Këngëtari i njohur ka treguar se si detajet e bënë që të ngjitej në skenën e një festivali. Prej andej nisi një karrierë e suksesshme
“Unë jam bërë pak çuditshëm këngëtar, le të themi i famshëm për 24 orë”. Kështu është shprehur këngëtari i mirënjohur, Sinan Hoxha. Ai ka rrëfyer se si gjithçka ndodhi thuajse rastësisht.
“Jam marrë unë gjithë kohës me kurse në Greqi, kisha bërë shumë tentativa më përpara.
Vjen një i njohur nga Greqia kishim një dasmë në familjen time.
Gjatë dasmës një nga muzikantët që më njihte mua më fton të këndoj një këngë në greqisht. Në atë dasmë ishte i pranishëm edhe Alban Furtuna, kompozitor i famshëm, që ka realizuar dhe shumë këngë të miat, hite do të thoja. Albani ishte i famshëm për kohën dhe tani sigurisht vazhdon të jetë shumë i suksesshëm.
Alban Furtuna më merr dhe më thotë ‘dua të më vish te studio sepse kam një këngë dhe dua t’ma këndosh ti’. Ishte kënga ‘Fotografia’ dhe ishte greqisht. Shkoj te studio dhe këndoj greqisht. Në atë kohë nuk kishte këngëtarë shqiptarë që të këndonin greqisht.
Kurse mua në fakt më ndihmoi fakti që kisha jetuar në Greqi për pak kohë dhe nuk kisha vështirësi fare me gjuhën, kisha dhe aksentin në greqisht, isha si të thuash për veshin e kompozitorit më i duhuri. Mbaroj këngën dhe i them Albanit, ‘më duhet të iki sepse kam autobusin për Greqi’ dhe ai më thotë që ‘do të të përcjell unë’.
Më falënderon për këngën sepse i duhej për vete. Hipëm në autobusin e Kinostudios dhe zbritëm te ‘Banka’. Kur në atë moment sa dalim nga autobusi takojmë Bashkim Hoxhën përballë, që punonte te ‘Teuta televizion’, që nuk është më. I famshëm, i nderuar dhe intelektual si Bashkim Hoxha.
Po organizohej një festival, i pari privat në Durrës për të rinjtë në bashkëpunim me Alban Karabashin. Ai kishte në menaxhim dhe Flori Mumajesin e “The Dreams” në atë kohë. Kemi dalë në një ditë, në një orë, në një skenë. Pra ishte paraqitja jonë e parë.
Festivali bëhej në shesh në Durrës për herë të parë i këtij lloji, pra privat. Gjithashtu jepeshin tre çmime: i parë, i dytë, i tretë si në çdo eveniment.
-Aman Alban, i thotë Bashkim Hoxha në atë moment kur u takuam, kam festivalin nesër mbrëma e nuk ka prurje si festival privat që është sepse janë mësuar vetëm me këto festivalet e mëdha, na duhen urgjentisht këngëtarë të muzikës së lehtë, na duhen interpretues.
Dhe unë që gjithë kohës ia bëja, ua më iku autobusi dhe 10 minuta për Greqi.
Ja ku e kemi, thotë Albani, këngëtarin dhe këngën e kemi.
E dëgjon Bashkimi, perfekt thotë, thjesht duhet ndryshuar diçka, duhen shkruar fjalët shqip.
Shko te studio këndoje këngën shqip dhe nesër të pres në festival.
Unë në festival? Po jo se mua po më ikën autobusi.
Shkuam e kënduam te studio dhe të nesërmen u realizua kënga ‘Fotografia’.
Shkuam atje publiku nuk reagoi fare sepse s’i njihnin këngëtarët.
Më kishin thënë që do merrja një kitarë në dorë, por kitarës sime i mungonte rripi.
Mora një tip spango dhe e vura në krah. Isha fëmijë, nuk dija fare si mbahej kitara.
Nuk kam ditur që shkeleshin tastierat dhe notat dhe vazhdimisht bëja gabime me duart sa nga njëra anë në tjetrën.
Si përfundim shpërthen publiku me ovacione në përfundim të këngës.
Çmimi i parë thotë Alban Karabashi shkon për Flori Mumajesin, kurse çmimi i dytë për Sinan Hoxhën.
Me keqardhje them se kënga ime u bë hit se e njohu e gjithë Shqipëria.
Për 24 orë më njohën të gjithë.
U bë ‘Xakja’ i pasur pastaj”.
Diskutime rreth kësaj post