Ish presidenti Bamir Topi ka rrëfyer në librin e tij botuar së fundmi sesi e gjeti Sali Berishën në vitin 1997, kohë në të cilën ai u largua nga dhe posti i Presidentit.
Bamir Topi tregon se e gjeti Berishën në selinë e PD-së të strukur dhe me një gjendje të rënduar emocionale.
“Në këto zgjedhje korri një fitore të thellë koalicioni i majtë, duke marrë drejtimin si kryeministër Fatos Nano pas daljes nga burgu, duke propozuar qysh në krye të herë z. Rexhep Mejdani për President të Shqipërisë. Zgjedhja e tij u shoqërua me shkrepje në masë të armëve, që sillnin jehonën e gëzimit të largimit të Sali Berishës nga Presidenca.
Berisha erdhi menjëherë të nesërmen drejt selisë së PD-së, pas deklarimit të dorëheqjes së Tritan Shehut. Në mbrëmjen e 24 korrikut 1997, rreth orës 22:22 po kthehesha me familjen në shtëpi dhe po përshkoja rrugën ‘Toptani’ pranë selisë së PD. Në një çast u them që po futem të takoj Berishën, ndërkohë që ai vazhdonte të qëndronte në zyrë.
Nga dera e jashtme e ndërtesës, gjatë shkallëve dhe korridorit që të çonte në zyrën e vjetër të kryetarit të PD-së nuk ndesha këmbë njeriu.
Gjithçka bosh aq sa mendova se kurrkush nuk ishte brenda. Duke iu afruar derës së sekretares, del dikush dhe pasi më pa më përshëndeti dhe më bëri shenjë që Berisha ishte aty.
Hapa derën dhe pash një njeri tjetër nga ç’isha mësuar të njihja. I strukur në kolltuk, i demoralizuar dhe ndoshta i hutuar për sa kish ndodhur atë ditë.
Paradite ai ishte larguar nga Presidenca dhe pas dorëheqjes së ‘vullnetshme’ të Tritanit, Berisha ishte kthyer kryetar i PD. U përshëndetëm dhe pasi më ftoi të ulesha i thash se do të rrija vetëm pak minuta, pasi kisha familjen në makinë.
Prita që ta filloja unë bisedën e pari dhe kështu ndodhi. –‘Doktor –i thashë, – e di që kjo është tepër e vështirë, për gjithçka do të jetë ndryshe duke filluar qysh nesër.
Kjo që ka ndodhur nuk ka të bëjë vetëm me ju! Unë di t’ju them që tek unë llogarit një mik, – dhe për t’i treguar gatishmërinë time vazhdova: Telefoni im është i hapur 24 orë, fatmirësisht shtëpia ima nuk është më larg se 300 m nga selia. Në çdo situatë unë do të jem këtu’. Pas këtyre fjalëve i thash që po largohesha dhe se do të shiheshim.
U përshëndet gati i përlotur. Ishte në një gjendje morale të rënduar”.
Diskutime rreth kësaj post