Ekskluzive / Dëshmia e rrallë e 59-vjeçarit Ajet Toska, kampionit të madh në hedhjen e çekiçit në vitet ’80-të, i konsideruar si legjendja e sportit shqiptar , i cili në vitin 1984 u ngarkua që bashke me dy sportistet e tjera, Emanuela Kola dhe Pavlina Evro, të ishin të pranishme në tribunën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” për t’ju lidhur shallat e spartakiadës tre udhëheqësve më të lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe.
Nga Dashnor Kaloçi
Para disa ditësh kemi publikuar ekskluzivisht në gazetën TemA dy shkrime me proces-verbalet sekrete të dy mbledhjeve të Byrosë Politike të vitit 1984, ku Ramiz Alia informonte “shokët e udhëheqjes” lidhur me gjëndjen shëndetësore të Enver Hoxhës, ku midis të tjerash një shqetësim iu veçantë ishte dhe dalja e tij në tribunën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa në tetorin e vitit 1984 me rastin e ceremonisë së hapjes së Spartiakidës së IV-të kombëtare që mbahej në kuadrin e festimeve të 40-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, gjë e cila “u zgjidh” dhe Enver Hoxha siç dihet tashmë ishte prezent në atë ceremoni. Një nga ata sportistë që pati rastin të takohet me udhëheqësin komunist në momentet më të vështira të jetës së tij në atë dalje të fundit publike, ishte Ajet Toska, i konsideraur si legjenda e sportit shqiptar, i cili së bashku me dy sportistet e tjera, Pavlina Evron dhe Emanuela Kolën, u ngarkuan që t’i lidhnin shallat e spartakiadës tre udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë komuniste të asaj kohe. Lidhur me këtë, Ajet Toska, tashmë 59-vjeçar, rrëfen ekskluzivisht për gazetën TemA, atë ngjarje të largët që e ka ende të freskët në kujtesën e tij, madje duke ruajtur edhe një foto të rrallë, ku ai duket në krah të diktatorit komunist Enver Hoxha bashkë me dy sportistet e tjera.
Toska, përse ju zgjodhën ju personalisht dhe dy sportistet e tjera për të takuar Enver Hoxhën në tribunën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” me rastin e ceremonisë së hapjes së Spartakiadës që mbahej me rastin e 40 vjetorit të çlirimit?
Zgjedhja jonë u bë pasi ne asokohe ishim sportisë cilësore të rezultateve europianë dhe botërore. Unë në atë kohë vija nga Lojrat Mesdhetare të Latakias në Siri ku kisha marrë medalje ari në flakjen e çekiçit, po kështu qitsja Emanuela Kola ishte shpallur kampione Europe, ndërsa Pavlina Evro një atlete e shkëlqyer sapo kishte zënë një vënd nderi në kampionatin Evropian të Atletikës që ishte zhvilluar ato ditë në Nicë të Francës. Pra me pak fjalë ne kishim nderuar Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare dhe si të tillë na përzgjodhën të takonim Enver Hoxhën dhe dy udhëheqësit e tjerë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, Ramiz Alinë e Adil Çarçanin, ku do u lidhnim atyre shallat e asaj spartakiade. Dhe kjo gjë në atë kohë konsiderohej një gjë e rrallë dhe kushdo që të ishte do ta kishte për nder dhe krenari të ishte në vëndin tonë.
Kush jua komunikoi si fillim këtë gjë, pra që ju ishit përzgjedhur për të takuar tre udhëheqësit më të lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe?
Mua më lajmëruan në Klubin Sportiv “Dinamo” ku isha asokohe që në filan ditë dhe filan orë duhet të paraqitesha te Garda e Republikës pasi më kërkonin atje. Kaq dhe asgjë më shumë. Po kështu i kishin lajmëruar edhe Pavlinë me Emanuelën dhe ne të tre sipas porosive që na kishin dhënë, u takuam te Garda e Republikës në ditën dhe orën e caktuar.
Kush ju priti aty dhe çfarë ju thanë?
Aty te porta e Gardës na priti një oficer që na shoqëroi ne një nga zyrat e komandës ku na priste një nga shefat e lartë të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, P.L., i cili na komunikoi se ne ishim përzgjedhur për t’ë takuar tre nga udhëheqësit kryesorë të partisë dhe shtetit, duke na i përcaktuar: unë “shokun” Enver Hoxha, Pavlina “shokun” Ramiz, ndërsa Emanuela “shokun” Adil Çarçani.
Po porosi të tjera ju dha?
Po patjetër. Ai na tha se kjo gjë do të mbahej me sekretin më të madh duke mos ua treguar as pjestarëve të familjes dhe na porositi se që nga ajo ditë ne do t’i kufizonim lëvizjet nëpër Tiranë, duke na lënë të nënkuptonim se do të ishim të kontrolluar. Dhe pas kësaj na tha se për gati një muaj rresht, ne të tre do të paraqiteshim çdo ditë te ambientet e Gardës, ku do të bënim prova me disa ushtarë duke u lidhur shallat e spartakiadës. Dhe kështu bëmë ne për gati një muaj rresht, duke bërë prova se si do të shkonim deri te “shokët e udhëheqjes” dhe si do ua lidhnim shallat. Pas kësaj dy tre ditët e funndit na thanë se atë ditë që do ishim në tribunë, do na jepnin disa udhëzime të veçanta.
Ç’farë porosish ju dhanë atë ditë?
Para se të na nisnin me një makinë “Gaz”, shefi i lartë i Sigurimit, P.L. na porositi që ne në mënyrë apsolute nuk duhet t’i flisnim asnjë fjalë “shokut” Enver, edhe sikur ai të na fliste vetë. Kjo gjë na u tha disa herë dhe na e kërkuan që ne ta përsërisnim disa here atë që na thanë ata.
Kush ju shoqëroi për në stadium?
Na shoqëroi një tjetër shef i lartë i Sigurimit, B.Z. i cili na i përsëriti edhe njëherë atë që ne nuk duhet t’i flisnim “shokut” Enver dhe ai qëndroi me ne deri ku u afruam dhe u lidhëm shallat tre udhëheqësve të lartë, sipas përcaktimeve që na kishin bërë. Pra unë “shokut” Enver dhe Pavlina me Emanuelën, Ramizit dhe Adil Çarçanit. Dhe ne ashtu bëmë i zbatuam pikë për pikë porositë e dhëna. Pra, pasi u dolëm atyre përpara, u lidhëm shallat, duke pasur kujdesin më të madh dhe qëndruam dy tre minuta aty në krah tyre sa na bënë fotografitë e çastit dhe gjithashtu kamerat e Radio Televizionit Shqiptar që xhiruan atë ceremoni hapje. Dhe pas kësaj, ne duhet të largoheshim menjeherë sipas porosive që na ishin dhënë.
Si e kujton gjëndjen e Enver Hoxhës kur i lidhe shallin…?
Në ato momente kujtoj se Enver Hoxha ishte në një gjëndje tepër të rënduar shëndetësore dhe deri te tribuna qëndrore ai ishte ngjitur me një ashensor që ishte vënë ato ditë enkas për atë gjë. Shoku Enver nuk fliste asnjë fjalë as me ne dhe as me Ramizin dhe Adilin që e kishin futur atë në mes. Pra, thënë më saktë, ai ishte aty thjesht si një figurë që as merrte dhe as jepte, pra nuk kishte forcë të komunikonte me njeri dhe kam përshtypjen që ai as nuk e dinte se ku ishte.
Pasi u larguat që aty ku shkuat?
Ne na shoqëruan po ata që na kishin sjellë aty dhe pasi na hipën po në atë “Gaz” që na kishin sjellë, na dërguan deri te Ndërrmarja e Perim Patates, aty afër ku sot është Hipoteka dhe kur na zbritën na porositën përsëri që ne nuk duhet të bisedonim me njeri asnjë fjalë nga gjith sa kishim bërë që nga dita e parë që na e kishin ngarkuar atë “mision”!
Po pse ju dërguan aq larg…?!
As sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar atë gjë.
Po a kërkuat ju të zbrisnit më afër?
Po patjetër, unë fola duke i thënë shoferit që ta ndalonte makinë diku nga qëndra, por ai nuk foli duke na lënë të kuptonim që ai kishte një porosi se ku do të na zbriste.
Po foton që keni dalë me “shokun” Enver, kush ua bëri dhe si e morrët?
Foton nuk e di se kush na e bëri, pasi ne kishim emocione të papara “për të përmbushur detyrën që na ishte ngarkuar” dhe as na shkonte mendja të shikonim fotografët etj.
Po si arritët ta merrnit këtë foto?
Foton munda ta marr disa vjet më vonë, pra pasi kishte vdekur “shoku” Enver, në saj të miqësisë së madhe që kisha me ministrin e Brendshë, Hekuran Isai. Ai ma dha foton, madje më thirri vetë në zyrë kur ma dha.
Po Emanuela me Pavlinën, nuk e kanë atë foto?
Në dijeninë time jo. Nuk jepeshin fotot në atë kohë kur dilje edhe me udhëheqës të tjerë të partisë dhe të shtetit, se me Enverin jo se jo.
A patët rast më pas të caktoheshit po për një gjë të tillë në ceremoni të ndryshme sportive etj?
Për të lidhur shalla jo, por unë caktohesha të mbaja flamurin e Spartakiadave kur bëhej parakalimi për 1 Majin, pasi më vlersonin si sportist me rezultate të larta të nivelit europian dhe botëror./TemA
Diskutime rreth kësaj post