Ronela Hajati solli javën e kaluar remake të këngës “Alo Alo”, dhe ka rezultuar mjaft e suksesshme. Mirëpo, në këngën e saj Hajati ka cituar si autor Luan Zhegun, i cili në fakt është interpretues dhe jo autori.
Autori i saj është Agim Doçi, i cili është shprehur se kënga është e tij dhe se nuk po e tregon këtë fakt për ndonjë hatërmbetje që mund të ketë me Zhegun, por vetëm se e vërteta është e tillë.
“I mori Luan Zhegut, por ai është interpretues, jo autor. Në Shqipëri vidhet çdo gjë, punë e madhe se vidhet vota. Kjo është një hit vere dhe kur e kemi bërë atë këngë, na thërritën që të shkonin në Shqipërinë veriore për të bërë qytetërimin e tyre. Fabula e kësaj është vlerësuar shumë sepse shumë familje me këtë urdhër partie do e linin të fejuarën, të dashurën, kështu që kjo këngë mund të merrte dhe çmim të parë, por mori çmim të dytë. Aso kohe, u quajt këngë buletin.” – tha ai.
“Zoti Zhegu nuk e ka për herë të parë këtë krahmarrjen. Ronela ka bërë shumë mirë që e ka marrë dhe i uroj sukses. Edhe ti Ciko, vi frenat e dorës kur flet për veprat e mia, nuk është anekdotë. Do ishte kënaqësi e madhe nëse merren perlat, por jo të bastardohen. Ronela të flejë e qetë se xhaxhi Gimi nuk e ka hedhur në gjyq”, – u shpreh Doçi.
Megjithatë, ai ka përgëzuar Ronelën për këngën dhe i ka uruar shumë sukses.
Këngëtarja, menjëherë pas deklaratës së tij, e ka fshirë emrin e Luan Zhejit si autor të këngës duke vendosur atë të Agim Doçit.
Diskutime rreth kësaj post