Hysen Zmijani është nga shqiptarët e parë që ka luajtur në Arabinë Saudite. Bëhet fjalë për vitet 1993-1995, kur nga Franca si pjesë e Ajacios kaloi tek Al-Nasr, që sot ka pushtuar mediat botërore për transferimin e Kristiano Ronaldos.
Ish-mbrojtësi shkodran i Kombëtares rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” se çfarë do të thotë të jesh pjesë e këtij klubi, jetën në tokën arabe dhe atë që e pret yllin portugez. Dikur Zmijani nuk dilte dot në qytetin e Riadit, pasi tifozët e Al-Nasr e kishin idhull dhe e ndalonin kudo që të ishte.
Zmijani, jeni nga shqiptarët e parë që keni luajtur me Al-Nasr. Si i kujtoni dy vitet në Arabinë Saudite?
Po flasim për vitet 1993- 1995 dhe për mua ka qenë si një ëndërr e pazbuluar. Në atë kohë Arabia Saudite ka qenë një vend i mbyllur dhe nëse bëjmë një krahasim me sot, diferencat janë të mëdha.
Cili është ndryshimi sipas jush?
Sot kemi të bëjmë me një vend të hapur në zhvillim e sipër dhe që ka bërë një progres të madh. Edhe gjinia femërore është më e përfshirë, pasi në atë kohë kur unë luaja, Arabia ka qenë shumë e mbyllur. Sot femrat aty kanë mundësi për të punuar në disa fusha, por edhe për të qenë shofere, diçka që në kohën time nuk ishte. Më bëhet qejfi për atë vend, sepse tashmë po merr një superxhiro të madhe.
Çfarë ju çuditi më tepër në ato dy vite, ku dhe fituat dy herë titullin kampion të Arabisë?
Sigurisht që përshtypja e parë ka qenë mbyllja që pashë aty, pasi bëhet fjalë për një vend që unë as nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë se mund të luaja futboll. Pastaj, unë aty kam kaluar dy vite fantastike me Al-Nasr. Që në kohën time ka qenë klub shumë i madh për Arabinë, ndërsa aktualisht është emri më i diskutuar në glob prej Ronaldos.
Çfarë mund të bëjë Ronaldo në kampionatin arab?
Nëse themi Ronaldo, natyrisht mund të themi se është ekstremi i futbollit, edhe pse tashmë në perëndim të karrierës. Nuk mendoj se Ronaldo ka shkuar për të bërë karrierë në Arabi, por statusi dhe egoja profesionale që ka për ta mbyllur me futbollin si më të paguarin në botë, e ka shtyrë për të pranuar këtë eksperiencë. Ai është një shembull për t’u marrë nga çdo fëmijë apo futbollist sot në botë. Al-Nasr ka bërë bingo në çdo drejtim me këtë lëvizje. Ronaldo gjen aty një popull shumë të dashur dhe që e do marrëzisht futbollin. Ata lënë kokën për futbollin, sepse e kanë si argëtimin kryesor. Edhe kur unë luaja dhe dilja në qytet, shëtitje apo për të blerë diçka, nuk më linin të ecja në rrugë, pasi më donin shumë. Jetën javore e kanë shumë të fokusuar te futbolli dhe tashmë me Ronaldon do të hapen edhe më shumë si vend në disa aspekte, por gjithnjë duke respektuar fenë dhe duke mos përdorur alkool.
Diskutime rreth kësaj post