dokumenti nuk ka ardhur ende. Siç u tha mbrëmjen e së mërkurës, stafi i republikanit do të njoftoi ekipet e para për Departamentin e Drejtësisë dhe agjencitë e sigurisë kombëtare të enjten, ndërsa ato për politikat ekonomike e të brendshme do të shpallen javën e ardhshme.
Përpos emrave, grupi i tranzicionit duhet të certifikojë se individët e zgjedhur nuk janë të përfshirë në konflikte interesi dhe se i përmbushin kriteret e kodit të sjelljes. Ndërkaq, zyrtarët që do të emërohen në agjencitë kyçe, të tilla si ajo e sigurisë kombëtare do të duhet t’i nënshtrohen një hetimi më të thellë.
Sipas mediave biznesmeni rrethohet nga 4 klane; ai familjar me dhëndrin e tij Jared Kushner që pritet të emërohet këshilltar numër një i Trump-it, ai i republikanëve që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të e që i kanë varur shpresat tek zëvendëspresidenti i moderuar Mike Pence, klani i ekstremistëve të afërt me ultra konservatorin Stephen Bannon i emëruar kryestrateg i Shtëpisë së Bardhë e gjithashtu bota e financës që ka drejtuar sytë nga thesari.
Diskutime rreth kësaj post