Për të fituar lejen e drejtimit, çdo kandidat që plotëson kriteret dhe mbyll me sukses provimin e teorisë, duhet të japë dy provime praktike. Udhëzimi i Ministrisë së Transporteve propozon që për patentat e kategorisë B (autoveturat), kandidatët kanë kohë 6 muaj për të fituar provimet e praktikës, duke filluar nga data e lëshimit të autorizimit. Sipas variantit të ri, i cili është në diskutim, prova e parë e praktikës nuk mund të jetë më parë se data e përfundimit të programit të praktikës. “Llogaritja e kësaj date bëhet duke filluar nga data e lëshimit të Autorizimit për praktikë dhe duke shtuar ditët kalendarike të përcaktuara”. Ndërkohë, kandidati duhet të ketë kryer edhe ushtrimet e praktikës prej 6 orësh, të ndara këto në 3 grupe (2 orë gjatë natës, 2 orë në rrugë urbane dhe 2 orë në autostradë). Bazuar në programet, të cilat do të jenë të fokusuara te sjellja në trafik, kontrollin teknik të mjetit dhe manovrat në rrugë, kandidatët kanë 5 mundësi, të cilat do të shfrytëzohen për mbetësit me distanca 5-ditore. “Në rast se kandidati nuk e fiton provimin e praktikës me paraqitjen e tij deri në 5 herë prova praktike, ose kalohet afati i vlefshmërisë së autorizimit të praktikës, atëherë ai duhet të rifutet në provimin e teorisë, pa e përsëritur kursin e teorisë,vetëm pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së autorizimit përkatës”, thuhet në nenin 22 të udhëzimit. Për të dhënë provimet e praktikës, kandidatët duhet të marrin me vete kartën e identitetit (ose pasaportë) dhe autorizimin.
Sa zgjat praktika
Sipas propozimit të Ministrisë, seancat e ushtrimit të praktikës, nuk duhet të zgjasin më pak se 40 minuta. Kjo vlen për të dy llojet e kurseve, si për mjetet me kuti shpejtësie manuale, ashtu edhe për ato me kuti automatike, të cilat futen për herë të parë në autoshkollat shqiptare. Për patentat e kategorisë A1 (motor me cilindratë deri në 125 cm³, tricikël), A2 (motor me fuqi deri në 35 kW), dhe B1 (motomjete me katër rrota, të ndryshëm nga ata AM, masa e të cilëve është më e vogël se 400 kg), kohëzgjatja është propozuar për 12 seanca, të cilat duhet të zhvillohen në jo më pak se 12 ditë. Për patentat e kategorisë B, aty ku interesi është më i madh, propozohen 25 seanca në jo më pak se 25 ditë kalendarike. Vendi i provës të praktikës për të vlerësuar manovrat e veçanta bëhet në një terren të përshtatshëm për kryerjen e këtyre manovrave. Vendi i provës për të vlerësuar sjelljen në trafik duhet të bëhet në rrugë jashtë zonave të banuara, interurbane dhe autostrada (ose të ngjashme) si dhe, në të gjitha llojet e rrugëve urbane (zona banimi, 30 dhe 50 km/orë, urbane kryesore) të cilat duhet të përfaqësojnë lloje të ndryshme të vështirësisë. Gjithashtu, është e përshtatshme që prova të zhvillohet në kushte të ndryshme të trafikut.
Regjistrimi
Për t’u regjistruar në kursin e patentës, kandidatët duhet të bëjnë pagesën e regjistrimit për leje drejtimi, (autorizimin e teorisë dhe praktikës njëkohësisht), me pas dorëzojnë mandatin e arkëtimit dhe dokumentet në autoshkollë për regjistrim. Pas shpalljes fitues në provimin e praktikës, kandidati duhet të bëjë pagesën për taksën e lejes së drejtimit dhe patentës. Pasi kandidati është regjistruar për një kategori të caktuar leje drejtimi, statusi tij është aktiv dhe pasqyrohet automatikisht në sistemin e regjistrit informatik për dhënien e provimit të teorisë dhe praktikës deri në përfundim të këtij procesi. Pagesat për riprovimet e teorisë dhe të praktikës do të bëhen pas shpalljes fitues të provimit të praktikes.
Lëvizja në rrugë, ja programi për kursantët
Pasi ka fituar provimin teorik, kandidatët që kërkojnë të pajisen me leje drejtimi për kategorinë B, duhet të kryejnë 6 orë ushtrim të detyrueshëm praktike, të ndara sipas programit që “Shekulli” e boton të plotë.
2 orë lëvizje në kushte të natës, në rrugë urbane të ngushta dhe të gjera ku ka mjete të parkuara anash ose jo, në kryqëzime të rregulluara me sinjale vertikale dhe impiante semaforike;
2 orë lëvizje në rrugë urbane ose në rrugë interurbane dytësore, duke shfrytëzuar mjetin në regjime të ndryshme të punës së motorit, në regjimin e momentit përdredhës maksimal dhe duke shfrytëzuar konsumin minimal të karburantit;
2 orë lëvizje në autostradë ose rrugë interurbane kryesore apo dytësore duke e kaluar shpejtësinë 50 km/orë, duke përdorur 5 marshe dhe marshin më të përshtatshëm të shpejtësisë gjatë lëvizjes.
1. Përgatitja dhe kontrolli teknik i automjetit me qëllim sigurinë rrugore
Kandidati duhet të tregojë se është i aftë për t’u përgatitur për të drejtuar mjetin me siguri, duke kryer: rregullimin e ndenjëses për të marrë një pozicion ulur të rregullt; rregullimin e pasqyrave, rripave të sigurimit dhe mbështetëses së kokës, nëse ka; kontrollin e dyerve, nëse janë të mbyllura; kontrollin e zakonshëm të gjendjes së gomave, sistemit të drejtimit, sistemit të frenimit të lëngjeve (p.sh. vaj motori, lëngu ftohës, lëngjet larëse), stopave, fenerëve, treguesve të drejtimit dhe borisë.
2. Manovra të veçanta për t’u testuar
Një përzgjedhje e manovrave të mëposhtme do të testohen (të paktën dy manovrat për të katër pikat, duke përfshirë edhe një në marshin e lëvizjes prapa): Lëvizja prapa në vijë të drejtë ose lëvizje prapa nga e majta apo nga e djathta në një kthesë duke qëndruar brenda korsisë; Kthimi i mjetit në sens të kundërt, duke përdorur marshet para dhe prapa; Parkimi i mjetit duke lënë hapësirë të nevojshme (paralel, pingul apo me kënd në lidhje me aksin e karrexhatës, para ose prapa një mjeti, në vend të sheshtë, në të përpjetë ose tatëpjetë); Frenim i përshtatshëm për ndalim të plotë. Kryerja e një ndalese emergjente është fakultative.
3. Sjellja në trafik
Kandidatët duhet të kryejnë të gjitha veprimet e mëposhtme në situatë të trafikut normal, në siguri të plotë dhe duke marrë të gjitha masat e nevojshme në, drejtimin e mjetit: pas parkimit; pas një ndalese në trafik; hyrjes në rrugë me përparësi; drejtimin e mjetit në rrugë të drejtë gjatë këmbimit me mjete të tjera (duke përfshirë edhe këmbimin në hapësira të kufizuara); drejtimin e mjetit në kthesa; kryqëzime: afrimi dhe kalimi i kryqëzimeve në nivel dhe disnivel; ndryshimin e drejtimit: kthimet majtas, djathtas dhe ndryshimi i korsive; hyrje-daljet në autostrada ose rrugë të ngjashme me to (nëse ka): hyrja nëpërmjet korsisë së shpejtimit; dalja nëpërmjet korsisë së ngadalësimit; parakalimi: parakalim i mjeteve të tjera (nëse është e mundur); drejtimin e mjetit përgjatë pengesave (p.sh. mjete të parkuara) dhe parakalimi nga mjete të tjera nëse është e përshtatshme); rrugë me karakteristika të veçanta (nëse ka): rrethrrotullime; kalimet në nivel; vendqëndrime tramvaj/autobus; vendkalimet për këmbësorë; lëvizja me mjet në rrugë të përpjetë/tatëpjetë në distanca të gjata; marrjen e masave të nevojshme kur zbritet nga mjeti./Shekulli
Diskutime rreth kësaj post