Cristiano Ronaldo mban në ankth Juventusin, jo shumë për sfidën e së dielës kundër Napolit, por për atë në Champions kundër Atletikos së Madridit në program më 12 mars. Sulmuesi portugez vuan goditjen që mori në kavilje gjatë ndeshjes së shkuar në Serie A kundër Bolonjës. Ronaldo nuk është stërvitur me skuadrën, ndërsa i është nënshtruar disa kontrolleve mjekësore për të vlerësuar shkallën e dëmtimit. Gjithsesi, sipas të dhënave të para, nuk bëhet fjalë për një problem të rëndë, që mund të rrezikojë seriozisht përballjen në Ligën e Kampioneve, ku pas humbjes 2-0 në Madrid, CR7 është më shumë se i nevojshëm në misionin e vështirë të “Zonjës së Vjetër” për të përmbysur rezultatin.
Nuk përjashtohet edhe mundësia, që pesë herë fituesi i “Topit të Artë” të rikuperohet edhe për ndeshjen e së dielës, që mund të vulosë përfundimisht çështjen titull në kampionatin italian, por stafi mjekësor i Juventusit nuk do të rrezikojë. Në këtë mënyrë, skenari më i mundshëm është që Cristiano Ronaldo të qëndrojë në pankinë, pse jo edhe ta ndjekë ndeshjen kundër Napolit nga divani i shtëpisë së tij.
Diskutime rreth kësaj post