Pas një kalvari të gjatë prej 28 vitesh burg nga 8 dënime të ndryshme, Barjam Njazi Dervishaj rrëfen jetën e tij në të gjitha kampet dhe burgjet e Shqipërisë.
“Unë nuk kam patur ndihma familjare, jam rritur jetim por nuk kam vuajtur shumë se më kanë dhënë shokët. Kur unë shkoja tek krevati gjeja gjithmonë diçka për të ngrënë që më kishin lënë shokët”, rrëfen ndër të tjera ai.
Momentet më të vështira në burgun e Burrelit për Dervishajn, kanë qënë çastet kur ai teksa po hynte në dhomë gjeti trupin e pajetë të shokut të tij të qelisë, të varur me çarçaf pranë dritares.
Rrëfimi i plotë
Këtu i thonë Burrel ku hyn e më nuk del. Unë jam dënuar 8 herë. Unë i kam ngelur edhe 15 vjet për të bërë komunizmit. Nuk ka burg në Shqipëri ku nuk kam vuajtur unë, percjell panorama.
Ç’kujtoni nga momentet e para të arrestit?
Më 27 maj 1960, në moshën 17 vjeç për një bisedë arratisje u arrestova. U nisa për në Përmet me disa shok atje më arrestuan për tentativë arratisje. Më mbajtën 20 ditë në degën e Përmetit ku më pas më çuan në kalanë e Gjirokastrës ku vazhdova hetuesinë edhe u dënova me 10 vjet burg për tentativë arratisje. Isha shumë i ri për të kuptuar pse po më ndodhnin kto gjëra dhe në Gjirokastër më dënojnë 10 vjet në kalanë e Gjirokastrës dhe prej andej më çuan në burgun e Vlorës. Nga burgu i Vlorës më dërgojnë në sodën kaustike, fabrika e sodës kaustike në Vlorë. Pas 6 muajsh më dërgojnë në burgun e Elbasanit. Kështu shkoj jeta ime hidh ujë e hidh mjell, nga 10 vjet mi çuan në 36 vjet dhe ngela nëpër burgje. Nuk ka burg ku nuk kam vuajtur unë. Ne ishim të dënuar me punë të detyruar. Kam punuar në galerinë e Spaçit, kam punuar në Ballsh, kam punuar në fabrikën e çimentos në Fush Krujë, në fabrikën e çimentos në Elbasan. Në Spaç kam shkuar në vitin 1971 kam ndënjur për afërsisht 7 muaj për një ngatërres me policinë atje. U zum u ngatërruam dhe më dënuan atje, dhe më çuan prap në Burrel atje. Ishte burgu më i rëndë, në Burrel unë kam parë nga vuajtjet se mateshe durimi i njeriut, eksperimente bëheshin me njerëzit. Në Burrel kam parasysh si tani, nëqoftëse do na pyesnin se ku e gjenim forcën. Ne e gjenim forcën tek bashkëvuajtësit tanë, aty kishte shumë njerëz pa këmbë, të prera të dyja këmbët ose me një këmbë me paterica që zvarriteshin dhe nuk jepeshin. Këta na mësuan se nëpër burgjet duhet forcë shpirtërore sepse komunizmi nuk kishte mëshirë. Kur ai nuk mëshironte këta nuk më shkonte nëpër mend të na mëshironte ne të tjerët. Kur unë kam vajtur në Burrel, kam qënë 22 vjeç djalë kam qënë i fortë fizikishtë dhe shokët e mi bashkëvuajtësit, e them me mburrje këtë dhe ndjej kënaqësi në shpirtin tim, të gjithë kanë qënë më të mirë nga unë. Këta më kanë dhënë forcë dhe jetë. Ata më jëpnin bukën racionin e tyre. Edhe sot në shtëpinë time qindra të burgosur hyjnë e dalin. I kam vllezër.
Si organizohej një ditë në Burrel?
Njeriu sipas komunistëve ishte kafshë. Gazeta e palosur është 25 centimetër, ky ishte vendi ku duhet të flije ti. Ishim me çimento, dhomat me çimento. Në mëngjesh do ngriheshe me rënien e bilbilit, do rregulloje krevatin dhe nuk kishe më të drejt të uleshe në krevat por të rrije. Jepnin 500 gram bukë, dy herë gjellë në ditë, që nëse gjeje kokrrën e orizit ose fasules të duratrokisnin. Birucat ishin me çimento, aty bëheshin torturat. Ato birucat kishin disa hekura ishin lidhur mushkat e Italisë aty dikur. Ata e kthyen në vuajte për shqiptarët. Në Burrel unë kam parë shumë, atje kam parë ndjenjën njerzore që kam parë për të burgosurit, njëri për tjetrin.
Sa vite keni vuajtur në Burrel?
Në Burrel kam bërë 7 vjet burg.
Sa vetë jetonin në një dhomë?
Në një dhomë sipas njerëzve që fuste qeveria. Qeveria shtonte nuk e kishte problem. Në një dhomë mund të ishin 30 veta, mund të ishin 10 veta, sipas kapacitetit njerëzor që ishin nëpër burgje.
Si i kryenit nevojat personale?
Tualetet i kishe me orar, aty brenda kishte një qyp. Këtë qyp kur dilje në mëngjes do ta derdhje. Aty kishte pleq, të sëmurë. Ajo lloj qeverie nuk donte të dinte. Njerzit ishin procesverbal edhe kur vdisnin nëpër galeri gjithmon thoshin vdiqën për fajin e tyre. Ktu mbylleshe qënia e njeriut.
A kishit orare të lira gjatë ditës?
Në Burrel i thoshin oborrit ajrimit, “pajdot”. Dalja në pajdut bëhej dy herë në ditë, një orë paradite një orë pasdite. Por gjimonë nëqoftëse udhëheqja bënte lëvizje nëpër qytetet e tjera këto ndërpriteshin një muaj dy muaj dhe kur shikonim dritën e diellit fërkonim sytë. Unë nuk besoj edhe në familjen time nuk i përdor këto muhabete se e di që nuk kuptohem. Kishte vuajtje mbi njerëzore. Kam parë shokë të mij që janë varur nga uria. Përshembull Mustafa Bjaraktari nga Tropoja, Lefter Balltovani nga fshatrat e minoritetit. Ishim në dhomën një në Burrel edhe kur dolëm në (palosjen), i them Mustafait hajde, jo tha nuk jam mirë do rrij ktu brenda. Pasi bëm (pajdos) e shikoj ishte varur në dritaren e burgut me carcaf. Skisha ndërmend as sot smë shkonte ndërmend se do derdhja lot.Çfarë mund të flas tjetër unë për kto burgje kur komunistët shqiptarë dënonin shqiptarët e pafajshëm. Unë nuk gjeta një njeri që të kishte bërë një krim, që të më thoshte unë kam bërë këtë, po të gjithë ose për buised arratisje ose për tentativë arratisje ose për gjera të sajuara.Të gjithë këta njerëz futur nëpër burgje dhe mbi ta një dhunë e jashtëzakonshme. Kur në burgun e Burrelit lexoje parrulla “Këtu i thonë Burrel ku hyn e më nuk del”, të shkruara në murë. Në Burrel kishin vdekur qindra burra.
Burgu i Burrelit është ndërtuar në mënyrë të tillë që rrezja e diellit, nga çdo krah të binte dielli, rrezja nuk hynte brenda. Atje ku nuk ka diell nuk ka as jetë. Dhomat kishin dritare por dielli nuk hynte brenda tyre. Në këto dhoma gardianët kishin njerzit e tyre po të dënuar që provonin mos i kishin sharruar dritaret, i fusnin për të sëmurur njerzit i fusnin nëpër biruca. I zhvishnin duke i lënë në mbathje dhe kanatjere dhe të lidhur me zinxhirë. Më kujtohet njëherë më kishin lidhur me zinxhirë këmbët, duart dhe një zinxhirë tek këmbët dhe tek duart të lidhura mbrapa. Patateve andej u thoshin kërtolla dhe aty në fund në birucë më kishin hedhur ato patatet, unë djalë i ri i uritur tërhiqem zvarrë dhe e kap një patate me gojë ashtu i lidhur edhe gjysmën po e këpusja vetëm kur hapet sporteli dhe bërtet ai polici çfarë bën? Ai polici tani më kujtohet ishte nga Mllakastra i quajtur Qemal Azja, ishte shumë i egër shumë i ndryrë, më vonë e kam takuar në kampin e Ballshit si punëtor. I kishte rënë e shoqa difiçit atje në burgun e Burrelit edhe e takoj atje dhe i them “ela Laze”. Unë kam qënë një djalë i shëndoshë gjithmonë kam patur shëndet, ai pati frikë dhe më tha më fal. Më tha unë kam menduar se çdo gjë që fluturohej haet. E lash atë muhabet nuk i thash gjë. Deri në vitin 1973 se dua të jem i sinqert në të gjitha pikat, në Burrel flinin të gjithë në çimento. Në vitin 1973 këta e shtruan me dërrasa por jo birucat. Aty filluan të na japin disa rroba burgu, një peshqirë na shtuan edhe çajin bashk me tre gram sheqer. Unë nuk kam patur ndihma familjare, jam rritur jetim por nuk kam vuajtur shumë se më kanë dhënë shokët. Unë kur shkoja tek krevati gjeja biskota mi kishin dhënë shokët. Kishte raste që bëheshim 3-6 shokë ndanin cigaret, 5 cigare ti 5 cigare unë dhe thoshin do t’ja çojm Bajramit. Kishe 500 gram bukë, kishe një kandar të inprovizuar, domethënë dy copa dërrasa me spango trekëndëshe, këtu vendosnin 500 gram gurë dhe ktej peshoheshe buka dhe sytë e të burgosurve rrinin duke parë nga do anonte. Burgjet komuniste kanë qënë shumë të egra. Tek ne kanë lënë gjurmë. Ne ishim në një vend ku torturoheshim, nuk ke se si i harron këto. Syri jonë ka shirita i ka të gjitha të regjistruara, edhe natën në gjumë kur nuk e shikojmë veten mirë ne shikojm makthe. Nuk mund të kalojn kto gjëra si një cop bukë me djath. Unë kam parë njerëz edhe vetë jam rrahur në mënyrën më barbare, kto nuk harrohen. Galeritë nuk harrohen, thyerjet e këmbëve dhe të duarve nuk harrohen. Jazëk u qoftë atyre personave edhe bashkëvuajtësve të mi që arrijnë ti kalojnë këto gjëra sikur ska ndohur asgjë. Komunistët kanë bërë kërdinë. Ne vetëm punonim, bakri, piriti, të punoje në zonën e dytë të Spaçit të nxirrje pirit ishte 60 gradë nxehtësia aty brenda, detyrimisht ti do zhvisheshe. Kur pikonte pika e acidit në trup dridhej trupi si gjarpër. Ndërsa ata zotërinjtë ngroheshin në një sob jashtë edhe kur dilje të pysnin sa vagonë ke bërë, pse ske bërë kaq, pse ske bërë aq, na lidhnin, na rrihnin. Çfarë të them më. Mendoja njëherë me veten time të vdesi ky Enver Hoxha një orë pas tij të vdes dhe unë. Kur ka vdekur ai unë kam qën në Qafbari edhe radioja e kishte dhënë frëngjisht. Të them të drejtën unë nuk kam mësuar ndonjë gjuhë nëpër burgjet, biles kur hyra isha dhe fëmijë nuk e dija ç’ishte politika. Më thot një shok ka vdekur Enver Hoxha. Ishte një Kudret Hoxha shkova e i thash ka vdekur Enver Hoxha, ai bënte sikur nuk dëgjonte. I thash prap ka vdekur Enver Hoxha. Me gjithë mend tha. Po i them. Serioz në fytyrë tha se do na mbysin. I ranë bilbilave dhe po bërtisnin në menxë, kishin mbledhje. Ishte për tu çuditur kishte të burgosur që qanin. Ato ishin lot krokodili, ata qanin dhe rrinin afër me policat. Kishte spiuna nga dora jonë plotë. Kishte ardhur një farë Lek Ymeri, oficer i lartë, 500 burra u futën në menxë. U dëgjua zëri atij ku u tha unë po shoh që ju jeni kënaqur, keni marrë vesh që ka vdekur udhëheqësi i partisë dhe i pushtetit, por nga partia jonë do dalin udhëheqës të tjera. Ata shpreheshin hapur me ne na thoshin ju nuk do dilni gjallë që këtu, ju do mbaroni 10 vite burg ne do ju ridënojm më 10 vite të tjera dhe kështu vepronin. Unë jam dënuar 8 herë. Unë i kam edhe 15 vite për të bërë komunizmit. Unë kur kam dal nga burgu skisha familje, kam flejtur poshtë komitetit ekzekutiv në Tepelenë po binte shi. Atje flejta për siguri se mund edhe të na vrisnin se si i trajtonin gjërat këta. Unë kam dal jo më tepër se 50 kile nga burgu. Unë pështyja gjak edhe kur më ka marrë gruaja për vizitë në spitalin e Beratit. I thonë gruas ky një muaj ose një muaj e gjys ky nuk vete. Shikoja gruan që qante por unë jetova nuk e kam patur shumë problem jetën. Atje nëpër vuajtje mësova mos ta kem problem. Unë e kam çunin 25 vjeç tani, vajzën e kam në universitet 22 vjeç. Kaq mundësi patëm të bënim. Unë vij nga vuajtjet dhe unë u përkas atyre. Kënaqësia ime është kur më vjen ndonjë shok i burgosur në shtëpi. Ne nuk e kemi mendjne për të ngrën e për të pirë e kemi tek kto kujtimet e burgjeve.
Jam Barjam Njazi Dervishaj kam vuajtur 28 vjet burg në të gjitha kampet dhe burgjet e Shqipërisë.
Video:
Diskutime rreth kësaj post