“Nëse shkelim rregullat ndëshkohemi të gjithë, nëse respektojmë rregullat lëvizim të gjithë lirshëm në vendet e BE”.
Këtë mesazh përcolli nga studio e Ora News, Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Aida Hajna.
Hajna tha se deri tani zbatimi i rregullave të reja të vendosura për lëvizjen e qytetarëve shqiptarë drejt zonës Shengen po zbatohen me rigorizitet.
Hajna u shpreh se në bashkëpunim me disa studio ligjore, po kryhen verifikime të rasteve kur institucione të caktuara lëshojnë vërtetime, të cilat shqiptarët i përdorin për të kërkuar azil.
E për të shmangur suprizat në pikat kufitare, Hajna përsëriti edhe një herë kushtet që duhet të plotësojnë udhëtarët shqiptarë drejt vendeve të Shengenit.
Hajna evidentoi si problematik edhe braktisjen e të miturve në vendet e BE, për një sërë motivesh, të cilat pas verifikimeve, sipas saj kanë rezultuar të pavërteta.
“Kemi kontaktuar me prindërit për disa raste dhe kemi dhe procedime. Motivet që i kanë braktisur janë nga më të ndryshmet, ekonomik, dhunë në familje, motive që nga investigimi që është bërë më mbrapa nuk qëndrojnë.Kemi ndërmjetësuar dhe me familjarët, me shtetet homologe kemi dhe marrëveshjen e ripranimeve, ku bëjmë dhe kthimin përsëri të fëmijëve në familje” deklaroi ajo.
4 rregullat e reja për Shengenin
Rregullat e reja që janë vendosur në lidhje me lëvizjen e shetasve shqiptarë në zonën Shengen po funksionojnë shumë mirë dhe Kanë filluar të zbatohen.Rregullat janë vendosur për shkak të rritjes së numrit të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE. Nëse shkelim rregullat ndëshkohemi të gjithë, nëse respektojmë rregullat lëvizim të gjithë lirshëm në vendet e BE. Katër rregullat e reja janë: Shtetasit shqiptarë duhet të kenë një adresë të saktë të akomodimit të vendit ku do të shkojnë. Ftesën e pritësit të destinacionit ku do të shkojnë.Biletën e rezervimit që do të jetë vajtje dhe kthim. Mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve të kohës që ata do të qëndrojnë.Rregullat vlejnë vetëm për vendet që janë pjesë e zonës Shengen.
Azilkërkuesit
Kërkesat janë në rritje. Shqipëria është një vend i sigurt dhe nuk legjitimohet asnjë kërkesë për azil ekonomik ose politik në këto vende.
Rikthimi i vizave
Nuk është një mundësi reale por duhet të marrim masa që të mos arrijmë në këtë diskutim. Shtetasit shqiptarë duhet të respektojnë lëvizjen e lirë, rregullat që janë përcaktuar në kodin Shengen, duke qëndruar brenda 180 ditëve vetëm 90 ditë që i lejohen, duke mos kërkuar azil në këto vende, duke mos kërkuar punësim në mënyrë të paligjshme.
Kthimi i 55 shtetasve
Është e vërtetë që 55 shtetas janë kthyer pasi nga verifikimet ka rezultuar që kërkesat e tyre nuk plotësoheshin. Nëse plotësohen kërkesat në dokumentacion këta shtetas nuk pengohen për të lëvizur.
Të miturit që kërkojnë azil
Kemi ndryshuar deklaratën noteriale.Ajo duhet të përmbajë autorizimin e prindërve për të udhëtuar, datën e nisjes dhe datën e kthimit të fëmijës dhe të drejtën për ta shoqëruar fëmijën do ta kenë prindërit, gjyshi dhe gjyshja, motra ose vëllai më i madh, xhaxhai, tezja, halla, një rreth më i ngushtë dhe jo kushdo.Në deklaratë duhet të përcaktohet qartë adresa ku do të shkojë fëmija, ndërsa kur ka të bëjë me shkollë, kurs apo aktivitet kulturor do përcaktohet vendi dhe ftesa e pritësit që organizon këtë pritje të fëmijës.Një element tjetër është dhe përgjegjësia penale që kanë prindërit në rastet e braktisjes së fëmijëve. Kemi kontaktuar me prindërit për disa raste dhe kemi dhe procedime. Motivet që i kanë braktisur janë nga më të ndryshmet, ekonomik, dhunë në familje, motive që nga investigimi që është bërë më mbrapa nuk qëndrojnë.Kemi ndërmjetësuar dhe me familjarët, me shtetet homologe kemi dhe marrëveshjen e ripranimeve, ku bëjmë dhe kthimin përsëri të fëmijëve në familje.
Raste abuzimi nga punonjësit e policisë
Janë ngritur grupe pune që kontrollojnë në vazhdimësi zbatimin e këtyre kritereve, në rast shkeljesh punonjësit e policisë janë të ndërgjegjësuar që do përgjigjen si administrativisht ashtu dhe penalisht sipas shkeljes që kryejnë.
Hyrje-daljet gjatë sezonit turistik
Që nga muaji qershor kemi rreth 6 milion shtetas që kanë hyrë dhe dalë në Shqipëri. Turistë janë 1 milion e 100 mijë shtetas.
Diskutime rreth kësaj post