Xherdan Shaqiri ka rrëfyer për mediat zvicerane se si ka ardhur deri te futbolli, duke shtuar se është gjëja me e mirë që i ka ndodhur në jetë.
Ish-mesfushori i Bayern Munchen dhe Interit, që tani aktivizohet në Premierligë te Stoke City, ka thënë se është rritur me futbollin dhe do të vazhdojë deri në fund me këtë sport.
Shaqiri ka treguar se si në fëmijërinë e tij në Zvicër ka jetuar vetëm pesë minuta larg fushave të futbollit, dhe kështu kishte filluar karriera e tij.
“Kam banuar vetëm pesë minuta larg fushave. Kjo ishte e përsosur për mua. Dhe kështu filloi gjithçka”, rrëfen Shaqiri, i cili hapat e parë në karrierë i hodhi në Zvicër.
“Ndiheshe i lirë, pa telashe. Luaje si një person i lirë, dhe ky sigurisht ishte një hap i madh për mua”, vazhdon rrëfimin e tij futbollisti kosovar.
Ylli i Stoke Cityt ka folur edhe për vendlindjen e tij, duke thënë se në Kosovë, vendet e punës dhe mundësitë janë të pakta.
Ai ka thënë se Kosova është një vend shumë i varfër, ku nuk ka shumë para.
“Jam lindur në Kosovë, një shtet shumë i varfër. Nuk ka shumë vende pune dhe nuk ka shumë para”, thotë Shaqiri.
Sipas Insajder, Xherdan Shaqiri ka treguar se vjen nga një familje e cila nuk ishte e pasur, teksa kishte përjetuar edhe vështirësitë e luftës, ku ishte djegur shtëpia e xhaxhait të tij.
“Shtëpia e xhaxhait tim ishte djegur, këtë e kam parë me sytë e mi. Kurse, shtëpia ime mezi po qëndronte në këmbë, por ata kishin vjedhur dhe shkatërruar gjithçka”, rrëfen Shaqiri.
“Ata kishin shkatërruar dhe vjedhur gjithçka që ishte brenda. Kishin vandalizuar edhe muret”, thotë 26-vjeçari nga Zhegra e Gjilanit.
“Kur kthehesh atje pas luftës dhe shikon gjithë këto gjëra, fillon t’i shohësh gjërat ndryshe”.
Ai ka thënë se është i lumtur me jetën në Zvicër, pasi aty ndihet i sigurt dhe i qetë.
“Jam i lumtur këtu në Zvicër, ku jemi të sigurt dhe mund të jetojmë në paqe”, thekson Shaqiri.
“Jam rritur me futbollin dhe do të përfundoj duke luajtur futboll. Është gjëja më e mirë që ka mundur të më ndodhë” e përfundon rrëfimin e tij mesfushori kosovar.
Diskutime rreth kësaj post