Pas pak kohësh do të akordohen çmimet për futbollistët më të mirë në botë, ku padyshim vëmendjen e merr “Topi i Artë”, një çmim që akordohet nga revista e njohur “France Football”. Padyshim që ka shumë kandidatura të forta, por debati për atë që e meriton ka marrë flakë tashmë, sepse në lojë janë futur edhe figura të mëdha të futbollit, që kanë shprehur preferencat e tyre. Kështu, Ronaldo “Fenomeni” do t’ia jepte Topin e Artë Karim Benzemas?. Lufta për trofeun më prestigjioz individual këtë vit duket më e hapur se kurrë. Me hegjemoninë e Kristiano Ronaldos dhe Mesit gjithnjë e më të lëkundur, ka disa kandidatë të tjerë. Mesi, që ka fituar Kupën e Amerikës me Argjentinën dhe që kaloi te PSG, duket si favoriti natyral, por konkurrenca nuk mungon.
Kampioni i Europës me Italinë dhe po ashtu me klubin e tij Çelsin, Zhorzhinjo, është një ndër më të kuotuarit. Pastaj është dhe Levandovski, që vuajti mungesën e dorëzimit të çmimit vitin e kaluar. Ronaldo dhe Mbape gjithashtu do të marrin vota. Në ditët e fundit ndërkohë rriten edhe kuotat e Benzemasë. Qendërsulmuesi ka dhe mbështetjen e disa ish-kampionëve të famshëm. I fundit është Ronaldo, dikush që ka fituar dy Botërorë dhe po kaq Topa të Artë. Një zë që ia vlen të dëgjohet dhe, duke qenë se bëhet fjalë për një qendërsulmues, ai i Ronaldos është një zë edhe më autoritar. Mbështetja e tij vjen nëpërmjet Instagramit, ku shkruan një koment të shkurtër por shumë domethënës dhe ku e pozicionon veten qartë në krah të sulmuesit francez të Realit të Madridit.
“Pa dyshim, kandidati im për Topin e Artë është Benzema. Sulmuesi më i mirë. Në nivele shumë të larta prej 10 vitesh dhe kampion, nuk mendoni dhe ju kështu?”, shkruan në profilin e tij ish-sulmuesi legjendar brazilian, i vlerësuar nga më të mëdhenjtë e futbollit botëror. Nga ana tjetër, Ronaldo fenomeni beson se edhe Kanavaro është një mbështetës i Benzemas?. 2021 i tij në fakt si vit kalendarik është i nivelit më të lartë. 34 gola dhe 15 asiste, por nuk fitoi dot titullin në Spanjë. Në Europian, me Francën nuk arriti dot finalen.
U ringrit në Nations League ku udhëhoqi shokët e skuadrës drejt triumfit me dy gola të rëndë kundër Belgjikës dhe Spanjës. Nuk duhet harruar që është francez, ashtu si dhe revista që dorëzon titullin, që duhet thënë se deri më tani nuk ka mbajtur krah. Francezi i fundit që e ka fituar është Zidane n? vitin 1998, ndërkohë që Griezman për ta fituar nuk i mjaftoi një Botëror. Mbetet për t’u parë tani se sa ndikim do të ketë mbështetja e “Fenomenit”.
Diskutime rreth kësaj post