Juristi Romeo Kara, në një intervistë për gazetën “SOT” ka komentuar aktualitetin politik, por jo vetëm. Ai shprehet se klasa politike e Kosovës, fatkeqësisht u bë një kopje e keqe e asaj të Tiranës, sa u takon akuzave ndaj UÇK.
Më tej ai ka folur dhe për raportet e Berishës me Kosovën, duke deklaruar se ai i ka shërbyer Serbisë. Një çështje ku ai është ndalur është afera e CEZ, aferë e denoncuar prej tij. Më herët zoti Kara ka treguar mbi eliminimin e dëshmitarëve kyç të saj, ndërsa sot ka hedhur dritë se si u zhdukën apo vdiqën ata që kishin dijeni mbi përfshirjen e presidentit Meta në skandalin CEZ-DIA, ministër në atë kohë.
-Zoti Kara, vendi është mbërthyer nga debate sa i takon luftës së UÇK, si i shihni akuzat e Hagës dhe a po e përdor Tirana situatën për politikë?
Klasa politike e Kosovës, fatkeqësisht u bë një kopje e keqe e asaj të Tiranës, duke ushqyer përçarjen brenda vetes, duke harruar se lufta për pavarësinë e Kosovës nuk përfundoi në qershor 1999, por është një proces në vazhdimësi, i cili nuk mund të realizohet ndërkohë që pushtetarët synojnë vetëm të pasurohen. Sa më shumë që ata ia lëshuan vetes litarin e pasurimit, aq më shumë ata u zhveshën nga idealet, meritat dhe respekti që gëzonin, duke humbur edhe orientimin së bashku me logjikën, gjë që i çoi në lajthitjen e pafalshme të votimit të Gjykatës Speciale, e para dhe e vetmja e llojit të saj në botë, duke bërë pothuaj një vetëvrasje politike në masë. Ata tashmë të gjendur në kurthin që pothuaj e ndërtuan vetë, natyrisht që do të përdoren siç edhe po përdoren nga politika në rajon, sidomos në Serbi dhe Shqipëri.
As mazhoranca, as opozita dhe konkretisht as Rama e as Berisha nuk kanë asnjë gram meritë për çlirimin e Kosovës. Njëri përkëdhel Thaçin dhe tjetri Haradinajn, por ata nuk janë as Thaçi e as Haradinaj dhe për më tepër as bashkëluftëtarë me ta. Nëse do të ishin kaq meraklinj për Kosovën, padyshim që ata do të kishin vajtur të luftonin atje, gjë që nuk e bënë as njëri e as tjetri. Nga Republika e Shqipërisë kanë dhënë jetën 30 luftëtarë vullnetarë, 30 heronj të cilët politika zyrtare kurrë nuk i ka nderuar. Kemi luftëtarë të tjerë që jetojnë si anonimë në mes nesh, të përjashtuar jo vetëm nga çdo respekt, por edhe nga çdo e drejtë. Sa shqiptarë e njohin z/shefin e shtabit të UÇK Dilaver Goxhajn, komandantët Adem Shehu dhe Dritan Goxhaj, luftëtarin Redis Sheko etj. Janë heronj të gjallë dhe të diskriminuar nga çdo qeveri. Lëtyra të LSI-së kanë pushuar pa asnjë arsye nga aviacioni shqiptar Adem Shehun dhe Dritan Goxhajn. Heronj të kalibrit të tyre bota i ka me gishta. Adem Shehu, pa i thënë asnjë fjalë familjes, iku vullnetar pikërisht në zonën më problematike në kufirin Kosove-Serbi, ku drejtoi i pavarur mbi 850 luftëtarë të cilët kurrë nuk luftuan në mbrojtje, por vetëm në sulm. Shqiptarët duhet ta mësojnë se ushtria serbe, pas marrëveshjes së Kumanovës nuk kishte as guximin ta mendonte se mund të tërhiqej nga Gollaku ku ishte Adem Shehu.
-Po qëndrimet e Berishës si i shihni? Ka shumë nga ata që thonë që ka punuar kundër Kosovës?
Vitet kanë kaluar, por unë dhe shume si unë e kujtojmë shumë mirë thirrjen e Berishës që delegacioni kosovar në Rambuje të mos e nënshkruante marrëveshjen atje duke e quajtur atë, kushtetuta e turpit dhe e pushtimit. Pikërisht nënshkrimi i asaj marrëveshjeje çimentoi aleancën NATO-UÇK. UÇK kurrë nuk ka përmendur ndonjë rast ku Berisha të këtë treguar ndonjë dashamirësi ndaj saj, por përkundrazi i faturon atij disa arrestime të krerëve të saj përgjatë kohës që ai ishte president. Berisha i tradhtuar nga Bullatofiqi u detyrua ta pranojë shkeljen e embargos, me pretekstin se po ndihmonte Kosovën, por ne kurrë nuk kemi gjetur ndonjë fakt që flet për një favorizim prej asaj që ai bëri, të UÇK-së. Menjëherë pas Luftës së Kosovës, kemi një prani të vajzës së Berishës atje dhe të një grupi rreth saj që kanë punuar për Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në këtë grupim ka qenë përfshirë edhe Basha, i cili dihet se u katapultua në politikë, pikërisht prej asaj që ai performoi në Kosovë.
-Meqë jemi te Basha, mazhoranca e akuzon se ka gisht në fabrikimin e akuzave ndaj UCK. Si i shihni këto përplasje dhe rolin e tij?
Çfarë është ajo që ka bërë ai, pse nuk e sqaron kurrë dhe si ndikoi kjo gjë për t’u bërë tre herë ministër dhe një herë kryetar bashkie, këto janë pyetje që duhet të marrin përgjigje, sidomos tani që thesi i akuzave është hapur plotësisht. Dihet që serbët nuk kanë reshtur së fabrikuari prova kundër UÇK-së me qëllimin për ta inkriminuar luftën e saj në arenën ndërkombëtare. Nëse Basha ka gisht në këto fabrikime, atëherë ai duhet të trajtohet si tradhëtar dhe vetëm si i tillë. Ne duhet të mësojmë qartë nga vetë Basha burimin e pasurisë së tij, kohën kur ka punuar në Kosovë si dhe kohën kur ka kryer studimet në Holandë.
Ajo çfarë unë konstatoj është se, pagesa e majme që ai ka marrë në Kosovë, sigurisht që nuk ka qënë një shpërblim për punë ordinere dhe as për përkthime. Kam njohur nga afër përkthyesin brilant Robert Schvarc, por ai nuk zotëronte miliona e vila si Basha, edhe pse shqipëroi Remarkun dhe kolosë të tjerë. Shqiptarët duhet ta dinë: a është peng Basha i së kaluarës së tij në Kosovë?Ne nuk mund të konsiderojmë si alternativë për kryeministër një njeri të kapur peng. Ata që sot janë në Hagë, e kanë kuptuar se janë në hall dhe sigurisht që dy duar për një kokë i kanë dhe nuk do kursejnë kërkënd përfshirë edhe Bashën. A shfrytëzohet kjo gjë nga mazhoranca? Sigurisht që po. Ajo tashmë e ka vendosur këtë temë në qendër të debatit elektoral, jo pa sukses deri më tani, sepse Basha ka vetëmarrë rolin e të akuzuarit i cili nuk flet për arsye se mos inkriminojë veten. Ai duket sikur thotë: nuk flas pa ardhur avokati. Avokat mesa duket nuk do ketë, por thjesht ai po hesht për të fituar kohë. Ramës duket qartë që i intereson kryqëzimi i këtij debati në Kosovë me atë në Shqipëri. Ky debat po tenton të mbushë boshllëkun që ka krijuar politika e brendshme, pa arritje, pa grintë dhe pa të ardhme.
-Si shpjegohet që Berisha del mbështetësi më i madh i UÇK?
E përmendëm edhe më lart se, asnjëherë nuk ka patur një bashkëpunim Berisha-UÇK. Fakti i dalë në media pak ditë më parë nga Fatos Klosi se, qeveria Bukoshi ka financuar arkën e SHIK-ut të Gazidedes, flet për një anësi që Berisha ka marrë në luftën e brendshme politike në Kosovë. UÇK u desh të përballej jo vetëm me pushtuesin, por edhe me kundërshtarin politik kosovar të ndihmuar nga Berisha me të gjitha format e mundshme. Shërbimet kanë qenë reciproke dhe kështu duket të këtë ndodhur përderisa Berisha i përdori forcat e Bukoshit për të rrëzuar qeverinë Nano. Berisha në mungesë të përdorimit të armëve kundër okupatorit serb, frymëzoi përdorimin e tyre për vëllavrasje. Qëndrimet e Berishës janë qartësisht antishqiptare përgjatë gjithë karrierës së tij. Ai është respektuar nga popullsia e Kosovës si një prej tyre, si një malësor i Malësisë së Gjakovës, por ai kurrë nuk e ka merituar respektin e tyre. E gjithë veprimtaria e tij politike, në pozitë dhe opozitë, nuk ka qenë në asnjë aspekt pro interesave kombëtare në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Selim Brosha u vra, se ai kishte shumë për të thënë.
-Duke dalë nga aktualiteti, një ngjarje të cilën ju e keni përmendur, por që mendoj ka vend për sqarim është zhdukja e dëshmitarëve kyç të aferës së CEZ apo CEZ-DIA. Çfarë ka ndodhur me Belegun, Tepshin, etj.
Eduart Belegu zhduket pikërisht pasi ftohet për kafe nga një njeri i afërt me Metën. Qazim Tepshi, ish-ambasadori i Shqipërisë në Çeki, ndërron jetë papritur, në mënyrë të dyshimtë, pikërisht pak pasi u ftua për kafe nga një tjetër njeri i afërt i Metës. Kjo ngjarje ndodhi në gushtin e vitit 2015, menjëherë pasi miku i Metës i aferës DIA-CEZ, Kastriot Ismailaj, u arrestua dhe filloi të hapë gojën në mënyrë kërcënuese për Metën nga burgu, duke ngritur një furtunë kundër tij në Parlament dhe në media. Qazim Tepshi, ishte një kërcënim për Metën, pasi ai ka qenë në dijeni që në fillim të aferës CEZ-DIA dhe kishte kohë që kishte shfaqur pakënaqësi ndaj Metës dhe Ismailajt, lidhur përsa më sipër.
Ishte Qazim Tepshi ai që me porosi të Metës, ofroi pranë stafit drejtues të CEZ-it, Kastriot Ismailajn, duke e prezantuar si një njeri të afërt dhe të besuar të Metës. Këtë fakt e konfirmon në dëshminë e tij ish-kryetari i bordit të drejtorëve të CEZ-Shpërndarje, Jozef Hejsek. Qazim Tepshi është aksidentuar me makinë në Pragë për llogari të Metës, pikërisht kur Meta dhe Ismailaj vizituan së bashku Pragën në fund të vitit 2010, me qëllimin që ai të mos ishte i pranishëm në takimin dypalësh: Meta-Ismailaj & Roman-Pleskash, takim në të cilin u bënë disa marrëveshje mafiozo-korruptive. Pak ditë para këtij takimi, Ismailaj u pagua me urgjencë nga CEZ-i për punë të pakryera asnjëherë, me rreth 1.5 milionë euro, para të cilat dyshohet se u paguan në funksion të këtij takimi. Pak ditë pas këtij takimi, ERE, në ndikimin e Metës dhe Berishës, miratoi një vendim lidhur me uljen e çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga KESH-i tek CEZ-i, vendim i cili rëndoi minimalisht me 30 milionë euro në vit buxhetin e shtetit.
-Po shkojmë drejt zgjedhjeve, por pas 30 vitesh janë të njëjtët njerëz. E kanë fajin shqiptarët që nuk ngrihen kundër tyre apo kasta politike?
Pas 30 vitesh kuptohet që fajin e kanë vetë shqiptarët. Ata kërkojnë të ndryshojnë e përmirësojnë situatën, pa dashur ta kuptojnë se po nuk ndryshuan vetë ata, qasja e tyre ndaj politikës, aktorët dhe faktorët politikë, asgjë nuk do të ndryshojë. Shqiptarët kanë treguar për 30 vite një papjekuri politike të pashembullt, duke lejuar disa sharlatanë që të luajnë dhe përdhosin fatet e tyre, nderin e tyre, vendin e tyre dhe jetën e tyre. Tek mefshtësia e shqiptarëve e ka burimin arroganca e pushtetarëve dhe rrugaçëve që flirtojnë me ta. Tek humbja e fillit moral, e ka burimin kjo vjedhje dhe ky korrupsion, që deformoi karakterin e një populli të tërë.
Ne jemi shumë këmbëngulës për të mos ndryshuar, për të harruar të keqen që na ndodh, për të mos mësuar nga historia dhe për të mos lypur të drejtën tonë, por ta fitojmë me forcë atë. Ne alogjikisht votojmë vetëm kundër dhe jo pro, duke ricikluar kështu pambarimisht të kaluarën. Ne adhurojmë ata që i zgjedhim vetë me votë për shërbëtorët tanë publikë duke u bërë qesharakë në sytë e Europës. Ne nënshtrohemi, pranojmë falimentimin, mospërballjen, dorëzimin dhe ikim nga problemi, nga vendi dhe familja sepse paragjykojmë se horrat në pushtet dhe politikë janë të pathyeshëm. Ne kurrë nuk i kemi vënë përpara përgjegjësisë pushtetarët tanë, duke iu kërkuar llogari atyre për çdo premtim të pambajtur dhe çdo dëm të sjellë prej tyre. Ne nuk kërkojmë që të bëjmë një shtet ku ligji të prevalojë dhe të vetëveprojë, por tolerojmë ligjin e pashpallur të pushtetarit.
Ne nuk duam ta kuptojmë se, politika jonë, Rama, Berisha, Meta e Basha, në unison dhe veç e veç, e kanë rrënuar dhe tjetërsuar kontratën sociale me popullin, se ata e kanë devijuar dhe mohuar vullnetin dhe sovranitetin e popullit, se ata së bashku dhe jo veç e veç janë një e keqe e pandarë me të cilën duhet të përballemi ne dhe ligji. Në kushtet në të cilat ne jemi sot, ka qenë edhe Europa shumë vite më parë, e cila ndryshoi totalisht brenda vetes së saj, u rizgjua, u vetëndërgjegjësua dhe mori në dorë fatet e saj. Europa gjithmonë ka treguar mosbindje civile ndaj pushtetarëve uzurpatorë, siç janë edhe pushtetarët tanë dhe si zgjidhje përfundimtare ka parë gjithmonë revolucionin. Vetëm revolucioni mund t’i kthejë sovranitetin dhe shtetin e uzurpuar shqiptarëve. Çdo zgjidhje tjetër, do të jetë thjesht një pazar, vazhdim i pazarit 30-vjeçar politik.
Shqiptarët duhet të kuptojnë se sistemi politik dhe ekonomik i tyre është në kolaps, se mungojnë për një pjesë të madhe të popullsisë mjetet e jetesës dhe se përveç shumë pasurive, tani po humbet me shpejtësi pasuria kryesore, populli. I gjithë kolapsimi i sistemit ka ardhur si pasojë e korrupsionit prandaj sot ata duhet të jenë të bashkuar në luftën ndaj korrupsionit, e cila është realisht jetike për ne. Dallimet e tjera programatike nuk duhet ta pengojnë një bashkim të tillë. Sot ka ardhur koha e vetingut real politik, vetting i cili u shmang duke stisur përpara tij, atë në drejtësi dhe polici. Pas këtij vetingu, do të mund të realizohet konfiskimi i pasurisë së vjedhur, kthimi i saj këtij populli dhe rishpërndarja e të ardhurave duke luftuar varfërinë dhe faktorët që shkaktojnë atë. Vetingun në politikë mund ta bëjë vetëm revolucioni dhe kurrsesi këta politikanë që janë vetë objekt i tij.
Diskutime rreth kësaj post